2 perditesime
19:18

Me përsëritjen e pyetjeve të njëjta, mbrojtja tenton nxjerrjen e kundërthënieve

Saranda Ramaj

Një nga çështjet më të diskutuara në ditën e tretë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur në gjykimin kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka qenë nëse e ka parë ose jo të akuzuarin në rrahjen e pretenduar për të cilën po dëshmon.

Pjesën më të madhe të ditës dëshmitarit pyetje i ka parashtruar avokati i të akuzuarit, Julios Von Bone.

Avokati ka insistuar shumë që dëshmitari t’ia shpjegojë nëse kishte identifikuar ndonjë njëri që ka marrë pjesë në rrahjen e dytë.

E brenda pak minutash në serinë e këtyre pyetjeve dëshmitari ka pasur përgjigje kontradiktore.

”Ka qenë terr, nuk kam parë asgjë”, tha dëshmitari.

Me pas ka insistuar se Salih Mustafa ishte i pranishëm aty, por kur është pyetur më detajisht ka thënë se “logjikisht Salih Mustafa mund të ketë qenë aty”.

“Unë e di se ma vonë, e di se kryesori ka qenë i akuzuari. Unë nuk e kam pa më herët... Ndoshta kur i kanë ndezë do bateria aty kanihere, e kom pa si person, por s’po më kujtohet se ka qenë terr. Logjikisht tjetër kush nuk ka mujt mem rreh, pos ai. Ai u kon kryesor aty. Çka ka thanë ai, u bo aty”, tha dëshmitari.

E pastaj, me nervozizëm, i ka kërkuar avokatit të mos i bëjë më pyetje të tilla për Mustafën.

Avokati megjithatë në formë bashkëbisedimi, nëpërmjet pyetjeve direkte dhe të shkurtra, ka këmbëngulur që dëshmitari të tregojë se si e ka kuptuar që i akuzuari me nofkën “Cali” ishte në Zllash, ku pretendon që e ka mbajtur UÇK-ja.

Kësaj pyetjeje ky avokat i është kthyer disa herë, derisa dëshmitari e bëri të qartë se ai me sytë e vet nuk e ka parë të akuzuarin. Pas insistimit të mbrojtësit ai është përgjigjur se nga kush e ka mësuar emrin e Salih Mustafës.

“Gruaja më ka thënë në shtëpinë time”, tha ai.

Menjëherë pas pyetjes pasuese të avokatit se a ishte takuar gruaja e dëshmitarit ndonjëherë në jetë me të akuzuarin, gjykata e mbylli seancën për publikun.

Sikur edhe ditët e tjera një pjesë e madhe e seancës ka qenë private.

Në pjesën e tretë të seancës gjyqësore avokati Von Bone e pyeti detajisht në lidhje me trajtimin e tij spitalor, pasi ishte larguar nga Zllashi ku pretendohet se është mbajtur nga UÇK-ja.

Ia ka prezantuar dëshmitarit një dokument që nuk ka qenë i qasshëm për mediat. Dëshmitari ka thënë se e kishte gënjyer mjekun për arsyet e sëmundjes, e avokati Von Bone i është kundërpërgjigjur me një fjali se sa e rëndësishme është që të mos gënjehet.

“Marre edhe këtu që po e përmend që më ka rreh UÇK-ja e lere më të mjeku. Nuk është mirë me më rreh, nuk u kanë mirë”, tha dëshmitari.

“ Nuk është mirë me e gënjye doktorin, a po pajtohesh me mua që nuk është mirë me gënjye doktorin. Pra, pse ti një njëri që ishe viktimë që të kishin rrah të vinte turp nga një mjek spitali”, tha avokati i Mustafës, Julius von Bonne.

Pas përfundimit të intervistës së dëshmitarit nga ana e avokatit, prokurori Cezar Michalzuk sërish ka kërkuar kohë, siç ka thënë, për t’i sqaruar disa gjëra.

Fillimisht ia ka lexuar deklaratat e bëra me parë, e ka kërkuar nga ai që të përqendrohet për përgjigje.

Dëshmitari edhe në pyetjen e prokurorit konfirmoi që ka dëgjuar emrin “Cali”, që është nofka e të akuzuarit. Megjithatë, identifikimin se bëhet fjalë për Salih Mustafën thotë se e ka bërë duke u bazuar në kapelë, uniformë, por nuk ka përmendur ndonjë tipar fizik të identifikimit.

“Me thanë të drejtën se kom njohur kush ishte ai person kështu, po e kom dëgju herë-herë, e kom dëgju tu përmend komandant, komandant, edhe në bazë të shenjave, kapelës te kuqe dhe uniformës që ka pas e kom dit që u kon qaj person dhe aj më ka rreh dytën here, qaj person”, tha dëshmitari.

