3 perditesime
23:04

OSBE-ja e gatshme të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut

OSBE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje për zbatimin e marrëveshjeve që mund të dalin nga dialogu i Brukselit, ka thënë në një intervistë për KOHËN shefi i këtij misioni, Michael Davenport. Si histori suksesi në këtë fushë ka përmendur zbatimin e marrëveshjes për drejtësi në komunat veriore, mbajtjen e zgjedhjeve lokale si dhe integrimin e policisë.

“Misioni në të kaluarën ka pasur përfshirje aktive në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu. Përmenda zgjedhjet dhe gjyqësorin, shumë marrëveshje e rëndësishme në drejtësi, e cila është implementuar plotësisht dhe roli i misionit të OSBE-së i vazhdueshëm ka qenë në trajnimin e gjyqtarëve. Kështu që ne jemi të gatshëm, nuk e dimë se çfarë marrëveshjesh do të arrihen më tej, por gjithashtu ne jemi të gatshëm nëse na kërkohet mbështetje për zbatimin e marrëveshjeve të ardhshme”, ka thënë ai.

Davenport ka thënë se pala kosovare dhe serbe duhet të diskutojnë dhe të pajtohen mes vete lidhur me çështjet prioritare në dialog. Rikthimin në tryezën e negociatave të të dyja shteteve, ai e quajti fakt të mirë.

“U takon palëve që të vendosin bashkë me lehtësuesit e dialogut- Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se ku duhet të shkojë ky proces. OSBE-ja dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë kanë histori të ofrimit të mbështetjes në dialog, sigurimit të mbështetjes në zbatimin e asaj çka është arritur në dialog. Kjo na është kërkuar. Për shembull, sa u përket zgjedhjeve apo integrimit të gjyqësorit dhe policisë po ashtu. Kështu që ne jemi të gatshëm të sigurojmë mbështetje në të ardhmen po ashtu. Por kjo do të varet se si dialogu aktual do të shtyhet përpara dhe cili do të jetë epilogu”, ka thënë shefi i OSBE-së.

23:02

Davenport thotë se ekzistojnë pengesa në zbatimin e legjislacionit për komunitetet joshumicë

Kosova ka shënuar përparim në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë përballë standardeve dhe rekomandimeve të vendosura nga Këshilli i Evropës, ka thënë shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport. Por, ka shtuar se ekzistojnë edhe pengesa në zbatimin e legjislacionit.

Sipas tij, ndonjëherë ka probleme në zbatim të legjislacionit në fusha si, “e drejta e përdorimit të gjuhëve të komuniteteve joshumicë, qasje në edukim të duhur në gjuhët e komuniteteve”.

Davenport ka thënë se themel i shtetit demokratik është respektimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë, të drejtave të grave dhe grupeve të tjera të cenueshme, përfshirë dhe fëmijët.

U shpreh se në Kosovë ka gjetur përkushtim në trajtimin e dhunës në familje.

“Kam qenë i lumtur me përkushtimin që gjeta për këtë periudhë të shkurtër sa jam në Kosovë, shumë përkushtim nga të gjitha nivelet- prej presidentes, kryeministrit deri te niveli komunal për ta trajtuar në mënyrë efektive një problem shumë të madh të dhunës në familje. Si mision jemi të angazhuar me koordinatorët ndërkombëtarë për ta luftuar dhunën në familje. Kosova ka një përparësi të madhe me përfshirjen e konventave të Këshillit të Evropës në legjislacionin e brendshëm- në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Misioni është i angazhuar ngushtë me Qeverinë në zbatimin e atij legjislacioni”, ka thënë Davenport.

22:58

Shefi i OSBE-së: Vendimi i Kushtetueses për tokën rreth Manastirit të Deçanit duhet të zbatohet

Shefi i OSBE-së, Michael Davenport, e konsideron të rëndësishëm implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kalimin mbi 20 hektarëve Manastirit të Deçanit.

Në një intervistë në Interaktiv të KOHËS, Davenport ka thënë se e kupton që situata rreth Manastirit është e ndërlikuar dhe se interesat e Komunës po ashtu duhet të merren parasysh. Por, shtoi se, vendimet e Kushtetueses duhet të zbatohen.

“OSBE-ja ka mandat që shtrihet përgjatë sferës publike, të sigurisë dhe demokratizimit, por gjithashtu shumë thelbësor edhe sundimi i ligjit. Dhe nëse ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi sipas pikëpamjes sonë që ai rregull duhet të zbatohet. Natyrisht, unë e njoh, ne e njohim situatën rreth Manastirit dhe Komunës që është e ndërlikuar. Është gjithashtu me rëndësi që interesat e Komunës dhe komunitetit lokal të merren parasysh. Por në fund të ditës vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen”, ka thënë Davenport.

22:54

Davenport: Kosova ka shënuar përparim të madh në lirinë e mediave

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, ka thënë se Kosova ka shënuar përparim të madh sa i përket lirisë së mediave në rrugëtimin përgjatë dy dekadave të kaluara.

Ai ka folur edhe për problemin me lajmet e rreme e për të cilat tha se janë problem gjithkund, ashtu si edhe në Kosovë. Shtoi se e rëndësishme është të informohen qytetarët për ta bërë dallimin mes lajmit të rremë dhe atij të vërtetë.

“Folët për lajmet e rreme. Ky problem është gjithkund. Është problem në Kosovë po ashtu. Dhe mendoj se një nga gjërat me rëndësi është përqendrimi në zhvillimin e mediave. Me fjalë të tjera, për t’i bërë qytetarët më të vetëdijshëm se si të bëhet dallimi ndërmjet lajmit të rremë dhe atij që është lajm i vërtetë. Kjo është diçka për të cilën jam i kënaqur ta them se misioni i OSBE-së fokusohet goxha shumë. Është aktuale të them se për momentin një nga partnerët kryesorë në këtë iniciativë ka qenë “DokuFesti”, gjithashtu edhe Universiteti i Prishtinës. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është shtrirja nëpër shkolla, sepse qytetarët e rinj janë ndoshta në të njëjtën kohë të gatshëm të absorbojnë se çka do të thotë zhvillimi medial, por gjithashtu njerëzit më të vullnetshëm se shumë njerëz të tjerë për të luftuar lajmet e rreme”, ka thënë ai në Interaktiv të KOHËS.