Komisioni i Auditimit (KA) të KEK-ut ka rekomanduar Bordin e kësaj korporate që të inicojë masa ndaj disa zyrtarëve, bazuar në të gjeturat e auditimit të brendshëm për periudhën qershor-gusht.
Masat janë rekomanduar me dyshime se ata nuk kanë vepruar sipas rregulloreve e procedurave në fuqi.
Po ashtu nga Komisioni i Auditimit të KEK-ut është bërë e ditur se janë njoftuar Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës për raste të veçanta, si shitja e thëngjillit e konstatuar në kundërshtim me procedura të prokurimit dhe e përcjellë me dyshime për keqpërdorim, për çka ka filluar procedura disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës.
“Gjatë kësaj periudhe 3 mujore janë kryer 4 auditime të rregullta të parapara me plan si dhe 3 auditime me kërkesë të KA si dhe janë dhënë 37 rekomandime për përmirësim procesi. Gjithashtu për shkak të të gjeturave nga auditori i brendshëm janë dhënë edhe 8 rekomandime për inicimin e procedurave disiplinore për zyrtarë të caktuar për të cilët ka pasur të gjetura dhe dyshime të bazuara se nuk kanë vepruar sipas rregulloreve dhe procedurave në fuqi. Në këtë drejtim, Komisioni i Auditimit u njoftua se për disa raste janë njoftuar edhe organet e jashtme si Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës për raste te veçanta sikurse shitja e thëngjillit e konstatuar në kundërshtim me procedura të prokurimit dhe e përcjellë me dyshime për keqpërdorim për çka edhe kanë filluar procedura disiplinore ndaj zyrtareve përgjegjës. Komisioni i Auditimit pret nga Prokuroria veprimin dhe reagimin e tyre të shpejt dhe konform ligjit me qëllim të vendosjes para përgjegjësisë personave që dyshohen se kanë shpërdorur pozitën, e krejt kjo me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mëtutjeshme në KEK-sha. Ndërsa menaxhmentin e inkurajon për implementimin rekomandimeve të auditimit të brendshëm për përmirësim procesi”, thuhet nga KA i KEK-ut, që ka mbajtur mbledhjen më 24 gusht.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.