2 perditesime
23:27

Muharremaj: S’do të ketë rund të dytë zgjedhjesh në Suharekë, fitoj pa balotazh

Duke paralajmëruar fushatë “që s’është parë deri tash në Kosovë”, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka shprehur bindjen se do të jetë fitues qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor.

Në Interaktiv të KTV-së, Muharremaj ka thënë se i respekton kundërkandidatët por ka shtuar se është “100 për qind i bindur në fitoren e rundit të parë”.

“Programin e kam realizuar. Do të dal me program të ri së shpejti. Qytetarët do të shohin a janë bë punët? A janë kryer zotimet? Do të ketë një risi. Më 15 shtator do të ketë disa gjëra që s’janë përdorur në asnjë fushatë deri tash. Do të jenë disa risi. Të gjithë do t’i merrni vesh më 15 shtator. Risi në të bërit fushatë. Disa modele të reja janë. Kam punuar që 4 vite. Është punuar për katër vite, e kanë parë qytetarët. Nëse jo, atëherë vështirë është të fitohet”, ka deklaruar ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Muharremajt, gara në Suharekë do të jetë demokratike dhe fer. Ai ka thënë se nuk pret që fitorja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e përgjithshme të japë frymë të ngjashme edhe në Suharekë në zgjedhjet lokale.

“Do të jetë garë interesante. Po ta dija që do t’i mposht s’do të hyja në garë. Kam hy që të fitoj dhe besoj se do të fitoj - të gjithë kanë hy për të fituar, por besoj se do të dal fitues bindshëm. Do të fitoj në rund të parë, s’do të ketë rund të dytë. Të gjithë po të bëhen bashkë, do t’i fitoj unë zgjedhjet më 17 tetor”, ka shtuar ai duke deklaruar se AAK-ja “do të rrisë edhe numrin e asamblistëve”.

Duke folur për situatën e fundit me pandeminë, Muharremaj ka thënë se në Suharekë një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve tashmë janë vaksinuar. Ai ka thënë se ka kërkuar një qendër tjetër vaksinimi në këtë komunë, por ka shtuar se kjo është vështirë e realizueshme për shkak të problemeve në bartjen e sistemit të marrjes së informatave.

Ka thënë se vendi duhet të nisë në shtator me mësimin në shkolla, duke shtuar se mësimdhënësit në Suharekë janë vaksinuar në masë të madhe.

23:14

Muharremaj: Kam punuar më shumë se që kam premtuar, jeta në Suharekë është më e mirë tash

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se gjatë mandatit të tij në krye të komunës, ka punuar më shumë se që ka premtuar.

Muharremaj është shprehur se i ka përmbushur rreth 98% të zotimeve të tij që i ka bërë në fushatën e zgjedhjeve të kaluara komunale.

“Unë nuk kam premtuar, jam zotuar, zotimet i kam kryer diku 98%. Punët flasin vetë, jo vetëm që i kam kryer zotimet por kam punuar edhe më shumë se që jam zotuar. Punët shihen edhe vetë. Besoj që ka ndryshime në çdo pore të jetës. Unë i kam premtuar katër çerdhe për një mandat, unë besoj që të 8-tën jam duke e punuar. Kem ndërtuar shkolla të reja, salla sportive, kemi ndryshuar ambientin, është një model për të gjitha komunat e tjera. Kemi ndriçuar 36 fshatra, tash i kemi në plan edhe 10 , besoj që deri në fund të mandatit të ndriçohet komplet komuna e Suharekës, me 42 fshatra që janë. Rrugët për turizëm, janë duke u ndërtuar, kështu që ka ndryshime shumë të mëdha në komunën e Suharekës”, ka deklaruar Muharremaj.

Ai ka shtuar se i ka hyrë garës për mandatin e dytë në krye të Suharekës pasi konsideron se është problem që për një mandat të përmbushen të gjitha zotimet.

“Çdo herë kam thënë, edhe në zgjedhjet e vitit 2017, një mandat është pak, dy janë shumë, kështu që do t’i hyjë garës edhe për mandatin e dytë. Ndoshta pak është edhe problem që një kryetar i komunës t’i përfshijë obligimet që i merr t’i kryejë për një mandat pasi që ka shumë punë, gjërat kanë shkuar mirë në Suharekë, ka ndryshime, kështu që pse të mos vazhdojë edhe një mandat kur kanë nevojë dhe vlerësojnë qytetarët”, ka thënë Muharremaj.

23:10

Zjarret në Suharekë, Muharremaj: Faktori njeri mund të jetë shkaktar kryesor

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se sot gjendja me zjarret në këtë komunë është nën kontroll. Në Interaktiv të KOHËS, Muharremaj ka treguar mbi situatën me zjarret ditëve të fundit në këtë komunë.

“Sot është një zjarr në Biraq, janë pyje. Gjendja është nën kontroll. Kemi pasur diku 7 vatra të zjarreve, dje apo pardje, patëm dëme në vreshta diku 4 hektarë. Patëm dëme edhe në bagëti në një fshat, por ndodhi për shkak të rrymës, edhe disa shtëpi që janë djegur në Suharekë janë për shkak të rrymës. Kohën e fundit kemi pasur shumë zjarre prej rrymës, por nuk e përjashtoj edhe faktorin njeri, që kohën e fundit është ndoshta faktori kryesor për zjarret në Suharekë”.

Ai shprehet se zjarret në hapësirat pyjore që kanë ndodhur sot, mund të jenë ndezur qëllimisht nga dikush.

“Sot kemi pasur hapësira pyjore, nuk mund të them se rastësisht ka ndodhur, por organet e hetuesisë duhet ta sqarojnë këtë. Hamulloret mund të bëhen rastësisht, por sot besoj se ka ndodhur qëllimisht dhe këta fajtorë duhet të gjenden dhe të dalin para ligjit”, ka theksuar ai.

Muharremaj ka thënë se me përfundimin e zjarreve do të del një raport i detajuar për të gjitha dëmet e shkaktuara nga zjarret sivjet. Ai ka bërë thirrje te MPB-ja që të shtojë numrin e zjarrfikësve dhe të zbatohen ligjet që janë në fuqi. U ankua për numrin e ulët të zjarrfikësve në komunë.

“Në Suharekë kemi 12 zjarrfikës, punojnë më katër ndërrime. Një rri në zyrë që i merr informatat nga qytetarët, dy në terren, njëri duhet të ngasë kamionin dhe njëri të punojë. Pra kemi numër shumë të vogël të zjarrfikësve”, ka thënë i pari i Suharekës.