4 perditesime
20:58

Votohet Kryesia e re e PDK-së, Vlora Çitaku nënkryetare e parë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë, se është votuar Kryesia e re e PDK-së, me 27 anëtarë.

Krasniqi ka thënë se nga këta 27 anëtarë, 10 ose 11 janë persona që nuk kanë qenë në të kaluarën në kryesi të partisë.

“Falënderoj të gjithë dhe shpreh bindjen dhe vullnetin tim se kemi një ekip të jashtëzakonshëm. Jam i nderuar për të gjithë njerëzit që kanë pranuar t’i bashkohen PDK-së në këtë fazë. Rikthimi i PDK-së për të marrë besimin e qytetarëve fillon sot dhe unë kam një ekip të cilit i besoj. Në ditët në vijim do t'i shihni aktivitetet që na presin, nesër do të mbledh kryesinë për mbledhjen e parë konstituive, dhe për të vazhduar me vendime të rëndësishme që na presin si kryesi dhe për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, ka thënë Krasniqi.

Ai e ka mohuar se ka pasur kundërshtime të ashpra në mbledhjen e Këshillit Drejtues në lidhje me përzgjedhjen e anëtarë të rinj të Kryesisë.

“Këshilli Drejtues është i madh, ka 150 anëtarë e më shumë, dhe është normale që të ketë edhe mendime të tjera. Këta 27 që janë përfaqësues, të cilët do ta qojnë PDK-në tutje, 16 vota ishin kundër, tri abstenime por absolutisht nuk ka pasur tensione, nuk ka pasur asnjë lloj kontestimi për listën. Mbështetja ishte e jashtëzakonshme dhe ky unitet që gjithmonë është duke u dëshmuar në kohën kur ne kemi sfida, për mua është inspirim për të vazhduar punën”, është shprehur Krasniqi.

I pari i PDK-së i ka lexuar edhe emrat e anëtarëve të rinj të kryesisë që janë: nënkryetarë Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Uran Ismaili e Ramë Buja. Sekretari i përgjithshëm sipas Krasniqit, është Bajrush Xhemajli.

Ndërkaq, anëtarë janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Qollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaci-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj ndërkaq Donjet Bislimi është kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës.

18:58

Vlora Çitaku, numri dy në PDK - lista e propozuar për Kryesinë e re

Partia Demokratike e Kosovës është duke mbajtur Këshillin Drejtues për formimin e strukturave udhëheqëse të partisë, pas zgjedhjeve të brendshme.

Emrat janë propozuar nga kryetari Memli Krasniqi për Këshillin Drejtues.

Në bazë të kësaj liste, PDK-ja do të ketë katër nënkryetarë: Vlora Çitakun, Enver Hoxhaj, Uran Ismaili dhe Ramë Buja. Sekretari i përgjithshëm pritet të jetë, Bajrush Xhemajli. Ndërsa risi pritet të ketë te Kryesia, ku ndër emrat e rinj janë Bernard Nikaj, Donika Shahini Adri Nurllerari dhe Rashi Qalaj.

Çitaku për shume vite ishte anëtare e PDK-së para se të tërhiqej për të marrë postin e ambasadorës në Uashington.

Ndërkohë anëtarë të propozuar janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Qollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaci-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj ndërkaq Donjet Bislimi aktualisht është krytar i Rinisë Demokratike të Kosovës.

Mbledhja e Këshillit Drejtues po vazhdon, ndërsa pas përfundimit kryetari Memli Krasniqi pritet të mbajë konferencë për media. 

17:03

Nis mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së

Ka filluar mbledhja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës me 50 minuta vonesë.

Aty pritet të formohet Kryesia e re e partisë, pas zgjedhjeve të brendshme që u mbajtën muajin e kaluar.

Ndërkohë, zyra për medie e PDK-së ka bërë të ditur se pas përfundimit të mbledhjes, rreth orës 18:30 do të mbajë konferencë për medie, kryetari Memli Krasniqi.

Mbledhja po zhvillohet pa praninë e mediave.

Image
13:34

Lladrovci: Uroj që në PDK të emërohet kryesi uniteti

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se uron që në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të PDK-së të emërohet një kryesi uniteti.

PDK-ja sot pritet ta zgjedhë kryesinë e re.

“Nga mbledhja e sotme e Këshillit Drejtues të PDK-së dhe nga kryetari Memli Krasniqi, pres më të mirën që mund të prodhojë partia që në ADN të saj e ka UÇK-në, shtetformimin dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Uroj të zhvillohen punime të mbara të KD-së dhe të emërojë kryesi të unitetit, të përkushtimit dhe vijimit të rrugës së themeluesve të saj të prirë nga Hashim Thaçi me shokë, mbi përkushtimin dhe kontributin e anëtarëve të saj që nga okupimi, gjatë luftës çlirimtare dhe pas çlirimit të vendit. Gjithsesi, pres nga Kryesia e re të jetë gjithëpërfshirëse, largpamëse dhe e qëndrueshme përball sfidave. Energjia pozitive e PDK-së do sa më parë të vihet në veprim, për të rikonfirmuar vlerat e saj, vizionin dhe rrugën euro-atlantike. Në këtë ditë të rëndësishme për PDK-në, uroj që të dëshmohet uniteti i domosdoshëm për të avancuar vlerat të cilat i riafirmoi brenda të gjitha niveleve të organizimit partiak, ish lideri ynë, Kadri Veseli. Mbledhjes i uroj punë të mbarë dhe suksese ashtu si Këshillit Drejtues, Kryesisë së re dhe kryetarit Memli Krasniqi”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

09:59

PDK-ja zgjedh sot Kryesinë e re

Partia Demokratike e Kosovës do të mbledh sot Këshillin Drejtues për të zgjedhur përbërjen e re të Kryesisë së kësaj partie.

Siç bëjnë të ditur burime të KOHËS, sot pritet të zgjedhën edhe nënkryetarët dhe sekretari i PDK-së.

PDK-ja së fundi ka zgjedhur kryetarin e partisë, Memli Krasniqi, pasi që prej shkuarjes së ish-kryetarit Kadri Veseli në Gjykatën Speciale, ushtrues detyre ishte Enver Hoxhaj.