3 perditesime
23:52

Krasniqi: Kontratat për sigurimin fizik dhe higjienën na marrin një pjesë të madhe të buxhetit

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se kontratat e sigurimit fizik të objekteve shëndetësore dhe të mirëmbajtjes dhe higjienës, janë shërbime që marrin një pjesë të madhe të buxhetit të QKUK-së.

Sipas tij, ka nevojë ende të rritet cilësia e këtyre shërbimeve duke shtuar se ka nevojë për më shumë siguri dhe higjienë.

“Sa i përket kontratave të sigurimit fizik të objekteve shëndetësore dhe mirëmbajtjes dhe higjienës ose pastrimit, mbase në mesin e kontratave të tjera janë shërbime që na marrin një pjesë të madhe të buxhetit. Ne kemi nevojë ende për të rritur cilësinë e këtyre shërbimeve dhe nuk jemi edhe aq të kënaqur me këto shërbime, ka nevojë edhe për më shumë siguri, edhe për më shumë higjienë dhe për më shumë angazhim të atyre që na i ofrojnë këto shërbime. Janë procedura të hapura ku ofertojnë kompanitë e ndryshme që merren me këto shërbime dhe këto kontrata i nënshtrohen ligjeve të prokurimit sikurse shërbimet e tjera”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, këtë vit buxheti i QKUK-së ka pasur shkurtime të jashtëzakonshme ku vetëm për sigurimin e barnave kanë qenë në dispozicion 5 milionë euro.

“Këtë vit kemi qenë keq me buxhet, kemi pasur shkurtime të jashtëzakonshme, për shembull për sigurimin e barnave vetëm 5 milionë, ndërkohë që rishikim të buxhetit duket se kemi vetëm 8 milionë më shumë por që prapë nuk mjaftojnë për ta përmbyllur vitin”, është shprehur Krasniqi.

23:33

Krasniqi pret që të shtohet numri i infermierëve, flet edhe për pakënaqësitë e specializantëve

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se në koordinim me Ministrin e Shëndetësisë, IKSHPK-në presin që numri i infermierëve të shtohet në ditët në vijim për shkak të frikës për rritjen e rasteve me COVID-19.

‘’Kanë qenë dy grupe të infermierëve të cilët janë angazhuar nga MSH-ja për COVID-19, dhe me gjasë nuk është gjetur buxhet i duhur për t’i vazhduar kontratat. Ne jemi në kontakt me MSH-në për paraqitjen e planit për resurse. Presim që të sigurohen mjete dhe të marrim një numër të caktuar infermierësh. Me këtë numër që kemi të infermierëve, e dimë që nuk do të mund t’ia dalim potencialisht nëse ka rritje të raste. Infermierët kanë bërë një punë kolosale gjatë pandemis. Nevoja për infermierë është imediate. Sa i përket numrit të mjekëve qëndrojmë më mirë. Ka disa lëmi ku kemi mangësi të resurseve njerëzore’’, deklaroi Krasniqi në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së.

Për ankesat e specializantëve rreth pagesës së kujdestarisë, Krasniqi theksoi se është mbajtur një takim edhe me përfaqësuesit e tyre dhe MSH-në, dhe janë dakorduar se ky problem ka ardhur si pasojë e mangësisë ligjore.

‘’Ne si SHSKUK i kemi bërë me dije se i mirëkuptojmë me kërkesat e tyre. Unë edhe para protestës së tyre e kam pritur përfaqësuesen dhe kemi diskutuar për kërkesat e tyre. Me iniciativën time kam thirrur një takim më të zgjeruar, ku pjesëmarrës kanë qenë edhe nga kabineti i MSH-së. Ne kemi diskutuar për një zgjidhje, jemi dakorduar për hapat e ardhshëm dhe jemi dakorduar që ky problem ka ardhur si pasojë e mangësisë ligjore. Specializantët kanë kontratë për specializim me MSH-në’’, u shpreh ai.

 

23:25

Krasniqi: Jemi përgatitur për valë të re me COVID-19, kemi mungesa të infermierëve

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se SHSKUK-ja është më e përgatitur për një valë të re të pandemisë me COVID-19.

Krasniqi ka thënë se i vetmi problem aktualisht është mungesa e punonjësve shëndetësorë, e veçanërisht e infermierëve.

