1 perditesime
19:30

Vdekja tronditëse e 18-vjeçares, i dyshuari kryesor ende në arrati

Jetesa me të dashurin e saj, 18-vjeçares nga Komuna e Ferizajt i përfundoi me fatalitet. Të hënën e 23 gushtit, familja e M.O., e cila u la pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt, po i bën përgatitjet e fundit për të hapur të pame për të ndjerën.

Tronditja për vdekjen e së bijës e bëri të pamundur që babai i saj të mund të fliste pa emocione. Ai ishte ulur në karriget e vendosura në oborrin e shtëpisë, ku edhe priste të afërmit për t’i shprehur ngushëllime. Ai duke folur për të bijën, tregoi se M.O., 18-vjeçare, kishte muaj që po bashkëjetonte me të dashurin Dardan Krivaqa, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Babai i saj tha se ata asnjëherë nuk kishin pasur probleme, ndonëse e kishte paralajmëruar të bijën se i dyshuari ishte i ndjekur nga policia edhe për vepra të tjera penale.

Ka treguar se vajza kishte lëndime në nofull dhe në sy.

Por, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se nuk mund të flasin për këtë për shkak se ende nuk e kanë pranuar raportin e obduksionit.

“Për momentin shkaktari i vdekjes ende nuk dihet, për shkak se është bërë autopsia dhe ende nuk e kemi pranuar atë”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj. Jashari ka thënë se dy personat e dyshuar janë të njohur për Prokurorinë e Policinë në Ferizaj. Ai ka thënë se ai ka pasur një numër të madh të rasteve dhe ka qenë i dyshuar edhe për vrasje, porse rastet janë mbyllur. Sa i përket për të dyshuarin tjetër A.S, është arrestuar, ka treguar se ai ka një aktakuzë për tentimvrasje, porse ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. “I dyshuari ishte person i njohur me një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar, i akuzuar për vrasje dhe raste të tjera të natyrave të ndryshme penale. Sa i përket personit të dytë, është e vërtetë se është ngritur aktakuzë ndaj tij në vitin 2013 për tentimvrasje dhe ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Është caktuar 23 shtatori data për këtë”, ka thënë Jashari.

Derisa drejtori i Spitalit në Ferizaj, Halit Gërbeshi, tregon se ajo të dielën ishte sjellë pa shenja jete në hapësirat e Emergjencës.

“Është pranuar pasdite, ka ardhur pa shenja jete sipas mjekut kujdestar, ka ardhur me shenja dhune, jam njoftuar, unë kam dhënë urdhër për obduksion dhe është njoftuar policia e prokurori kujdestar”, ka thënë drejtori i spitalit.

Policia ka arritur ta arrestojë Arbër Sejdiun, i cili dyshohet se duke bashkëpunuar ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, të cilit i është vendosur edhe masa e ndalimit për 48 orë. Kjo prokurori të hënën i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Ferizaj, që ndaj të pandehurit të vendoset masa e paraburgimit, për shkak se dyshimi se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” është i bazuar.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.S., më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër D.K., ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë së ndjerës, ku, me këtë rast i njëjti (A.S.) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejte në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht në vdekjen e së ndjerës, ku më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur, me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Policia në Ferizaj ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të identifikuar vendndodhjen e Dardan Krivaqës.

16:03

Prokuroria: I dyshuari kishte disa raste, përfshirë edhe një për një vrasje

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ishte i njohur për prokurorinë e policinë.

Ai ka thënë se ai ka pasur një numër të madh të rasteve dhe ka qenë i dyshuar edhe për vrasje, por se rastet janë mbyllur. Sa i përket për të dyshuarin tjetër A.S. që është arrestuar, ka treguar se ai ka një aktakuzë për tentim vrasje, por se ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. 

“I dyshuari ishte person i njohur me një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet janë të mbyllura. Ka qenë i dyshuar, i akuzuar për vrasje dhe raste të tjera të natyrave të ndryshme penale. Sa i përket personit të dytë është e vërtetë se është ngritur aktakuzë ndaj tij në vitin 2013 për tentim vrasje ende nuk është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Është caktuar 23 shtatori data për këtë”, ka thënë Jashari.

Dardan Krivaqa 29-vjeçar po kërkohet nga Policia si i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares M.O.

Viktima me të dyshuarin është bërë e ditur se ishin duke bashkëjetuar.

“Në momentin kur Policia ka dërguar foto së bashku me hetimin rajonal, kemi dyshuar në një person që është i njohur, por s’kemi guxuar të flasim derisa e kemi vërtetuar për sa i përket veturës, personi me inicialet A.S. jeton në Zvicër. Tabelat kanë qenë të padeshifrueshme, nuk ishin të sakta. Janë identifikuar shpejt personat. Nuk kemi pasur të paraqitur ndonjë rast që ai ka qenë duke bashkëjetuar me forcë me viktimën”, ka thënë Prokuroria. “Rasti ka ndodh në dhomë, në banesë. Personat e dyshimtë e kanë marrë e kanë dërguar në spital. E kanë dërguar në spital, e prokurori ka shkuar në vendngjarje. Është dorëzu në emergjencë në spital dhe menjëherë janë larguar nga aty". 

Jashari ka thënë se nuk kanë informacione se Dardan Krivaqa është larguar nga Kosova. 

“Me rëndësi është se personat janë identifikuar e zbuluar. Njëri është arrestu dhe shumë shpejt është bërë kërkesa për caktim të masës së paraburgimit. E personit tjetër me incialet D.K. shumë shpejt do të arrestohet nga ana e Policisë. Deri më tani nuk kemi informacioni se i njëjti ka kaluar jashtë Kosovës".