8 perditesime
19:34

Avdyli e Hamza përplasen për Thaçin

Deputeti nga Lista Guxo, pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, deklaroi sot se dallimi në mes të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe presidentes Vjosa Osmani është se angazhimi i të parit ka qenë për të vënë në pazar tokat e Kosovës.

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të PDK-së rreth shpenzimeve të presidentes Osmani, Avdyli në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se paga e Osmanit është e njëjtë me atë që e ka pasur Thaçi.

“Një dallim substancial në mes të Hashim Thaçit dhe Vjosa Osmanit është që paga është e njëjtë, por angazhimi i Hashim Thaçit ka qenë për të vënë pazar tokat e Kosovës, duke krijuar dhe duke thënë që komunat veriore janë komuna të Rankoviqit edhe duke thënë që ne do ta bashkojmë Preshevën dhe Luginën dhe ajo ka qenë një përrallë. Ndërsa, Vjosa Osmani e ka pagën e njëjtë, por nuk i ka vendosur këto pazare të tokave të Kosovës”, tha Avdyli.

Ndaj tij ka reaguar nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha nuk mund të gjendet asnjë dokument që pohon fjalët e deputetit Avdyli.

“Zoti deputet, hajgare po flet ti edhe nuk je duke ia qëlluar hiç edhe sinqerisht sikur të isha në vendin tënd do të ndihesha keq. Po i përmend emrin e ish-presidentit i cili sot është në disa rrethana krejt tjera, për një punë dhe një aktivitet që nuk e ka bërë vetëm, po ka qenë kryesori apo ndër kryesorët dhe e ka bë me shumë të tjerë, i cili aktivitet na ka mundësuar që ne sot të jemi këtu deputetë. Nëse u përmend paga e presidentes, presidentja nuk ia cakton pagën vetes, por është ligji. Fol për këtë, por mos tërhiq paralele, mos hy në teori konspirative dhe mos fol pa fakte. Asnjëherë, po ta garantoj me jetë, asnjëherë, e them me përgjegjësi njerëzore se ti nuk ke pa, as nuk ke pasur mundësi ta shohësh asnjë dokument të cilit mund t’i referohesh. Jo, ndarja e Kosovës! Pallavra janë këto, andaj kur të flasësh për figurën e ish-presidentit Thaçi kuptoje që nuk mund ta ndërrosh historinë. Kuptoje që njerëz të caktuar të vegjël gjithmonë kanë dashur dhe dëshirojnë të rriten vetë duke e përmendur figurën e ish-presidentit Thaçi”, tha ai.

Deputeti Haxhi Avdyli ka insistuar se deklaratat e ish-presidentit të Kosovës kanë qenë publike.

“Unë nuk kam nevojë që të kem qasje në dokumentacionin e tij, sepse ato deklarata kanë qenë publike, kanë qenë në konferenca për shtyp, kanë qenë në statuset e tij në Facebook ku janë quajtur komunat e Rankoviqit, Leposaviqi dhe disa komuna të tjera dhe në të njëjtën kohë është përmend që ne do ta bashkojmë Preshevën, edhe atë duke folur nga ndonjë çajtore atje. Kështu që, nuk është e thënë që ne tash e kemi të ndaluar të mos flasim edhe për një realitet, derisa ju dhe deputetët e juaj merren me shpifje duke thënë që ka keqpërdorime të parasë publike”, tha ai./ksp

Seanca është mbyllur dhe do të vazhdojë nesër në orën 10:00.

18:35

Abdixhiku për raportin 100-ditësh të Qeverisë Kurti: I thatë dhe dëshpërues

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se raporti i punës për 100 ditët e para rë Qeverisë së Kosovës është i thatë, dëshpërues, por është i vërtetë sipas tij, pasi pasqyron qeverinë që ka marrë epitetin “qeveri praktikante dhe populiste”.

Abdixhiku tha se kjo qeveri e sheh si fakt që Kosova po lulëzon vetëm pse ata (zyrtarët e VV-së v.j.) janë tashmë në qeveri, pa bërë asgjë tjetër.