Ky dëshmitar ishte planifikuar që të përfundonte të mërkurën, por intervistimi i tij vazhdon edhe të enjten.

17:09

Prokuroria kërkon nga dëshmitari të tregojë nga erdhi në përfundim se Mustafa e rrahu

Prokurori Cezar Michalzuk i ka kërkuar dëshmitarit të parë në rastin e Salih Mustafës, që të konfirmojë nëse deklarimet që i ka dhënë në qershor të vitit 2019 qëndrojnë.

Michalzuk e ka pyetur nëse qëndron deklarimi dhënë se personi që e rrahu ishte i akuzuari. Ai ishte personi i njëjtë që e rrahu edhe herën e parë edhe herën e dytë.

Ndërsa më pas e ka pyetur se a e ka dëgjuar emrin Cali gjatë qëndrimit atje.

Dëshmitari ka thënë se po ka dëgjuar gjatë qëndrimit atje kur i referoheshin tjerët.

Ai është pyetur se nëse ka dëgjuar nga të tjerët që t’i referoheshin me komandant të akuzuarit Salih Mustafa.

Dëshmitari ka konfirmuar se po.

“Me të thënë të drejtën nuk e kam njohur atë person kështu. Por e kam dëgjuar herë herë duke u përmendur komandant komandant, në bazë të kësaj dhe kapelës së kuqe e uniformës e kam ditur se është ai person. Edhe herën e dytë ka qenë ai person. Më ka quar lartë e më ka rrah”, tha dëshmitari.

Gjatë pyetjeve që mbrojtja i bëri dëshmitarit, ai kishte thënë se s’ka pasur mundësi ta shihte se kush e ka rrahur. Por, ai kishte thënë se ka dëgjuar këtë më pas nga tjerët.

Kurse, ai ka mohuar se i akuzuari i është prezantuar me emër, e avokati ka vazhduar të insistojë në pyetjen se nga e di dëshmitari se i akuzuari është personi që po e rrihte.

“Zotëri, atë personin që po ma përmend qe 100 herë, nuk ki nevojë me ma përmend qaq shumë herë, unë kam tregu që nuk e kam njoft as se kom dit kush o as që o problemi , me uniformë, s’jom kon budall e kom dit kush o, aj zotnia që ti pe mbron o qiky, qaj osht. Mos me qit mo qisi pytje se pom doket pak palidhje”, i është përgjigjur dëshmitari avokatit.

Tutje, avokati ka vazhduar me insistimin se nga e di dëshmitari se ishte i akuzuari ai person e nga kush e ka dëgjuar këtë, ndërkaq dëshmitari është deklaruar se nuk di të tregoj nga kush e mësoi këtë.

“Po nuk di me të tregu nga kush e mësova, por shumë njerëz ka pas e kanë dit krejt në fund”, ka thënë ai, duke iu drejtuar avokatit se gjendet aty për të dhënë dëshmi për vete e jo për dikë tjetër.

Tutje, avokati mbrojtës ka kërkuar të di nga dëshmitari se a e ka verifikuar vet informacionin që ka marrë nga të tjerët lidhur me të akuzuarin, e dëshmitari konfirmoi këtë.

“Krejt ushtria që u kon në Zllash e dinë që qiky person u kon aty kryesori, jo veç një person por e din krejt dhe e dini ma mirë se une, as un se kam pru kta ktu, kush e ka pru se di, as s’pom intereson për to”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari është pyetur edhe për një skicë që ka bërë duke thënë se UÇK-ja ishte një kilometër larg nga Policia Ushtarake në Zllashë.

Avokati mbrojtës Julius von Bonne e ka pyetur se si ka mundur ta bëjë këtë skicë kur nuk ka mundur të dinte e të shihte.

“Po foli bre burrë. Ma ka marrë mendja, se nuk e kam matur. Nuk jam ekspert. Ma merr mendja qashtu ka qenë”, ka thënë dëshmitari, që ka shtuar se ka lindur andej dhe e njeh mirë vendin.

Seanca ka mbaruar për sot dhe do të vazhdojë nesër nga ora 11:30.

11:03

Dëshmitari thotë se s’ka pasur mundësi të shihte kush e ka rrahur

Dëshmitari i parë në Gjykatën Specialen në rastin ndaj Salih Mustafës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë në një rast se nuk ka pasur mundësi të shihte se kush e ka rrahur.

“Nuk kam pasur mundësi të shihja kush më ka rrahur”, ka thënë ai kur është pyetur nga avokati i Mustafës për të përshkruar pretendimin e tij për rrahje.

Dëshmitari po ashtu ka thënë se gjatë rrahjes ka dëgjuar vetëm një herë një emër, të cilin e ka konsideruar të çuditshëm.

Kjo është dita e tretë që ky dëshmitar po dëshmon në rastin ndaj Mustafës.