3 perditesime
17:18

Bislimi paralajmëron reciprocitet për targat pas 15 shtatorit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka paralajmëruar pas takimit të sotëm me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se Kosova nuk do të pranojë zgjatjen e marrëveshjes së përkohshme për targat e veturave përtej 15 shtatorit, kur edhe skadon afati i kësaj marrëveshje.

Bislimi tha se Kosova do të sillet njësoj siç bën Serbia me veturat me targa të Kosovës (RKS), duke paralajmëruar reciprocitet.

Sipas marrëveshjes, në Serbi mund të futen nga Kosova të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë futen lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Dhe kjo pritet të ndryshojë pas 15 shtatorit, sipas Bislimit.

Kjo ishte një prej temave që është diskutuar sot në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe BE-së, para takimit trepalësh që do të mbahet nesër po në Bruksel, e ku në tavolinë do të jetë edhe delegacioni i Serbisë.

Në fakt, tema e vetme për çfarë janë pajtuar palët në takimet e ndara me Lajçakun është ajo e të zhdukurve, por edhe këtu Kosova ka kushtet e saj, pasi Serbia ka përfshirë në delegacion Velko Odaloviqin, të dyshuar për krime në Kosovë, e i cili është në kryetar i Komisionit për personat e pagjetur në Serbi.

Kosova ka mundësi të mos pranojë takimin në rast se Odaloviiq do të jetë në tryezën e bisedimeve. Madje, Bislimi ka thënë se Kosova do të nisë procedurën për të shpallur atë person non-grata.

Në takim me Lajçakun është diskutuar edhe për energjinë elektrike në veri, përkatësisht gjetjen e formës për inkasimin e mjeteve në atë pjesë.

Augustin Palokaj

13:21

Petkoviq: Nga bisedimet e sotme do të varet takimi i radhës Vuçiq - Kurti

Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se atmosfera në Bruksel çdoherë është e pakëndshme, çor se delegacioni serb është atje për të luftuar për interesat e popullatës erbe në Kosovë dhe për t’u siguruar respektimi i marrëveshje të Brukselit.

Petkoviq para vizitës dyditore në Bruksel, ku ndër të tjera do të ketë edhe takim bilateral me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Beogradi do të insistojë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në temën e të zhdukurve, në gjyqësinë ku do të përmendet rasti i dënimit me burgim të deputetit Ivan Todosijeviq, më pas do të flas për çështjet e energjetikës dhe po ashtu për lirinë e lëvizjes.

Petkoviq ka folur për Tanjugun, para takimit të sotëm me emisarin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

“Nëse duam të ecim para, të zhvillohemi ekonomikisht dhe në çdo aspekt tjetër, Beogradi., Prishtina dhe vendet në rajon, duhet të bashkëpunojnë. Kjo është e rëndësishme që në Bruksel të flasim sepse nuk mund t’i zgjidhim të gjitha temat kryesore dhe të rëndësishme mund të zgjidhim këtu, e për këtë po insistojmë në dialog”, tha Petkoviq.

Ai ka shtuar se në nga takimi me delegacionin e Kosovës sot e nesër do të varet edhe raundi i tjetër i dialogut në nivel të krerëve të shtetit, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se në këtë takim do të shihet se sa është Kosova e gatshme për të ecur tutje në dialogun Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja.

“Serbia është ajo që po insiston në dialog dhe ka qasje konstruktive dhe se është gjithmonë e gatshme për këtë”, ka thënë Petkoviq.

“Ne po kërkojmë vetëm zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel. Kemi respektuar çdo marrëveshje nga ana e jonë”, ka thënë Petkoviq.

Sa i përket temës së të zhdukurve, ai ka thënë se Serbia po insiston në këtë çështje, ndërsa ka thënë se Beogradi ka dëshmi se ka njerëz të varrosur në Prishtinë dhe po kërkohet zhvarrosja e tyre.

“Ne ende jemi duke kërkuar dhe këmbëngulur që të gjenden 1639 njerëz, dhe kjo është arsyeja pse ne bisedojmë, se kjo nuk është çështje politike, por në pyetje njerëzore që veçanërisht rëndon marrëdhëniet Beograd – Prishtinë. Në u kërkojmë Prishtinës të bëjë atë që bëmë ne në qendër të Serbisë”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka shtuar se që kur Albin Kurti ka ardhur në krye të Qeverisë në Kosovë, janë rritur incidentet mbi komunitetin serb.

“Ne gjithashtu do të ngremë çështjen e të gjitha incidenteve në komunitetet serbe në Kosovë dhe Metohi, të cilat janë shtuar nga ardhja e Albin Kurtit në pushtet. Ne jemi mbi 93 incidente, sulme mbi pronën tonë, fëmijët tanë. Kjo duhet të ndalet”, tha Petkoviq, që ka falënderuar Lajçakun që po bën përpjekje për vazhdim të dialogut.

Petkoviq ka thënë po ashtu se po u ndalohet hyrja në Kosovë, sportistëve serbë, gazetarëve, zyrtarëve dhe se po shkelet marrëveshja.

Ndërkohë ka përmendur edhe rastin e serbes Dragica Gashiq, që është rikthyer në Gjakovë për të jetuar.

09:26

Lajçak: Ka shumë çështje urgjente që duhet diskutuar, pres mirëkuptim të ndërsjellë

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se sot e nesër do të diskutojë me shefat e delegacioneve të të dyja shteteve “shumë tema urgjente”.

Në njoftimin e tij në Twitter, Lajçaku ka thënë se pret që të ketë mirëkuptim të dyanshëm për rrugën përpara.

“Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ka shumë çështje urgjente që do të diskutohen dhe pres të gjejmë një mirëkuptim të ndërsjellë për të ardhmen”, ka deklaruar ai.

08:19

Sot nis raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi

Sot, e martë, në Bruksel do të nisë raundi i ri i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Takimi do të jetë në nivel ekspertësh.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pritet të takohet sot me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas takimit me Lajçakun pritet një takim trelateral me palën serbe, e që përfaqësohet nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se në takimin bilateral me Lajçakun do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave, si dhe çështja e të zhdukurve me forcë.

Ndërsa në atë trelateral do të diskutohet vetëm për çështjen e të zhdukurve me forcë.

Takime në mes të Kosovës dhe Serbisë s’ka pasur që nga muaji korrik kur liderët shtetërorë u takuan në Bruksel.