10 perditesime
13:14

Nuk miratohen dy raporte tjera vjetore, Kuvendi shkon në pushim veror

Me 57 vota kundër, shtatë abstenime dhe asnjë për, nuk është miratuar raporti vjetor i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2020 nga Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu nuk është miratuar edhe raporti vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit për vitin 2020. Me 55 vota kundër e gjashtë abstenime Kuvendi nuk ka miratuar këtë raport.

Ndërkohë nuk ka pasur kuorum sa i përket shqyrtimit të raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale për vitin 2020. Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë ka rekomanduar mos të miratohet raporti. Në votim morën pjesë vetëm 56 deputetë, kështu nuk pati kuorum për të kaluar këtë pikë.

“Rreth kritereve për evidentim të lapidareve e monumenteve, kemi kërkuar nga drejtori dokument të qartë. Është përgjigjur që kriteret paraqiten me dokument për shpallje tenderi. Por dokument nuk ka pasur. Janë arsyetuar se çdo objekt ku figuron stema e UÇK-së, çdo objekt pavarësisht se kush e ka vendosur stemën e UÇK-së të evidentohet si objekt që duhet përkujdesur apo edhe investuar. Udhëheqësi i Agjencisë po ashtu kishte një përgjigje tjetër interesante se Agjencia ka dy lloj baze të dhënave, një për publikun e një për konsum të brendshëm. I pyetur pse për publikun është me më pak informata, ka thënë se nuk kanë dashur të ngarkojnë faqen”, ka thënë kryetarja e Komisionit, Fitore Pacolli Dalipi e Vetëvendosjes.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, Lista Serbe ka propozuar ta zëvendësojë një anëtar në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike. Ka rekomanduar zëvendësimin e Jasmina Dediqit me Adem Hoxhën. Me 62 vota për është pranuar ky rekomandim.

Pas përfundimit të votimeve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se me seancën e sotme është mbyllur sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës dhe se Kuvendi shkon zyrtarisht në pushim deri në sesionin vjeshtor.

E ushtruesja e detyrës së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila ka falënderuar gjithë deputetët për pjesëmarrjen gjatë sesionit pranveror. Përfshirë edhe deputetët e opozitës.

“Kemi treguar që demokracia funksionon e deputetët punojnë e angazhohen”, ka thënë ajo.

12:47

Nuk miratohet raporti vjetor i KPMSHC-së

Me 57 vota kundër, shtatë abstenime dhe asnjë votë për, Kuvendi nuk ka miratuar raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kishte rekomanduar të mos miratohet raportit, për shkak të parregullsive në të.

Ndërkohë opozita ka kritikuar Qeverinë. Valentina Bunjaku Rexhepi nga LDK-ja ka thënë se është normale që nuk mund të votohet raporti, pasi është shkarkuar bordi i KPMSHC-së e që rasti është në Gjykatë Kushtetuese. Ajo ka thënë se arsyetimet ne Qeverisë janë të kota.

Kritika ka pasur edhe Hajdar Beqa i PDK-së e Pal Lekaj i AAK-së.

Nuk është miratuar edhe raporti vjetor i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike e Postare për vitin 2020. Me një votë për, 56 vota kundër dhe 7 abstenime Kuvendi nuk e miratoi raportin.

12:12

Kuvendi shkarkon Gjyldane Kiçmarin nga bordi i KOSTT-it

Deputetët në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për shkarkimin e Gjyldane Kiçmarit nga pozita e anëtares së bordit të KOSTT-it, për konflikt interesi.

Rekomandimi ishte bërë nga Komisioni për Ekonomi, duke u mbështetur nga opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsion dhe opinionet ligjore.

Me 68 vota për Kiçmari është shkarkuar nga pozita e anëtares së bordit të KOSTT-it. Kiçmari mbante dy vende pune dhe i ishte thënë të largohet nga një pozitë pasi përbën konflikt interesi.

Mbështetje shkarkimit të Kiçmarit i ka dhënë edhe PDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e vlerëosi lajm të mirë këtë.

Ndërkohë me 87 vota për ka kaluar shqyrtimi i projektligjit nr. 08/L-024 për ratifikimin e Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar.

11:30

Nagavci: Mbi 17 mijë punëtorë të Arsimit janë vaksinuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se në bazë të informatave nga Ministria e Shëndetësisë të datës 6 gusht janë 17.483 punëtorë të arsimit të vaksinuar.

Ajo ka thënë se gjithashtu janë 12395 studentë të vaksinuar.

Nagavci ka thënë se janë në bashkëpunim me institucionet përkatëse në mënyrë që të sigurohen që viti i ri shkollor t[‘i gjejë me mësimdhënës të vaksinuar.

“Më shumë ka qenë neglizhim sesa hezitim i mësimdhënësve të vaksinohen. Unë u bëj thirrje të gjithëve të vaksinohen në mënyrë që viti i ri shkollor të na gjejë ta vaksinuar”, ka thënë ajo.

11:24

Zemaj: Qeveria u dha sinjale njerëzve se nuk ka virus në Kosovë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se u ka dhënë sinjale qytetarëve se ka mbaruar pandemia dhe nuk ka virus në Kosovë.

Zemaj i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i kthehet punës.