“Sot kemi para vetës një raport 100 ditësh që sikurse planin qeverisës i prezantuar po ashtu me vonesë është i thatë, është dëshpërues, por është i vërtetë. I vërtetë është, sepse e pasqyron saktë këtë qeveri që tashmë ka marrë epitetin qeveri praktikante dhe populiste. E dëgjuat kryeministrin, një ndër argumentet bazike të tij dhe të raportit 100 ditësh është ajo e performancës së përgjithshme politike, ekonomike, shoqërore, të politikës së jashtme. Kosova sipas tij po merr hov e po lulëzon gjithandej për shkak të disa faktorëve tjerë që nuk i dimë, por kryesori, thelbësori, më i rëndësishmi është vet fakti që këta janë në qeveri. Ky akt si fakt i të qenit në qeveri pa ndonjë masë, se për masa nuk po flitet, mjafton që Kosova të lulëzojë vetvetiu brenda dhe jashtë. Kështu këta e shohin vetën, një ndërrim karrige nga aty këtu dhe Kosova lulëzon, pa bërë asgjë tjetër”, tha ai.

Ai ka pasur kritika për krahasimin e ekonomisë për shtatë muajt e parë të vitit me ata të vitit të kaluar, kur vendi ishte i mbyllur për shkak të pandemisë. Sipas tij, po tentohet që pazotësia e kësaj qeverie të mbulohet me numra.

I pari i LDK-së tha se qeveria Kurti ka ndryshuar qëndrim edhe sa i përket reciprocitetit e dialogut me Serbinë.

“Për 100 ditë ndryshuat qëndrim në reciprocitet aq shumë sa që kauzën simbolike të bllokave të Serbisë e kapërcyet me lehtësi, ia hoqët tarifën ironikisht produktit të vetëm që e mbanit si simbolikë. Ndryshoni edhe në dialog, pa kushte, pa platformë, pa raportim, e injoroni këtë Kuvend e kështu edhe popullin me mos transparencë, sepse po mendoni nga aty ku jeni nuk keni me zbrite asnjëherë. Dialogun po e përdorni natyrisht për elektrizim të masave këtu, krenoheni çka i ke thënë Serbisë, e vërteta është se çka i thua Serbisë nuk është më punë e madhe këndej, këtë vend Serbisë i kanë bërë edhe rezistencë shoqërore edhe luftë të armatosur patriotët më të mëdhenj të vendit”, tha ai.

Abdixhiku ka kërkuar të dijë se çka është duke bërë qeveria që Kosovën ta nisni përfundimisht në rrugën e lëvizjes së lirë, në rrugën e NATO-s, BE-së e OKB-së.

Sa i përket punësimeve familjare, Abdixhiku tha se po tentohen të mbulohen duke iu referuar 20 viteve të kaluara.

“Kjo qeveri ka kapur me familjar bordin e Telekomit të Kosovës, bordin e Postës së Kosovës, bordin e Iber-Lepencit, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, Odën e Farmacistëve, Universitetin Isa Boletini, Universitetin Haxhi Zeka, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Kompaninë rajonale të ujësjellësit Prishtina, e plot trupa të tjerë. Tani çështja është kështu kur punëson motrën, nipin e dajën çfarë dallojnë nga kapësit e deritanishëm, cili është ndryshimi. Kur një anëtar i juaji vendoset drejtor i një ndërmarrje publike, gruan e vendos në departamentin e financave, kunatën në arkiv, e nipin në prokurim ku dalloni ju. Ka 15 vite që flisni me të drejtë që nepotizmi dhe korrupsioni janë probleme të mëdha të ndërmarrjeve publike dhe për 100 ditë i bëtë të gjitha gjërat që nuk duhet bërë. Kur jepni 28 tenderë një burimor nga 33 sosh, kur nënshkruani një kontratë korruptive, 5 euro për veturën për ta anuluar pastaj si rezultat i presionit publik, por jo si pasojë e një ndërgjegje të brendshme, ku dalloni ju”, tha ai.

17:18

Muja: Kosova shënoi rritje ekonomike mbi 5%

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka thënë se kontrolli i pandemisë i ka mundësuar Kosovës edhe suksese tjera pasi po regjistrohet rritje ekonomike reale mbi 5 për qind.

Kjo sipas tij, nuk është njëjtë në rajon.

"Kjo rritje është manifestuar më së miri tek të hyrat buxhetore. E di që opozita nuk është shumë e vëmendshme dhe nuk ka dëshirë ta dëgjojë. Por në kornizë afatmesme të kaluar kanë qenë të planifikuar të hyra buxhetore 900 milionë ndërsa në 6 mujorë është arritur afro 1 miliard", ka theksuar Muja.

E ka përmend edhe qarkullimin biznesor, duke thënë se është 30 për qind më i madh se sa vit paraprak dhe 17 për qind më shumë se sa në vitin 2019.

16:58

Kurti: Pandeminë si premtim bazë, e futëm nën kontroll të plotë

Kryeministri Albin Kurti ka numëruar dhjetëra e dhjetëra arritje të qeverisë që udhëheq, në seancën e thirrur nga opozita për 100 ditët e para pushtetit të ri.

Kuri ka thënë se zotimi kryesor ishte pandemia dhe sipas tij, kjo është futur nën kontroll të plotë.

Ai ka folur edhe për arritjen në ekonomi e fusha të tjera.

“Qeveria jonë që doli si rezultat i zgjedhjeve plebishitare të 14 shkurtit, në 3 muajt e parë ka marrë 144 vendime, ka kaluar projektligje e dokumente, duke zbatuar zotimet tona para qytetareve për një shtet të drejtë e zhvillimor. Me reformat në drejtësi, financa publike e ekonomi e rritëm efikasitetin në institucionet publike. Në ditën e betimit si qeveri, u zotuam se pandemia do të jetë prioritet i jonë për të ndalur trendin e rritjes së infektimeve dhe vdekjeve dhe për të siguruar sa më shpejtë vaksina kundër COVID-19. Në ditën e parë kishim 781 raste me infektime dhe 17 vdekje, pra ky është konteksti, kjo është gjendja. Unë besoj se çfarëdo matje që i bëhet qeverisë sonë, duhet të bëhet në raport me ditën kur e morëm detyrën. 100 ditë më vonë, kishin 9 raste të reja e asnjë vdekje. Në këto 100 ditë ka ndodhur diçka që të mos ndodhin kaq shumë infektime”, ka t hënë Kurti.

Sipas tij, situata është në kontroll dhe për këtë, tha ai, flasin edhe raportet ndërkombëtare.

“Situata është përmirësuar, kemi ulje prej 99 për qind të rasteve të reja, gjejeni një rast në rajon. Kemi ulje prej 97 për qind të rasteve aktive e 98 për qind të hospitalizimeve. Kosova në të kaluarën është përmendur në fund të listave për të mirë e në krye për të keq, e kundërta është me menaxhimin e mirë të pandemisë. Pandemia është menaxhuar, vaksinat janë siguruar dhe kemi përmbushur premtimin bazë. Kosova është vendi i vetëm që po përdor vaksina të licencuara, Pfizer e AstraZeneca. Pandemia është vënë nën kontroll dhe ekonomia është hapur pothuajse i tërësisht”, shtoi ai.

Kurti ka folur edhe për masat që ka marrë Qeveria për të ndihmuar ata që janë prekur nga pandemia apo edhe ata që e kanë luftuar atë.

“Vendimin për zbutje të masave e shoqëruam me një pako në shumë prej 20 milionë euro, për ata që janë në frontin e parë”, tha ai.

Ai foli edhe për ekonominë dhe sipas tij, çdo analizë duhet të bëhet me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet janë rritur 66 për qind, aktiviteti ekonomik 15 për qind , të hyrat buxhetore për 30 për qind. Në pesë mujorin e parë, Dogana ka deklaruar të hyra mbi 500 milionë, për herë të parë, ATK-ja ka deklaruar mbi 60 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kemi kaluar një Projektbuxhet, sipas të cilit projektohet rritje ekonomike prej 7.9 për qind në krahasim me 5.2 sa parashihej në fillim të vitit. Buxhetit do t’i shtohen 155 milionë më shumë se që paramendohej, ky nivel parashikohej të arrihej më 2023”, tha Kurti.

E kryeministri me një replikë Tahirit i ka thënë se shpeshherë ka marrë ankesa për fjalime me premisa historike dhe afatgjate dhe se kur e bënë fjalimin më manexharial dhe administrativ dhe politikave publike ankohen se nuk e them atë vizionin e madh politik të cilin e keni dëgjuar shumë herë.

"Unë herë ua them atë fjalimin me vizion politik afatgjatë herë këtë tjetrin, jo domosdoshmërisht të dyja. sa i përket ankesës tjetër pse nuk kemi realizuar për këto 100 ditë aq sa është dashur në zotimet tona për 4 vite", ka thënë Kurti.

Për Doganën ka thënë se kanë të hyra për 28 për qind më shumë, sepse njerëzit sipas tij, shpenzojmë në shumë kur kanë besim në institucione.

16:52

Lekaj: Nga 144 vendime të Qeverisë, shumica janë ngarkime e shkarkime bordesh

Edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se nga 144 vendimeve shumica janë për ngarkime dhe shkarkime të bordeve përmes të cilave ka thënë se kanë punësuar shumë partiakë të tyre dhe popullata nuk ka përfituar asgjë.

Ai ka thënë se ende nuk ka asnjë hap për zbatimin e planit për rimëkëmbje, përveç përkrahjes së gastronomëve.

"Kësaj Qeverie i ka mbet vetëm të mburret me buxhet dhe me rritje ekonomike, duke u krahasuar me vitin e kaluar si vitin më të keq dhe performancë më të ulët të shkaktuar nga pandemia", ka thënë ai.

Ka përmendur çështjen e dialogut, duke thënë se "po duan t'i thyejnë këmbët për ata dhe asnjëherë nuk po vinë të raportoni në Kuvend". "Keni mashtruar me shtresën më të dëmshme të shoqërisë sonë që janë familjet e të pagjeturve. Thoni se reciprociteti është çështja e parë dhe do të ishte çështje ditësh apo javësh. Tani keni heq dorë nga reciprociteti dhe po i bëni nderë tregtarëve serbë duke lehtësuar futjen e mallit në Kosovë", ka thënë Lekaj.

16:31

Zemaj: Qeveria po tregon paaftësi me retorikë boshe

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se kjo Qeveri ka treguar paaftësitë e saj në 100 ditëshin e parë.

Sipas tij, këtë e tregon edhe raporti i Qeverisë prej 51 faqesh që sipas tij, 27 faqe ka fotografi dhe terminologji të thatë dhe mbesin vetëm 12 gjysmë faqe dhe një deklaratë politike.

“Në këto fotografi mungon Goran Rakiqi, Emilja Rexhepi, Fitim Damka, zotëri Krasniqi dhe gjysma e ministrive që s'kanë pasur aktivitet. E gjithë substanca ka të bëjë me qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit, sidomos tek pjesa e ringjalljes ekonomike që janë terma janë ndarë por asnjëherë si janë shpërndarë" ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë se vendimet nuk janë arsyetuar dhe sipas tij, këto tregojnë se s'ka pasur efekt në jetën e qytetarëve.

Zemaj ka kërkuar të di se cilat marrëveshje janë anuluar që përmenden në raport, duke thënë se është hequr homologimi, por është shtuar tiketa ngjitëse.

"Në emër të asaj se po eliminohen marrëveshjet e dëmshme krijohen marrëveshje të ridëmshme me shumë më të vogël monetare, por që janë të efektshme të rritjen e xhepit individual të personave të caktuar. Ky tregues është edhe me tenderët një burimor që është parë tek kjo Ministri, që është thënë në raportet mediale", ka theksuar Zemaj.

16:20

Shala: Qeveria Kurti s’po e zbaton as minimumin e Ligjit për Trepçën

Deputeti Ferat Shala nga PDK-ja ka thënë se kjo Qeveri nuk ka përmbushur asnjë nga parimet që është paraparë në program.

"Keni sharë edhe fyer edhe mua pa asnjë fakt për një grusht votash. Do të mundohem të argumentojë disa fakte dhe shifra për mosveprimin e Qeverisë Kurti 1 dhe Kurti 2 në lidhje me Trepçën. Përveç vendimit që keni bërë për shkarkimin e Bordit dhe Menaxhmentit që është bord i përkohshëm, ky vendim ka bërë që Trepça të jetë në krizë të thellë me dhjetëra milionë borxhe të institucioneve publike, dhjetëra milionë borxhe të bizneseve private, me rrezikim të përmbarimit", ka thënë Shala.

Ai ka pohuar se Bordet e përkohshme dhe kjo Qeveri nuk po arrin që të zbatojë as minimumin e Ligjit për Trepçën.

"Sot punëtorët e Trepçës edhe pse janë aksionar nuk e dinë sa janë aksionet si menaxhohet, si janë ndarë, a kanë të drejtë t’i shesin apo çfarë me to. Asnjë nga këto pyetje as nuk ka marrë përgjigje e as nuk do të marrë, pasi fatkeqësisht ose nuk po din të punoni ose keni plane të errëta për Trepçën", ka thënë Shala.

16:13

Rrustemi mbron Qeverinë Kurti: Periudha e deritashme ishte për të ndalur të keqen

Deputeti nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i ka dalë në mbrojtje të Qeverisë Kurti, duke thënë se kjo periudhë ishte e mjaftueshme për të ndalë të keqën dhe për të kthyer kahjen drejt zhvillimit dhe drejtësisë.

"Vetëm gjatë kësaj periudhe, Qeveria Kurti ka marrë 144 vendime, ka kaluar 19 projektligje dhe ka nxjerr 4 koncept dokumente për reforma të thella në vend", ka theksuar ai.

Sipas tij, kthimi i besimit të qytetarëve në institucione nisi të japë efekte pozitive në secilën sferë.

"Kosova po merr fuqishëm formën e shtetit të së drejtës, i munguar dhe i dëshiruar me ngulm nga qytetarët e saj. Zhvillimi ekonomik po ia zë vendin dëshpërimit dhe zhgënjimit kolektiv të rrënjosur si pasojë e qeverisjeve të shkuara", ka theksuar Rrustemi.

Aktualisht po zhvillohet seancë për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti.

16:08

PDK-ja vlerëson se Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë nga ato që ka premtuar

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka vlerësuar me notë negative performancën e Qeverisë Kurti dhe të vetë kryeministrit në 100 ditët e para.

Ai, si nismëtar i seancës për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, ka thënë se duhet të merren për bazë premtimet e Albin Kurtit sa ishte në fushatë, pastaj ato që i shpalosi në ekspozenë e tij si kryeministër e në fund punën që ka bërë për këto ditë.

“Për të pasur këtë debat ne do të duhet të dimë se sa prej këtyre iniciativave janë realizuar. Kjo qeveri ka premtuar se do të ndërtojë 160 çerdhe, pra i bie që çdo 9 ditë të niset nga një çerdhe dhe çka kemi parë deri më tani është asgjë. Ka premtuar se do të ndajë nga 150 euro për familjet që kanë më pak se 5 mijë euro të ardhura vjetore, por çka ndodhi gjatë këtyre 100 ditëve, padyshim që jo, pra zero. E treta është se erdhi në pushtet se do ta jetësojë çështjen e sigurimeve shëndetësore, por deri tani asgjë nuk është bërë për të siguruar këtë. Pra premtuat ekonomi që ka më shumë prodhim, eksport, më shumë punëtorë, e kontrata pune. Çka ndodhi gjatë kësaj kohe, rreth 60 mijë që mbetën pa punë gjatë pandemisë mbetën pa përkrahje. Premtuan depolitizim të institucioneve. Këto 100 ditë pamë se si kjo qeveri është shndërruar në një ndërmarrje të fuqishme për punësime familjare. Premtuan vetting dhe në këto 100 ditë nuk pamë asgjë, jeni bllokuar në një koncept-dokument”, ka thënë Tahiri.