Arbëri

Basha i reagon Ramës: Shqipëria ka për detyrë të mbështesë Kosovën

 

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka folur për mospajtimet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë rreth nismës për “Ballkanin e hapur” dhe ka arsyetuar mbështetjen për të, atij i ka reaguar lideri i PD-së, Lulzim Basha. Sipas Bashës, për Shqipërinë do të ishte e udhës të fokusonte të gjitha energjitë te Procesi i Berlinit, te thithja e fondeve të vëna në dispozicion dhe në përkrahjen për Kosovën si shtet i barabartë mes shteteve te rajonit, në çdo marrëveshje e dokument

Bashkëpunimi rajonal nuk mundet kurrë të nisë nga Novi-Sadi, por nga Mitrovica, shqetësimi ynë duhet të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç janë për Vuçiqin serbët e Kosovës. Kështu ka komentuar lideri i PD-së, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, rreth nismës “Ballkani i hapur” dhe marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me Albin Kurtin e Aleksandar Vuçiqin.

“Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësia e mirë ngrihen mbi baza proporcionaliteti dhe jo vasaliteti”, ka deklaruar Basha, për të shtuar se pas çdo fotoje që Vuçiq bën me Ramën maskohet ambicia e tij për atë që ai e quan “bota serbe”.