“U kemi thënë të mos largoni infermierët, të mos i largoni inspektorët sanitarë, të mos i ndalni shtesat, mos bëni veprime se i jepni pasqyrën që ka përfunduar pandemia në Kosovë. Ju e keni bërë këtë, ky është gabimi më i madh. Njerëzve i keni dhënë lirinë se nuk ka virus në Kosovë për shkak të Qeverisë së re dhe menaxhimit të situatës pandemike. Riktheni inspektorët për mbikëqyrjen e masave të liruar pa asnjë lloj analize. Keni menduar edhe se me vaksinimin e kryeministrit do të presin të vaksinohen 50.28 për qind e qytetarës. I keni mbyllur dyert të shtunën e të dielën. Duhet reflektim tjetër”, ka thënë Zemaj në seancë në Kuvend, ndërsa ka vlerësuar situatën si alarmante.

11:23

Abrashi: Diaspora ndihmoi Kosovën me 1 miliard euro përmes remitenca

Artan Abrashi në emër të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se janë të pakta vende në botë ku diaspora ka luajtur rol kaq të rëndësishëm si ajo në Kosovë.

Ai ka thënë se ajo që dukej se ishte largim i bëri që të bashkoheshin me familjet e tyre edhe më shumë.

Abrashi ka thënë se diaspora gjatë pandemisë ka ndihmuar me 1 miliard euro remitenca. 700 milionë euro kanë pranuar familjet e Kosovës gjatë gjashtë muajve të parë nga diaspora.

“Pas një viti aspak të lehtë të pandemisë, diaspora meriton një falënderim shumë të veçantë. Ju lutem gjithashtu të regjistroheni për votim në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor”, ka thënë ai.

11:16

Tahiri: Qeveria ka dështuar në planin operacional të vaksinimit

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria ka dështuar në vetëdijesimin dhe planin operaional të vaksinimit në masë të qytetarëve.

Ai ka thënë se Qeveria e ka nënvlerësuar situatën me rënien e numrave të të infektuarve.

Tahiri ka thënë se duhet me urgjencë të merren veprimet për vaksinimet në masë.

“është e padrejtë t’u drejtohet gishti qytetarëve të Kosovës. Menaxhimi i pandemisë po shkon në menaxhimin më të dobët të rajonit”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për Ligjin e Pagave, derisa ka thënë se kur po u duhen ndihmat e mjekëve, policëve e zjarrfikësve po thonë që janë heronj, porse nuk po veprojnë me Ligjin e pagave.

Tahiri ka kërkuar që të buxhetohet ky ligj i cili do t’i jep përgjigje të gjitha kategorive.

11:08

Tahiri bën thirrje për masa shtesë në luftën kundër COVID-19

Kreu i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Qeverisë së Kosovës, që të aplikojnë masa shtesë në luftën kundër pandemisë.

Tahiri ka thënë se java tjetër nuk duhet ta zë Kosovën pa masa shtesë.

Ai ka thënë se nga java e kaluar kur ishin 271 raste, ka pasur një rritje masive në 888 raste. Tahiri ka thënë se duhet marrë masa konkrete për t’u ndalë në ndihmë institucioneve shëndetësore.

“Duhet angazhim më i madh se kurrë më parë nga ministri i Shëndetësisë në fuqizim të spitaleve rajonale dhe përkrahje të klinikave në QKUK. Si deputetë të opozitës i bëjmë thirrje Qeverisë sepse është organi më i rëndësishëm në këtë vend dhe e jep ndihmën më të madhe në ballafaqimin me COVID-in. I bëjmë thirrje ministrit Vitia, Qeverisë që java tjetër ta zë Republikën e Kosovës me masa shtesë, me angazhim më të madh qeveritar në mbarë vendin. Të nderuar qeveritarë përkujdesuni më shumë për shëndetin e qytetarëve, shëndetin e atyre që janë në moshë të shtyrë e më të rrezikuar nga COVID-i, përkujdesuni që të vaksinohen sa më shumë qytetarë”, ka thënë Tahiri në Kuvend, ndërsa ka cekur se po ka problem me vaksinim në zonat rurale.

Tahiri njëkohësisht i ka kërkuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që të dalë me plan konkret në rast se mbyllet vendi në shtator.

“Kërkojmë nga ministrja e Arsimit që të dalë me plan konkret në rast se mbyllemi në shtator e tutje, të kemi sistem online më të mirë të përgatitur për mësimxënien, sidomos për klasat e ulëta që janë të atakuar më tepër nga ky proces”, ka thënë Tahiri.

10:56

Kusari-Lila: Vaksinohuni që të mos izolohemi përsëri

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të masave për mbrojtje nga COVID-19.

Ajo ka bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen në mënyrë që vendi të mos shkojë përsëri në izolim.

“Varianti Delta është shumë i rrezikshëm dhe po shpërndahet lehtë. Mos luani me jetën e të afërmeve tuaj. Ju lutem bëhuni bashkë që të shpëtojmë jetë”, ka thënë ajo.

10:51

Kuvendi miraton tri pikat nga seanca e kaluara

Kuvendi miraton Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare

Kuvendi ka miratuar Raportin me Rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare.

Raporti ka kaluar me 82 vota për.

Me 64 vota për ka kaluar Raporti me Rekomandime lidhur me problemet e evidentuara në Ndërmarrjen Publike KOSTT.

Gjithashtu me 82 vota për është votuar edhe pika për formimin i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.