5 perditesime
14:05

Kurti: E ardhmja për Kosovën është BE-ja, dallimet nuk ndikojnë në marrëveshjet e nënshkruara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nëse ndonjë nga marrëveshjet e arritura sot me Maqedoninë e Veriut do të mund të cenohet nga fakti se Kosova nuk është pjesë e Ballkanit të Hapur.

Kurti ka thënë se Kosova është e orientuar nga Bashkimi Evropian, por se asnjë nga marrëveshjet e nënshkruara nuk do të cenohet pavarësisht dallimeve që mund të kenë vendet sa i përket Ballkanit të Hapur.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim, marrëveshje e zbatim të tyre në aspektin bilateral Kosovë – Maqedoni e Veriut. Mbledhja e sotme e dy qeverive është dëshmi për këtë. Jemi të orientuar kah e ardhmja. E ardhmja për ne është Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian është fati ynë, ndërsa Evropa është kontinenti ynë. Prandaj Republika e Kosovës mbështet të gjitha iniciativat rajonale ku është BE-ja e të cilat janë në BE. Natyrisht të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, asnjë prej tyre nuk do të mund të cenohen pavarësisht ndonjë dallimi që mund të kemi”, tha Kurti.

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se Kosova është e pavarur dhe sovrane, e mund të ndërtojë qëndrimet e veta dhe e respekton këtë. Ai tha se Ballkani ka nevojë për dialog e marrëveshje të ndryshme. Zaev po ashtu tha se gjitha marrëveshjet në rajon janë për një të ardhme më të mirë në BE të gjithë Ballkanit Perëndimor.

“Për mua, sot është një ditë historike, në këtë konferencë të parë ndërqeveritare me 30 vjet pavarësi të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe 13 vjet pavarësi të Kosovës. Unë vetëm do të them se Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, ne i ndërtojmë pikëpamjet tona mbi to dhe i respektojmë ato pikëpamje. Si person, unë do të them se jam i njohur për arritjen e marrëveshjeve, dëshmi e kësaj janë marrëveshja me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës”, u shpreh Zaev.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vullneti i përbashkët që treguan në mbledhje është garancion që ajo që u nënshkrua në letër të zbatohet.

Sipas tij, zbatimi i këtyre marrëveshjeve është kuptimi i ditës së sotme dhe serioziteti që shfaqëm jam i bindur që të gjitha këto marrëveshje të zbatohen.

13:58

Kurti: Mbledhja e sotme është etapë e re e intensifikimit të bashkëpunimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së dy qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka thënë se mbledhja e sotme është moment historik në bashkëpunimin mes dyja vendeve.

Ai ka thënë se kjo mbledhje u mbajt për ta intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve.

Kurti ka shprehur ngushëllime për viktimat në Spitalin e Tetovës dhe atyre që kanë vdekur nga COVID-19.

“Mbajtëm mbledhjen e përbashkët që është shprehje e vullnetit për të shënuar etapë të re të bashkëpunimit. Bashkërendimi dhe politika dhe puna në projekte të përbashkëta konsiderojmë që përmirëson jetën e qytetarit është obligim i yni. Sot nënshkruam 11 marrëveshje në fusha të ndryshme. Para mbledhjes së dy qeverive me kryeministrin Zaev mbajtëm një takim bilateral. Si vende me synime të përbashkëta e kuptojmë që luftimi i krimit dhe korrupsionit është i rëndësishëm për ecjen tonë. Qeveria jonë e re është ngritur dhe qëndron e fort në rrugën për drejtësi”, ka thënë ai.

13:56

Zaev: Kosova, ndër partneret më të rëndësishme të Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka vlerësuar lartë atë që është folur e nënshkruar sot mes dy qeverive.

Të enjten në Shkup, u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Maqedonisë dhe Kosovës, me ç’rast u nënshkruan 11 marrëveshje e memorandume.

“Edhe pse seancë e zhvilluar në kushte pandemie, është shprehje e qartë e vullnetit dhe fqinjësisë së mirë. Në këtë seancë të përbashkët, në plan të parë i kemi vendosur marrëveshjet dhe memorandumet që të lehtësojmë zhvillimin e ekonomik të dy vendeve. Për Maqedoninë, Kosova është një ndër partnerët më të rëndësishëm. Vjet kishim 357 milionë dollarë qarkullim, e sivjet presim të kalojë 400-milionëshin”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se vendi i tij përkrah dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja si dhe mbështetet të drejtën e kosovarëve për liberalizim vizash.

“Do të ndajmë gjithë përvojën tonë me këtë”, tha ai.

12:24

Marrëveshjet që do të nënshkruhen mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Shefi i stafit të kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka treguar për 11 marrëveshjet që Kosova do të nënshkruajë me Maqedoninë e Veriut sot në mbledhjen e përbashkët të qeverive.

Në mesin e marrëveshjeve është studimi i fizibiletit të rrugës Prizren – Tetovë, rregullimi kufitar i komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorin e energjisë, turizëm.

“Sot Qeveria e Kosovës nënshkruan 11 marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Disa nga marrëveshjet: studim i fizibilitetit për rrugën ’Prizren–Tetovë’; bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale”, ka shkruar Dalipi në Facebook.

10:46

Nis mbledhja e dy qeverive Kosovë-Maqedoni e Veriut

Ka nisur të mbahet mbledhja e dy qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij qeveritar kanë shkuar në Maqedoni për të zhvilluar këtë mbledhje.

Ai është pritur nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

08:57

Sot mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët qeveritare, që do të udhëhiqet nga kryeministri Zoran Zaev dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Para nisjes së seancës së përbashkët do të ketë ceremoni të pritjes zyrtare, takim kokë më kokë mes kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Kurti si dhe takime bilaterale mes ministrave të dy qeverive.

Siç njoftuan dje nga Qeveria, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve nga sfera e infrastrukturës, energjetikës, ekonomisë, turizmit dhe sigurisë, inovacionit teknologjik si dhe marrëveshje për diasporën.

Fillimisht takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Takimi është planifikuar të zhvillohet në ora 11:00.

Në ora 11:30-12:30 mbahet mbledhja e përbashkët e dy Qeverive.

Në ora 12.30 fillon ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve/memorandumeve në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Pas mbledhjes, nga ora 13:30-14:00, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, do të mbajnë konferencë për media.