Arbëri

Dhjetëra mijëra gjoba për “parkim të parregullt” nuk i lirojnë trotuaret

 

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti policia ka ndarë mbi 42.000 gjoba për shoferët apo pronarët e veturave që janë parkuar në vendet e rezervuara për këmbësorë. Qytetarët ankohen se policia më shumë është e përqendruar në qendër të qytetit, derisa periferinë e lë pas dore

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në nivel vendi janё dhënë 42.335 gjoba pёr shoferët që i kanë parkuar veturat e tyre në trotuare. Megjithëkëtë, qytetarët e kanë shpeshherë të pamundur të ecin lirshëm në trotuare. Ato vazhdojnë të jenë të bllokuara nga veturat, pronarët e të cilave shpesh shpëtojnë pa gjobë.

“Në bazë të nenit 93, paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor nr.05/L-088, Policia në rastet kur shoferi nuk është prezent, shfrytëzon të dhënat nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) për marrjen e masave ndaj pronarit të mjetit ku edhe njoftohet me formën për paraqitje obligative në stacionin e policisë/njësisë”, kanë bërë të ditur zyrtarët e Policisë së Kosovës nëpërmjet një përgjigjeje.