4 perditesime
13:56

Lajçak thotë se i kërkoi mbështetje opozitës për dialog: Takimet ishin konstruktive

Emisari  i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se takimet me partitë opozitare kanë qenë konstruktive, raporton Ekonomia Online.

Pas takimit me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, Lajçak tha se ka kërkuar mbështetjen e tyre në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kërkova mbështetje të dialogut, pasi arritja e një marrëveshje përfundimtare është në të mirën e Kosovës. Partitë opozitare kanë eksperiencë në dialogun, dhe për mua ishte e rëndësishme të dëgjojë mendimin e tyre. Po ashtu besoj që do të jenë konstruktiv. I konsiderojë këto takime shumë të rëndësishme dhe jam i kënaqur me rezultatet”.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në takim me Lajçakun, ka folur rreth rëndësisë së përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. 

Haradinaj tha se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Biseduam për pritjet dhe i prezantova qëndrimin e AAK-së që synojmë një marrëveshje obligative gjithëpërfshirëse për njohje reciproke, Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistues, sepse kjo marrëveshje nëse arrihet jo vetëm që i zhbllokon shumë çështje që kanë mbetur pezull si statusi i vendit kandidat, liberalizimi, kjo marrëveshje e shpejton zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin në NATO. Është tepër me rëndësi roli i presidentit Biden, në mënyrë që një marrëveshje e tillë të ketë përkrahjen e aleatëve tanë”.

Ndërsa, Haradinaj nuk ka komentuar çështjen e hapjes së arkivave të UÇK-së.

Ndryshe, gjatë ditës Lajçak është takuar edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

12:15

Krasniqi: UÇK-ja nuk ka arkiva, kush e thotë i bën favor Serbisë

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se është njoftuar nga emisari për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak për zhvillimet e fundit në dialog.

Ai ka thënë se ka shprehur qëndrimet e PDK-së lidhur me këtë proces.

Krasniqi ka thënë se sa i përket çështjes së arkivave në dialog, fokusi duhet të jetë në çështjet e mëdha dhe nuk duhet që më çështje sporadike të ikë nga obligimet.

Sipas tij, UÇK-ja nuk ka pasur arkiva, duke shtuar se kushdo që e thotë një gjë të tillë, shkakton konfuzione.

“Për ne është e rëndësishme që dialogu të ketë epilogun e vet dhe interesi dhe kërkesa jonë është që të përfundojë sa më shpejtë dhe normalisht që përfundimi të sjellë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran pa i cenuar themelet e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se PDK-ja është partia e vetme që qysh herët e ka platformën e vet të dialogut.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kreun e PDK-së, ka nisur takimin me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku. Mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje në fillim të takimit.

 

 

10:37

Konjufca në takim me Lajçakun: Dialogu të rezultojë me njohje reciproke

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me përfaqësuesen e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë takimit Konjufca ka thënë se dialogu duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë dhe ka përsëritur qëndrimin se rendi kushtetues, sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme.

"Asnjëherë nuk do të pranojmë që këto postulate të shtetit tonë të jenë temë e bisedimeve me Serbinë", tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit po ashtu vuri në spikamë angazhimet parlamentare lidhur me miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me ato të BE-së, duke ritheksuar se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Lajçak është në vizitë treditore në Kosovë. Ai vizitën e nisi të mërkurën, ku pati takim me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Sot gjatë ditës do të takohet me krerët e partive opozitare si dhe me përfaqësues të OJQ-ve e po ashtu me Odën Ekonomike të Kosovës.

Lajçak pas takimit me Konjufcen ka mbërritur në zyrat e PDK-së. Ai do të takohet me kryetarin e kësaj partie, Memli Krasniqi.

 

08:54

Nis takimi Lajçak-Konjufca

Ka nisur takimi i emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca.

Ky takim është në kuadër të vizitës që Lajçak e ka nisur mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë ditës ai do të takojë edhe liderët e partive opozitare dhe përfaqësuesit e Organizatave joqeveritare.

08:07

Lajçak vazhdon vizitën në Kosovë

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme takimet me krerë të institucioneve dhe me përfaqësues të bizneseve.

Takimin e parë Lajçak do ta zhvillojë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, që pritet të fillojë në orën 08:45.

Në orën 16:00, diplomati i BE-së do të takohet edhe me drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme Lajçak u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe më zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Kurti përmes një komunikate për media ka dhënë pak detaje rreth këtij takimi. Mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit.

Kurti riktheksoi se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë. U bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit.