Shoqata e Gastronomëve të Kosovës është ankuar se vendimi i Qeverisë që ka marrë më 28 gusht për shtrëngimin e masave, ka shkaktuar konfuzion tek institucionet e zbatimit të ligjit.
Gastronomia me masat e reja është lejuar të punojë vetëm në ambient të hapur, mirëpo gastronomët thonë se bazuar në Ligjin për Kontrollin e Duhanit, hapësirë e mbyllur konsiderohet çdo hapësirë e mbuluar me kulm apo tavan, që është i lëvizshëm apo palëvizshëm, dhe e rrethuar në dy apo më shumë anë. E bazuar në këtë një numër i madh i lokaleve të gastronomisë kanë ndërtuar terrasat dhe ky vendim nënkupton se ata nuk mund të punojnë.
Gastronomët kanë bërë thirrje të ndryshohet kjo pikë apo të merret vendim për të mbështetur financiarisht lokalet me gjysmën e qirasë dhe gjysmën e pagës së punonjësve.
“ Shkronja gj. pika 34 e këtij vendimi parasheh që kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e mbyllur’ dhe ‘hapësirë e hapur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin për Kontrollin e Duhanit, ku sipas këtij Ligji, hapësirë e mbyllur është çdo hapësirë e mbuluar me kulm ose tavan, që është i lëvizshëm apo i palëvizshëm, dhe të rrethuar me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh llojin e materialit të përdorur dhe pa marrë parasysh nëse struktura është e përhershme apo e përkohshme. Bazuar në këtë pikë, dhe bazuar në terrasat që i kanë të ndërtuara një numër shumë i madh i lokaleve të gastronomisë, i bie që NUK MUND TË PUNOJNË! Rrjedhimisht, një pikë e tillë, siç është e paraparë në këtë vendim, propozojmë që të largohet, dhe të lejohen të punojnë lokalet që kanë këto terrasa, sipas pikave të tjera të këtij vendimi. Përndryshe, kërkojmë që urgjentisht të iniciohet dhe ideohet një masë për mbështetje financiare nga Ministria e Financave, për gjysmën e qirasë së lokaleve dhe gjysmën e pagës së punëtorëve për sektorin e gastronomisë”, thuhet nga Shoqata e Gastronomëve.
Masat e reja antiCOVID të Qeverisë janë duke u aplikuar që nga 30 gushti dhe janë të vlefshme deri më 13 shtator.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.