1 perditesime
Arbëri

Ambasada britanike njofton se 117 afganë sot do të zhvendosen nga Kosova për në Britani

Ambasada britanike njofton se 117 afganë sot do të zhvendosen nga Kosova për në Britani
Afganët duke u larguar nga Kosova
13:07

Ambasada britanike njofton se 117 afganë sot do të zhvendosen nga Kosova për në Britani

Ambasada e Britanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se sot 117 afganë, ish-punonjës në NATO, do të nisen për në Britani, pasi kanë qëndruar fillimisht në Kosovë.

Ambasada ka treguar se 2000 ish-punonjës afganë në NATO dhe familjarët e tyre janë evakuuar në total nga Afganistani. Ndërsa 800 prej tyre kanë akomoduar përkohësisht në Kosovë.

“Forcat e armatosura të Britanisë nën komandën e NATO-s janë vendosur në Kosovë dhe janë në ballë të operacionit për të përkrahur strehimin e tyre dhe zhvendosjen. Britania është e përkushtuar të strehojë afganë që kanë punuar në NATO. Jemi shumë falënderues për bujarinë e Kosovës në mikëpritjen e këtyre njerëzve në nevojë dhe që kanë ndihmuar NATO-n në këtë periudhë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.

Image
11:14

Nis largimi i afganëve nga Kosova

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës "Adem Jashari", të enjten pritet të largohen rreth 117 shtetas afganë, të cilët ditë më parë ishin strehuar në Kosovë, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Destinacioni i grupit të parë që pritet të largohet thuhet të jetë Britania e Madhe.

Ky grup që po largohet, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.

Këta shtetas afganë erdhën në Kosovë pasi nuk ishin të sigurt më në Afganistan, kur vendi ra në duart e talibanëve.

Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.

Në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj ishin të vendosur rreth 810 refugjatë, kurse 161 në kampin amerikan Bondsteel, po ashtu në Ferizaj.

Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë. \ REL