2 perditesime
10:59

Vitia: Rekomandim i IKSHPK-së është që shkollat të mbesin të mbyllura

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit para deputetëve në komision parlamentar, tha se rekomandim i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik është që shkollat të vazhdojnë të jenë të mbylluara edhe pas 26 shtatorit, kur përfundon afati i masave aktuale anti-COVID.

Vitia tha se po shqyrtohen të gjitha mundësitë se si do të vazhdohet tutje.

“Mbi 50 raste të fëmijëve kanë qenë të hospitalizuara. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë janë duke bërë thirrje të vazhdueshme, që jo vetëm mësimdhënësit të vaksinohen, por edhe prindërit, që kur të fillojë procesi të mos ketë nevojë të mbyllen pasi të paraqiten raste”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se janë duke bërë përgatitje që kur të hapet shkollat të mos ketë mbyllje më. Sa i përket gastronomisë, ka thënë se janë duke hartuar masat që në gastronomi nga 27 shtatori të aplikohen masat kufizuese që të hyhet në lokale me certifikatë të vaksinimit, me test PCR apo serologjik.

Zemaj akuzon Vitinë për keqmenaxhim të pandemisë

Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i ka thënë ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, se “në situatë normale dhe në një Qeveri të përgjegjshme ju sot nuk do të ishit këtu për të raportuar”.

“Më shumë jeni marrë me punë periferike se sa me menaxhimin e situatës pandemike. Nuk kam çfarë të shtoj më shumë se për një muaj kemi humbur mbi 700 qytetarë dhe ju nuk ndiheni përgjegjës për keqmenaxhim apo mosmenaxhim të kësaj situate, duke filluar nga qershori”, ka theksuar ai.

Sipas tij, masat kanë qenë ad-hoc. Lidhur me këto akuza, Vitia ka thënë se MSH-ja fokusin kryesor e ka pasur menaxhimin e pandemisë, por që sipas tij, janë edhe qindra punë të tjera që duhet të kryhen në MSH dhe që siç ka thënë, ato nuk janë periferike.

“Ju garantoj se pandemia ka qenë sfida kryesore dhe përqindja më e madhe e punës ka qenë në këtë drejtim. Unë në asnjë moment nuk kam tentuar as nuk tentoj që t’i iki përgjegjësisë”, ka thënë ai. Sipas tij, në asnjë moment nuk ka thënë se është mposhtur pandemia.

10:32

Vitia e vlerëson të suksesshëm menaxhimin e pandemisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vlerëson se falë masave që ka ndërmarrë Qeveria, është ulur numri i rasteve me COVID-19 në vend.

Ai në raportimin para deputetëve në komision parlamentar tha se Kosova ka menaxhuar mirë situatën, edhe pse krahasuar me vendet e rajonit, popullata është më pak e vaksinuar.

“Masat e ndërmarra kanë dhënë rezultat duke shënuar ulje të rasteve, përkundër që shkalla e vaksinimit krahasuar me vendet e rajonit ka qenë më e ulët”, tha Vitia.

Aktualisht në Kosovë janë mbi 7.000 raste aktive me COVID-19.

10:16

Vitia: Kosova i ka edhe 400 mijë doza në stok, do të vijnë edhe 500 mijë deri në fund të vitit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19 ka thënë se nga prilli i këtij viti ka propozuar masa për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Sipas tij, deri më tani janë miratuar 10 vendime për masa.

“Kemi bërë fushata vetëdijesuese, natyrisht me domosdoshmërinë e vaksinimit. Janë rekrutuar 1450 profesionistë shëndetësorë dhe janë në proces të rekrutimit edhe të tjerë”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se për herë të parë janë ofruar barna pa pagesë që ndihmojnë në trajtimin e pacientëve me COVID.

Ka thënë se janë në dispozicion 1 mijë e 200 shtretër për pacientë me COVID.

Ka thënë se pas sigurimit të vaksinave ka miratuar planin dhe deri më tani janë administruar 1 milionë e 200 mijë doza të vaksinës. Sipas tij, në stok janë edhe 400 mijë doza. Ka thënë se deri në fund të vitit do të arrijnë edhe 500 mijë doza dhe se deri në fund të vitit pritet që të vaksinohen 70 për qind e popullatës.

Vitia ka thënë se situata me furnizim me barna ka qenë në nivel të ulët dhe numri i kontratave të nënshkruara për barna ka qenë 24 apo në përqindje 11.65 për qind. Në të njëjtën situatë sipas tij ka qenë edhe furnizimi me material shpenzues dhe se numri i kontratave ishte 12 apo 15.79 për qind.

Ka thënë se për të adresuar këtë çështje është kërkuar mjete shtesë, pasi nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm.

“Kemi hasur shumë probleme që është dashur që të merremi qysh në fillim”, ka thënë ai, duke përmendur mungesën e barnave, materialeve shpenzuese dhe mjeteve për mbulimin e pagave për specializantë.

Ministri Vitia ka folur edhe për telashet që sipas tij, ishin në këtë sektor kur e mori ai drejtimin.

“Kemi hasur teste të prokuruara me çmime të ndryshme nga UNOPS-i dhe MSH-ja dhe për këtë lënda është tek organet e drejtësisë. Tenderi për insulina është i bllokuar nga OSHP-ja dhe për këtë lënda është tek organet e hetuesisë. Projekti kapital për Spitalin e Ferizajt përkundër hapave që kemi marrë nuk kemi arritur që të vazhdohet. Ky projekt dhe kjo lëndë është dërguar tek organet e drejtësisë”, ka thënë ai.