1 perditesime
18:14

Zjarret në Shqipëri, vatra aktive djegin pyjet në veri

Vatra e zjarrit në malet e Katundit të vjetër në Rubik, mund të cilësohet për momentin ndër vatrat më të mëdha dhe më të përhapura në zonën veriore dhe verilindore të Shqipërisë.

Prej dy ditësh, sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi të ndryshme po digjet, ndërsa puna e zjarrfikësve dhe efektivëve të tjerë nga toka dhe helikopteri nga ajri duket se nuk po japin rezultate.

Terreni është mjaft i vështirë dhe hyrja në pyllin e dendur nëpërmjet tokës është thuajse e pamundur. Ndërsa uji që hedh helikopteri nuk po lokalizon dot vatrën, pasi era e përhap me shpejtësi.

Banorë të zonës shprehen se një pjesë e tyre janë evakuuar nga policia, ndërsa tymi një natë më parë i ka bllokuar edhe në banesa, ndërsa shprehen se zjarr të tillë nuk kanë parë ndonjëherë më parë, duke kërkuar kapjen e atyre që ndezin zjarre.

Ndërkohë zona njihet si një atraksion turistik natyror dhe zjarri po dëmton bukuritë natyrore të këtij vendi.

Në zonën veriore të vendit vatra aktive mbeten ende ato në majën e Rrunës mbi Tunelin e Kalimashit në Kukës, në fshatin Vele të Lezhës si dhe në Thirrë, Qafë Kumbull dhe Munellë. /tch

14:16

Situata me zjarre në Shqipëri vazhdon të jetë problematike

Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të jetë problematike në disa zona.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njofton se puna është duke vijuar pa u ndalur dhe aktualisht po punohet për vatrën e shfaqur në anën tjetër të Malit të Tërbunit e cila është zhvilluar nën ndikimin e erës.

Raportohet se 42 efektivë të Forcave të Armatosura dhe rreth 30 forca te pushtetit vendor po punojnë për vatrat e zjarrit në fshatin ‘Flet’ në bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe në fshatin Dardhë ku situata është delikate dhe po punohet nga ajri me helikopterin tonë për ta izoluar.

Ndërsa në fshatin Thirrë aktualisht situata është më e qetë dhe punohet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërkohë vijon sërish operacioni nga toka dhe ajri.

Në qarkun e Lezhës ditën e djeshme është arritur 60% e izolimit te vatrave ndërsa në bashkinë e Mirditës, vatra e zjarrit është me intesitet të ulët.

Në “Majën e Rrunës“ situata e vatrave të zjarrit vazhdon të jetë problematike. Terreni i vështirë nuk e ka ndaluar punën e efektivëve të cilët vijojnë edhe sot të punojnë nga toka për vënien nën kontroll të disa prej vatrave.

Në fshatin Kaçni në Dibër, gjatë natës zjarri është zhvilluar në dy vatra dhe falë punës së efektivëve është mundësia që deri në fund të ditës së sotme të izolohet./KSP