6 perditesime
17:04

Tragjedia në Tetovë: Opozita do përgjegjësi, për pushtetin s’është kohë dorëheqjesh

Teksa pushteti në Maqedoninë e Veriut ka deklaruar se tash s’është koha për dorëheqje pas tragjedisë në spitalin modular në Tetovë, opozita shqiptare në këtë shtet ka kërkuar përgjegjësi.

Të mërkurën spitali modular u përfshi nga zjarri duke lënë të vdekur 14 persona.

Zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani i pyetur rreth përgjegjësisë dhe mundësisë së dorëheqjes, u shpreh i prerë se tani nuk është koha për dorëheqje, por për përballje me sfidat. Sipas tij, organet kompetente janë duke punuar në mënyrë intensive në zbardhjen e plotë të rastit dhe priten raportet oficiale të tyre.

“Nuk është koha për dorëheqje, është koha kur ne duhet të ballafaqohemi me sfidat. Organet e hetuesisë dhe organet e prokurorisë janë të gjitha të aktivizuara dhe po presim raportet oficiale nga ta”, ka thënë Hasani, raporton “Alsat”.

Ndërkaq kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka thënë se këto ditë të zisë duhet të jenë ditë reflektimi dhe për fatkeqësitë duhet të mbajë përgjegjësi faktori njeri.

“Assesi se nuk duhet të kalojnë pa përgjegjësi. Por si do që të jetë të gjithë ne duhet t’u gjendemi pranë familjarëve, t’i ngushëllojmë aq sa mundemi. Vetë prezenca jonë afër tyre dhe mesazhet për të duruar janë shumë të mëdha. Flasin shumë për ata”, është shprehur ai.

14:05

Pendarovski: Nuk ka indikacione se zjarri është shkaktuar qëllimshëm

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një prononcim për media pas vizitës së Spitalit modular i cili u përfshi nga zjarri të mërkurën mbrëma duke lënë 14 të vdekur, ka thënë se është thirrur edhe ekspertiza e jashtme që do të ndihmojë, pasi sipas tij për vetëm disa minuta është djegur i tërë objekti.

Ai ka thënë se nuk dyshon që për kohë të shkurtër do të mësohet e vërteta.

“Për momentin nuk ka ndonjë indikacion që është bërë diçka e qëllimshme por gjithçka mbetet për t’u verifikuar. Nuk kam biseduar këto detaje me drejtorin, ajo që di është se ka qenë e mbushur dhe ka pasur 26 persona por në atë moment, ka pasur 3 ose 4 mjekë dhe nuk dihet nëse edhe ata janë në mesin e këtyre 14 viktimave. Besojmë që sot maksimum deri nesër do të përfundojë obduksioni dhe do të verifikohet identiteti dhe shkaqet e vdekjes konkretisht edhe kush janë këta njerëz se ende nuk e dimë se kush janë. Sot më kanë informuar se kanë thirrur edhe familjarë të tyre që kanë qenë në qendrën covid për të dhënë gjak për të bërë ADN-në sepse kjo fatkeqësi bën të vështirë identifikimin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në të ardhmen do të kërkojnë përgjegjësi institucionale e morale, ndërkaq njëherë do i lënë institucionet pasi kanë kaluar vetëm 24 orë që nga ngjarja.

Pendarovski ka thënë se ekspertët e jashtëm pritet të mbërrijnë brenda 48 orësh, duke shtuar se asjë nga të mbijetuarit nuk është në rrezik jete.

13:15

MSH e Maqedonisë V. Spitali modular në Tetovë, i ndërtuar sipas të gjitha standardeve

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë Veriore ka thënë se Spitali modular në Tetovë ka qenë i ndërtuar sipas të gjitha standardeve dhe procedurave.

Sipas këtij institucioni, të 19 spitalet modulare për Covid në vend janë ndërtesa tipike të ndërtuara sipas standardeve më të larta mjekësore dhe të sigurisë.

“Qendrat modulare të COVID -it, përfshirë spitalin në Tetovë, janë të hapura pas kontrolleve teknike. Gjatë ndërtimit të të gjitha spitaleve modulare, materialet e përdorura janë të certifikuara. Ministria e Shëndetësisë informon se qendra e COVID -it në Tetovë është projektuar me tre hyrje, korridoret janë të gjera 2.4 metra dhe parmakët e dritareve janë të ulëta për raste evakuimi. Në objekt nuk është përdorur dru dhe të gjithë elementët e tjerë të nevojshëm për mbrojtje u respektuan”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga MSH thonë se spitali i posedon të gjithë certifikatat për mbrojtje nga fatkeqësitë dhe dokumentacioni do t’u shpërndahet sot mediave.

“Gjatë lëshimit në përdorim, u bë një pranim i rregullt teknik. Gjatë ndërtimit ka procesverbale të rregullta të dokumentuara për vërejtje teknike të parëndësishme, silikonim i lajsnave në dysheme, nivelizim i sifonit në tualet, vazhdim i ulluqeve, etj. Për këto kërkesa është vepruar dhe janë sanuar para lëshimit në përdorim dhe hospitalizimit të pacientëve”, thuhet në njoftim.

Më tej ministria kërkon të mos spekulohet me informacione për mangësi gjatë ndërtimit.

“Të gjitha aspektet e çështjes duhet t’i nënshtrohen një hetimi të plotë dhe të shpejtë dhe sigurisht të ketë përgjegjësi nëse hetimi e tregon këtë”, thonë nga ministria.

Në zjarrin në Spitalin COVID në Tetovë të mërkurën mbrëma, vdiqën 14 persona dhe u lënduan 12 tjerë. Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie.

12:45

Maqedonia e Veriut shpall tri ditë zie pas tragjedisë në Tetovë

Maqedonia e Veriut ka marrë vendim që të shpallë tri ditë zie në gjithë territorin e saj, pas ngjarjes së rëndë të mërkurën mbrëma, ku zjarri përfshiu Spitalin COVID në Tetovë, ndërsa si pasojë kanë mbetur të vdekur 14 persona e janë lënduar dy tjerë, raporton Alsat.

Vendimi është marrë në mbledhjen urgjente të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Paraprakisht Komuna e Tetovës pas mbledhjes së Shtatit të Krizë, njoftoi për shpalljen e tri ditë zie.

Ndërkohë Qeveria e Maqedonisë Veriore ka vendosur të pranojë ofertën e disa shteteve anëtare të NATO-s për të dërguar ekspertë të nivelit të lartë në hetimin e zjarrit, që të përcaktohen shkaqet e zjarrit në Spitalin COVID në Tetovë.

“Në këtë drejtim, Qeveria miratoi një përfundim me një rekomandim që ekipet e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë të vihen në dispozicion maksimal të prokurorisë në procedurat hetimore. Qeveria udhëzoi institucionet kompetente që të përcaktojnë se çfarë lloj ndihme dhe mbështetje shtesë nevojitet për familjet e të vdekurve dhe të plagosurve, në mënyrë që ajo të ofrohet në kohën më të shkurtër të mundshme”, thonë nga Qeveria.

11:28

Tri ditë zie në Tetovë për tragjedinë në spitalin COVID

Këshilli i Komunës së Tetovës sot ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën janë shpallur tri ditë zie në këtë qytet për shkak të vdekjes së 14 personave si pasojë e zjarrit të mbrëmshëm në spitalin modular për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Ditët e zisë nisin sot e vazhdojnë edhe më 10 e 11 shtator

Kryetarja Teuta Arifi në konferencë për shtyp shprehu ngushëllimet për familjarët dhe falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

“Brenda kohës derisa merren të gjitha informatat zyrtare, nga Fondi Emergjent i Komunës së Tetovës do të ndihmohen të gjitha familjet që kanë pasur këtë gjëmë të madhe”, tha Arifi, përcjell Portalb.

Mediat raportojnë se po vazhdon identifikimi i viktimave të kësaj tragjedie.

09:17

Shkon në 14 numri i të vdekurve në Tetovë

Disa nga viktimat në Tetovë kanë pësuar djegie të mëdha, derisa është vështirë të identifikohen.

Sipas një komunikate për media nga Prokuroria Themelore Publike e Maqedonisë së Veriut, thuhet se për identifikimin e disa viktimave, duhet të bëhen analiza të ADN-së.

Po ashtu, për momentin janë konfirmuar se janë 14 viktima, ndërsa në mesin e tyre nuk ka nga stafi mjekësor.

“Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

08:23

Në Spitalin COVID të Tetovës pak muaj më parë ishin konfirmuar gabime gjatë ndërtimit të tij

Një shpërthim i zjarrit të mërkurën mbrëma në Spitalin COVID në Tetovë, mori jetën e 10 personave, derisa mbetën të plagosur edhe disa të tjerë, shkruan Alsat.

Zjarri shpërtheu në spitalin modular në Tetovë, për të cilin në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit.

Sipas një shkrimi në media, thuhej se firma e cila ka kryer punët ndërtimore duhej t’i mënjanonte gabimet.

“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek Infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka caktuar mbledhje urgjente sot në ora 10:00, në të cilën do të diskutohet për ngjarjen tragjike të së mërkurës. Këtë e konfirmoi mbrëmë kryeministri maqedonas Zoran Zaev.

Ndërkohë është raportuar se janë angazhuar pesë prokurorë për të zbuluar shkaqet që sollën te zjarri.

“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular Kovid në Tetovë, ku sonte shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet. Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, thanë nga Prokuroria Publike.

Më shumë se 30 zjarrfikës e shtatë makina u angazhuan për shuarjen e zjarrit.

Të lënduarit u dërguan në Shkup për trajtim.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, në mbrëmjen e të mërkurës nëpërmjet një postimi në Twitter tha se dhjetë persona kanë vdekur ndërsa numri i viktimave mund të rritet.

“Në Tetovë ka ndodhur një fatkeqësi që ka marrë shumë jetë. Për momentin janë konfirmuar dhjetë të vdekur nga zjarri, por numri mund të rritet”, shkroi Filipçe në Twitter.