Arbëri

Pse Angela Merkel përzgjodhi Beogradin dhe Tiranën për vizitë lamtumire?

 

Kancerlarja Angela Merkel do të qëndrojë sot dhe nesër (13-14.09) në vizitë lamtumire në Ballkanin Perëndimor. Interesante është që ajo ka zgjedhur të vizitojë vetëm Beogradin dhe Tiranën. Po pse?

Turneu i lamtumirës i kancelares gjermane Angela Merkel në Ballkan dhe zgjedhjet e ardhshme në Gjermani kanë zgjuar interesim të madh në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë synime dhe probleme të ngjashme: anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), e në të njëjtën kohë edhe një mori sfidash të brendshme, nga ato ekonomike, korrupsioni, mungesa e reformave dhe tensionet ndëretnike. Ndaj politikat e Gjermanisë dhe BE-së reflektohen fuqishëm edhe në çështjet e brendshme në Serbi dhe vendet e tjera të BP. Tani po analizohet atje se çfarë do të thotë për rajonin largimi nga skena politike i kancelares Angela Merkel dhe nëse mund të pritet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në politikën gjermane dhe evropiane.

Kur bëhet fjalë për Serbinë në veçanti, Gjermania nuk është vetëm një nga partnerët më të rëndësishëmekonomik, por edhe një vend, zëri i të cilit shihet si vendimtar për procesin e integrimit evropian. Kësaj duhet t’i shtohet me siguri një notë personale që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka futur në raportet e tij me kancelaren Angela Merkel, gjë që opozita e ka kritikuar shumë shpesh.