“Gjatë gjithë kohës së pandemisë ne jemi ballafaquar si SHSKUK me tri sfida. Sfida e parë ka qenë, sigurimi i shtretërve shtesë për t’i trajtuar këta pacientë, sfida e dytë ka qenë resurset në njerëz pra profesionistët shëndetësor dhe sfida e tretë ka qenë sigurimi i barnave, materialit shpenzues mjekësor, oksigjenit dhe infrastruktura tjetër përcjellëse. Me përjashtim të kapaciteteve me njerëz që ende kemi nevojë për t’i shtuar, sidomos infermierë, me këto sfidat e tjera qëndrojmë shumë më mirë, kemi bërë investime strategjike dhe të targetuara pikërisht për të përballuar në mënyrën më të lehtë të mundshme ndonjë situatë që mund të paraqitet në muajt në vazhdim dhe tanimë kemi fituar edhe një eksperiencën për sa i përket mënyrës së trajtimit”, ka thënë Krasniqi në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka shtuar se kanë bërë investime serioze edhe sa i përket furnizimit me oksigjen, duke i vendosur rezervuarët e oksigjenit në të gjitha spitalet rajonale, ndërkohë që në Klinikën Infektive është rritur në 100 numri i shtretërve që mund të kyqen në oksigjen.

Pavarësisht përgatitjeve, Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mos dëmtohen edhe më tutje ekonomia dhe fushat e tjera të Kosovës, dhe të mos ndodh mbyllja e vendit sërish.

“Kemi bërë investime serioze edhe sa i përket përmirësimit të furnizimit me oksigjen, në të gjitha spitalet rajonale kemi vendosur rezervuarët e oksigjenit ndërkaq në Klinikën infektive në QKUK kemi rritur numrin e shtretërve në 100 që i kemi të kyqur në oksigjen dhe po ashtu kemi marrë masa që edhe sa i përket barnave dhe materialit mbrojtës për personelin shëndetësor të jemi sa më të përgatitur. Me gjithë këto përgatitje prapë se prapë mesazhi jonë është që të vaksinohemi. Nuk kemi nevojë që me mosvullnetin tonë për tu vaksinuar të shkaktojmë dëme edhe në ekonomi, edhe në sport, edhe në kulturë dhe pastaj edhe mbylljen e qytetarëve dhe të pësojnë edhe ata që vaksinohen”, është shprehur Krasniqi.

23:14

Krasniqi: Nuk ka mundësi që i vaksinuari të infektohet me COVID-19

Drejtori i Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që një person që ka marrë dy doza të vaksinës ‘’Pfizer’’ ose ‘’Astrazeneca’’ të infektohet me COVID-19.

Krasniqi thotë se dy vaksinat që janë të aplikuara në Kosovë janë të licencuara nga agjencitë kredibile.

‘’Besoj që tanimë e kanë kuptuar qytetarët se vaksinimi është mënyra më e mirë, më efikase për ta parandaluar infeksionin. Edhe ata që e kanë të paqartë, duhet t’i heqin këto kufizime. Kosova është ndër vendet e vetme në rajon që aplikon vetëm dy vaksina dhe që të dy vaksinat janë të licencuara nga agjencionet kredibile. Këto vaksina para se të futën në përdorim në masë të madhe, ka kaluar në shumë filtra. Ka shumë studime për efektivitetin dhe dobinë e vaksinës. Ka studime edhe për efektet anësore, ku benefitet nga vaksina janë më të mëdha. Këto vaksina nuk janë të gjalla dhe nuk ka mundësi që njeriut të infektohet pas vaksinimit. Nuk mund të ndodhë me këto dy vaksinat që i kemi në dispozicion’’, ka thënë Krasniqi në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së.

I pari i SHSKUK-së bëri thirrje që njerëzit të vaksinohen sa më shumë, pasi sipas tij, është mënyra më e mirë për t'u mbrojtur nga virusi.

‘’Ditëve të fundit kemi vërejtur një fluks më të madh të vaksinimit. Kemi parë një numër disa mijëra persona që vaksinohen brenda 24 orëve. Ky është një sinjal i mirë për të gjithë ne. Bëj thirrje nga këtu që njerëzit të vaksinohen sa më shumë, pasi kjo është mënyra më efikase për mbrojtjen nga virusi. Në ditët e vazhdim, ky numër duhet të rritet sa më shumë që të jetë e mundur. Duhet ta shfrytëzojmë këtë rast kur e kemi situatën kësisoj. Do të ishte më e lehtë ta kontrollojmë mundësinë e rritjes së rasteve të reja’’, theksoi Krasniqi.

Krasniqi shtoi tutje se numri i të hospitalizuarve në dy muajt e fundit nuk e ka kaluar numrin 100. Por duke parë gjendjen në botë me pandeminë, ai deklaroi se pritet shtimi i pacientëve të hospitalizuar.