Arbëri

Dashuria e Beau Bidenit për Kosovën

 

“Është një nder i madh për ne që po e njihni trashëgiminë e djalit tonë, Beau. Beau e bënte me zemër punën e tij në Kosovë. Ai ra në dashuri me vendin tuaj”, ka thënë presidenti Biden, pasi homologia Vjosa Osmani e nderoi të birin e tij të ndjerë me Medaljen Presidenciale të Sundimit të Ligjit. Magjistralja Ferizaj-Gjilan mban emrin e djalit të zotit të Shtëpisë së Bardhë. Beau Biden shërbeu në Kosovë si trajnues i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Mezi është mbajtur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kur ka falënderuar popullin e Kosovës, pasi presidentja Vjosa Osmani e nderoi të birin e tij, Joseph Beau Biden III me medaljen presidenciale të sundimit të ligjit për kontributin e dhënë gjatë trajnimit të gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës.

“Faleminderit, presidentja Osmani. Unë jam këtu në sallën kryesore të Shtëpisë së Bardhë dhe me fëmijët e Beaut. Nipërit e mi, Natalie dhe Hunter, janë pikërisht atje, janë larg, por i kam në ekran dhe vetëm duam të themi se kjo është e pabesueshme. Dhe dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje”, është shprehur Biden në një video-mesazh të postuar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani.