3 perditesime
13:06

Marrëveshja me Hungarinë, Murati: Kosova mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro

(Ekonomia Online) - Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligji për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar, ku vendi mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se janë bërë disa ndryshime në amandamentin e bashkëpunimit financiar të Qeverisë hungareze dhe asaj kosovare.

Ai ka thënë se shuma e kredisë që Hungaria ka ofruar për Kosovën është 62 milionë euro dhe është kërkuar që të zgjatet afati i kryerjes së pagesës.“Ka disa ndryshime që janë kërkuar nga ministria hungareze.

Dhe po e riprocedojmë edhe njëherë këtë amandament. Të gjithë hapat ligjor janë ndjekë për negocimin e Marrëveshjes. Bëhet fjalë për një kredi të butë që Qeveria Hungareze i ka ofruar Qeverisë së Kosovës. I vetmi ndryshim është që të zgjatet afati i pagimit të kredisë”, është shprehur Murati.

Nënkryetari i Komisonit, Mergim Lushtaku ka kërkuar informim më të madh për një amendament që ka kosto prej 62 milionë dhe ka pyetur se për çfarë shpenzime do të shfrytëzohen këto.Kurse, Murati ka thënë se kredia do të shpenzohet për projekte të cilat akoma nuk janë përcaktuar, por që mund të jenë si për impiante të ujit e për infrastrukturë.

“Sa i përket projekteve nuk janë përcaktuar por mbetet të përcaktohen më vone. Ka pas fjalë për projekte për impiante uji e infrastrukture”, është përgjigjur Murati.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se kjo marrëveshje ka disa paqartësi.Ndërsa, komisoni për Buxhet nuk e ka proceduar raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.

Nazim Rrahimi kryetar i Bordit të ARKEP-it, ka thënë se gjatë vitit 2020 buxheti i këtij institucioni ka qenë 1.6 milionë euro dhe se problematikë ka theksuar inkasimin e borxheve, veçuar këtu atë të Telekomit në vlerë prej 6.9 milionë euro.

“Buxheti i ARKEP-it për vitin 2020 ka qenë 1.6 milionë. Janë reduktuar shpenzimet kapitale. Buxheti është rishikuar dy herë radhazi. Përqindja e shpenzimit të buxhetit ka qenë në vlerën 97 për qind. Të hyrat vetanake kanë qenë rreth 4.2 milionë euro. Gjatë vitit 2020 ka pasur probleme në inkasonimin e disa borxheve si ato të Telekomit në vlerë prej 6.9 milionë”, është shprehur ai.

Ndërsa sfidë për këtë institucion sipas Rrahimit mbetet mungesa e stafit dhe pagat e ulta.“Konsiderojmë që kemi disa sfida si numër i vogël i punëtorëve profesionist ku kemi staf të vogël prej 34 zyrtarëve. Është kërkesë imediate që të shtohet ky numër në mënyrë që menaxhimi i institucionit të jetë më efikas. Sfidë është edhe çështja e pagës”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka treguar se nga Zyra e Auditimit nuk ka pasur asnjë gjetje dhe se pasqyrat financiare prezantohen të drejta dhe të vërteta.Ndërsa, kryetari i komisionit, Armend Muja ka thënë se është e papranueshme që institucionit publik t’i ketë borxh institucionit tjetër publik si rasti i RTK-së ndaj ARKEP-it.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se është shqetësuese niveli i lartë i mosinkasimit të të hyrave.Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka pyetur se si do t’u qasen atyre që kanë borxhe ndaj tyre si ai i Telekomit.

“Telekomi është në krizën më të madhe të mundshme. Ose Qeveria duhet të kryem këto borxhe ose ju do të shkoni drejt falimentimit”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i sapo emëruar i Bordit të ARKEP-it, Rrahimi ka thënë se kanë 10 milionë euro borxh të akulumuar.

12:48

ARKEP-i ngre shqetësime për borxhet e Telekomit dhe RTK-së

Drejtori i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi ka thënë se situata me pandeminë Covid-19 ka ndikuar në planifikimin e të hyrave në këtë institucion.

Ai duke raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ngriti shqetësimin edhe me grumbullimin e borxheve nga Telekomi dhe Radio Televizioni i Kosovës. Derisa, tha se në bazë të takimeve që ka pasur, operatori “IPKO” nuk do të shitet të paktën në tri vitet e ardhshme.

Rahimi thotë se rrezikohet falimentimi i Telekomit, nëse borxhi i kësaj të fundit dërgohet tek përmbaruesi.

Për këtë arsye, ai kërkoi mbështetje edhe nga Qeveria për gjetjen e një zgjidhje.

“Borxhi 10 milionë euro nuk mund të paguhet menjëherë sepse është vlera e lartë, por një këst mund të paguhet dhe duhet të gjendet zgjidhja edhe nga ministritë e linjës”, tha ai.

Shqetësim të njëjtë ngritën edhe anëtarët e komisionit për buxhet.

I pyetur nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti për shitjen e IPKO-s, Rahimi tha se i është konfirmuar se nuk do të shitet e njëjta.

“Neve si institucion na kanë konfirmuar se IPKO nuk do të shitet, të paktën në tri vitet e ardhshme”, tha ai./KSP

11:17

S’miratohen një varg raportesh të institucioneve që mbikëqyren nga Kuvendi i Kosovës

(Kosovapress) - Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka miratuar një varg raportesh të institucioneve të pavarura që mbikëqyren nga Kuvendi i Kosovës.

Komisioni nuk miratoi raportin vjetor financiar të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020, raportin vjetor Financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2020, raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2020, raportin vjetor financiar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe raportin vjetor financiar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Komisioni po vazhdon punimet, me pikat tjera të rendit të ditës, ku Sekretari i Kuvendit po raporton për raportin e shpenzimeve për gjashtëmujorin e viti 2021, Kuvendi i Kosovës.

11:09

Kuvendi i Kosovës për 6 muaj shpenzoi mbi 3 milionë euro

Kuvendi i Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka shpenzuar mbi 3 milionë euro.

Kjo u bë e ditur në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku u miratua raporti i shpenzimeve për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi tha se për paga dhe mëditje janë shpenzuar 100 për qind e mjeteve, ndërsa për mallra dhe shpenzime 37 për qind.

Komisioni po vazhdon punimet, ku po raporton drejtori i ARKEP për raportin e punës për vitin 2020.