5 perditesime
23:50

Sallahu për rastet në Arbitrazh: Kosovës i kërkohen 191 milionë euro nga Fox Marble

Zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka treguar se Kosova po kërcënohet nga disa padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit e më seriozja është ajo e kompanisë Fox Marble, në lidhje më një gurthyes.

Sallahu në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se kjo kompani po kërkon nga Kosova kompensim në vlerë prej 191 milionë euro.

“Ata kanë bërë padi kundër Kosovës për një rast mosbartjes së aksioneve nga ARBK-ja, i kanë kërkuar diku 191 milionë euro kompensim. Kemi kontraktuar një firmë për mbrojtjen e Kosovës edhe mbi bazën e kësaj po vazhdojmë mbrojtjen në Arbitrazh”, ka thënë ai.

Sallahu ka treguar se i njëjti rast është dërguar edhe në Gjykatën Speciale në Kosovë, por që deri më tash nuk është ndërmarrë asnjë hap.

“Është dërguar edhe në Speciale. Aty me sa di janë të përfshirë edhe vëllezërit Rrustemaj, sepse njëri ka qenë drejtor ku ka blerë aksione. Ka një far lloj problematike që ka ndodhur me barten e aksioneve. Para se me u bart aksionet ka thënë që unë jam i kërcënuar dhe mbi bazën e kësaj është dërguar në Prokurori. Prokuroria ende s’ka marrë asnjë veprim, në të njëjtën kohë procedura po zhvillohet në Arbitrazh. Kemi edhe raste të tjera në Arbitrazh”, ka thënë Sallahu.

23:34

Sallahu shpalos përmbajtjen e Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë

Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë, ka shpalosur përmbajtjen e Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Sallahu thotë se drafti i parë i këtij Projektligji veçse është konsoliduar e më pas ai do t’i dërgohet ekspertëve ndërkombëtar për t’u filtruar, para se të përfundojë në Kuvendin e Kosovës.

‘’E kemi draftin e parë të këtij projektligji. Jemi duke punuar një ekip të shkëlqyeshëm, me gjyqtarë e ekspert. Drafti i parë është konsoliduar dhe përmban 50 nene. Shumë shpejt do të fillojë procedura për t’ia nisur pesë ekspertëve ndërkombëtar dhe ata do të punojnë ende për filtrimin e këtij drafti. Pastaj shkojmë te grupi i gjerë punues, e më pas në Kuvend dhe kështu merr fund krimi e korrupsioni në këtë vend’’, deklaroi ai.

Sallahu ndërkohë shton se do të ketë mekanizma për mbikqyrje të kësaj Agjencie.

‘’Gjykata vendos për justifikim apo mos-justifikim të pasurisë, do të ketë mekanizma për mbikëqyrje të kësaj agjencie. E mira është që pasuria e vjedhur do t’i takojë qytetarëve. Kështu bëhet shteti i së drejtës. Nuk e kemi ndërmend me u ndal. Deri në frymën e fundit të jetës sime, do të punoj për sundim të ligjit’’, shtoi zëvendësministri i Drejtësisë.

23:32

Sallahu: Përgjimet po na motivojnë për ta bërë sa më shpejt vetingun

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se përgjimet e publikuara së fundmi e të cilat inkriminojnë disa prej figurave kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë, do ta shtyjnë Qeverinë që të punojë seriozisht për të bërë sa më shpejtë vetingun.

Sallahu mendon se brenda vitit 2022 ose më së largu viti 2023, do të krijohet infrastruktura ligjore për të nisur vetingun.

“Jemi duke punuar shumë në një rast i cili vetë koncepti i vetingut i ka disa elemente që don angazhim shtesë dhe analizë shtesë. Puna jonë ka qenë jashtëzakonisht e ngutshme por edhe e kujdesshme. Ai koncet-dokument përmban elemente shumë të rëndësishme se si duhet të bëhet vetingu ndaj sistemit të drejtësisë. Jemi të pandalshëm sepse krimi është i pandalshëm. Besoj që më shpejt se që mendoj. Mendoj që vitin e ardhshëm, pra në 2022 ose 2023 do të bëhet krejt infrastruktura ligjore për të nisur vetingu. Këto përgjime, këto skandale brenda sistemit të drejtësisë na kanë shtuar motivin dhe argumentet për të punuar seriozisht për të bërë një veting i cili e filtron këtë sistem i cili prej vitesh është i anshëm, i kriminalizuar dhe ka probleme në funksionimin e tij”, ka thënë Sallahu në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, ekzistojnë dy modele për të nisur vetingun.

“Këtu janë dy modele, njëri është me bazën ligjore dhe një me bazën kushtetuese. Do të shkojmë me modelin e parë fillimisht të shohim a kemi konsensus politik të përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës nëse kemi shkojmë, nëse kemi shkojmë me ndryshime kushtetuese, nëse jo shkojmë me bazën ligjore”, është shprehur Sallahu.

23:28

Sallahu: Problemi i gjyqtarëve e prokurorëve është anësia, kërcënimi e shantazhi

Zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, thotë se politika, duke iu referuar ministrisë e qeverisë ku bën pjesë, nuk ndërhyn në punën as të prokurorëve e as të gjyqtarëve.

Ai në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se gjyqtarët e prokurorët kanë një problem tjetër.

“Ne as nuk intereferojme në punë e prokurorit, as të gjyqtarëve as të këshillave gjyqësore e prokuroriale. Gjithçka është e rregulluar me ligje e Kushtetutë. Problemi i tyre është mospuna, anësia e tyre, shantazhet e kërcënimet. Gjitha këto i reflekton edhe ky përgjim”, ka thënë Sallahu, duke iu referuar përgjimit që doli në shesh u ku protagonistë ishin edhe gjyqtarët e prokurorët.

Sipas tij, ky sistem duhet të çlirohet në një formë ose tjetër

“Vettingu s’ka alternative”, shtoi ai.

23:19

Sallahu: Nuk u diskreditua sistemi i drejtësisë, personat të marrin përgjegjësi për veprat e tyre

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se, pas përgjimeve të publikuara ku kompromentohet disa nga figurat kryesore të drejtësisë, nuk është diskredituar i gjithë sistemi i drejtësisë.

Sipas Sallahut, emrat e përmendur në këto përgjime duhet të japin përgjegjësi për veprat e tyre.

‘’Duhet të dihet një gjë që ky sistem i drejtësisë është i kapur, e kemi thënë edhe sa kemi qenë në opozitë. Me këto përgjime një gjë e tillë është faktuar. Qytetari thotë se nuk ka besim në këtë sistem, sepse janë të përfshirë disa nga Këshilli Prokurorial, nga sistemi gjyqësor. Duhen ndryshime, duhet të funksionojë ligji. Nuk e kanë diskretu sistemin e drejtësisë, por veten. Ata duhet të japin përgjegjësi’’, ka thënë Sallahu,

Ky i fundit shtoi se një situatë e tillë nuk është duke u shfrytëzuar nga partia në pushtet.

‘’Në asnjë variant nuk shfrytëzojmë raste të tilla. Me këto përgjime duhet të merren institucionet e drejtësisë, me emrat që janë përmendur. Kjo do të thotë sundim i ligjit. Sistemi i drejtësisë duhet të vendos për anëtarët e vet’’, deklaroi ai.

23:17

Sallahu: Përgjimet kanë cenuar sistemin e drejtësisë

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka arsyetuar reagimin e ashpër të ministrisë ndaj shoqërisë civile e mediave, lidhur me audioincizimet e publikuara nga një portal e të cilat inkriminojnë disa prej figurave kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Sallahu ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se MD-ja kishte pritur prej shoqërisë civile dhe mediave që t’i analizonin më mirë përgjimet e publikuara.

“Prej shoqërisë civile dhe mediave kemi pritur që këto publikime të analizohen dhe të komentohen pak më shumë sepse bëhet fjalë për krerët e sistemit të drejtësisë. Shoqëria civile dhe mediat e tjera nuk e kanë publikuar. Kanë publikuar shumë pak, pra ka mbetur e mbyllur. Shoqëria civile duhet edhe të kritikojë edhe të lavdërojë kur ka punë të mirë ose të keqe, varësisht nga puna që bëhet në Prokurorinë e Shtetit. Ka ndodhur një gjë e keqe, një gjë që ka cenuar integritetin institucional të sistemit të Prokurorisë dhe gjyqësisë. Duhet të ketë zë kritik ndaj punëve që cenojnë integritetin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Sallahu.

Ai ka thënë se ministrja Haxhiu në konferencën për media të mërkurën ka kërkuar që shoqëria civile të ushtrojë funksionin e saj duke kritikuar një të keqe që ka ndodhur brenda sistemit të drejtësisë.

“Nuk ka çka të çuditemi këtu. E keqja ka ndodhur, sistemi i drejtësisë është cenuar. Nuk ka qartësi më të madhe sesa ato përgjimet, janë të involvuar njerëzit kryesorë të sistemit të drejtësisë”, është shprehur Sallahu.