3 perditesime
23:19

Sveçla për aktakuzën e ngritur ndaj tij: Nuk kam pasur njohuri

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk ka pasur njohuri se ka aktakuzë ndaj tij.

Sveçla akuzohet për pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.

“Nuk kam qenë në njohuri. Unë kam qenë i arrestuar disa herë, kjo është botërisht e ditur. Nuk kam qenë në dijeni se ka proces aktiv, duke qenë se janë tetë vjet nga ajo ngjarje. Prapë po them aktivitetet kanë qenë publike dhe sikurse shumica absolute e aktivistëve të Vetëvendosjes edhe unë jam i bindur se kemi pasur të drejtë të qëndrojmë pas këtyre aktiviteteve. Absolutisht, koha ka mbrojtur këto aktivitete. Përvojat tona, realiteti i sotëm, i jep të drejtë, rilegjitimon këto aktivitete të Vetëvendosjes”, ka thënë Sveçla në Interaktiv të KTV-së.

23:15

Sveçla komenton deklaratat e kryebashkiakut të Kukësit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për shkuarjen në Kukës të Shqipërisë për shkak të situatës me zjarre.

Ai ka thënë se me të shkuar atje kanë vepruar në pajtim me kërkesat e autoriteteve të Shqipërisë.

Sveçla ka shtuar se mbrëmë as zjarrfikësit e Kosovës e as ata të Shqipërisë nuk kanë mundur të veprojnë në shkrepat dhe greminat e asaj zone për shkak të rrezikut për jetë të zjarrfikësve dhe ushtarëve.

Ai ka thënë se lëvdata kanë marrë edhe nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici.

“Ne që në momentin e parë jemi takuar me kryebashkiakun e Kukësit, ne kemi qenë në kontakt me krerët kryesorë dhe kemi vepruar në koordinim me autoritetet e Shqipërisë. Kryebashkiaku i Kukësit ka dhënë fjalë miradie për punën tonë”, ka thënë ai.

23:10

Muajin e ardhshëm nënshkruhet marrëveshja Kosovë – Kroaci për ndihmë të ndërsjellë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në Interaktiv të KTV-së, ka njoftuar se duke marrë parasysh ndodhitë e fundit, shihet nevoja për marrëveshje me shtete për ndihmë reciproke.

Ai ka thënë se siç është ndihmuar Shqipëria në ditët e fundit, Kosova ka marrëveshje të ngjashme edhe me Maqedoninë e Veriut, ndërsa muajin e ardhshëm pritet ta nënshkruajë me Kroacinë.

“Lind nevoja për marrëveshje me shtete e organizime të ndryshme për ndihmë reciproke. Në kuptimin siç ishim dhe ndihmuam Shqipërinë në ditën e fundit, kemi marrëveshje edhe me Maqedoninë për këtë. Këso lloj marrëveshje me angazhime konkrete do të kemi edhe me shumicën e vendeve apo aleatëve tanë, që kur të kemi nevojë ata të na ndihmojnë, kur ata të kenë nevojë ne t’i ndihmojmë. Kjo ndodh pasi asnjë vend nuk do të mund të krijojë shërbime me kapacitete të plota për 365 ditë të vitit, kur herë ke situatë më të rënduar e herë më të qetë”, ka thënë Sveçla.

23:00

Sveçla: Kosova ka mungesa në repartin e intervenimit emergjent

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se për disa ditë janë duke u ballafaquar me një numër të madh të zjarreve.

Ai ka thënë se në rajonin e Prishtinës ka pasur 68 vatra të zjarreve, në rajonin e Prizrenit 105 vatra, në Mitrovicë 17 vatra, Pejë 39 vatra, Gjilan 106 vatra dhe sipas tij, të gjitha këto vatra tashmë janë nën kontroll.

“Të gjithë kjo nuk do të ishte bërë pa ndihmën e brigadave të zjarrfikësve, KFOR-it e akterëve tjerë. Pëvec këtij organizimi kemi pas nevojë edhe për qytetarët”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kanë trashëguar një situatë jo të pëlqyeshme sa i përket zjarrfikësve.

Sveçla ka thënë se kanë mungesë të pajisjeve, të numrit të zjarrfikësve, moshën e shtyrë, prandaj thotë se me të drejtë zjarrfikësit janë të pakënaqur.

Ai ka pohuar se është një situatë e vështirë, por shton se si e tillë është e përballueshme.

“Neve kjo na bënë të mendojmë për këtë shërbim, sidomos duke marrë parasysh ndodhitë e fundit. Ngrohja globale nuk është më konspiracion. Ne duhet të investojmë në shërbimet e emergjencës. Unë ende nuk po mund ta kuptoj logjikën e vendimeve që e rregullojnë këtë fushë. Shumë prej kërkesave të zjarrfikësve janë të drejta dhe të realizueshme. Unë jam i bindur se cila është e ardhmja e këtij shërbimi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se menaxhimi i zjarrfikësve do të jetë i centralizuar.