1 perditesime
16:17

Kurti: Kosova e gatshme për dialog, por Serbia po refuzon

Kryeministri Albin Kurti ka folur sot rreth tensioneve të fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet nga Serbia që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ai gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka ritheksuar se vendimi për targat e Serbisë është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.

“Në asnjë vendkalim kufitar nuk ka pasur incidente, ndërsa Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”, ka thënë Kurti, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

Lidhur me situatën aktuale kryeministri ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it, dhe se Kosova është e gatshme për dialog, porse Serbia po refuzon.

Ndërsa, kryekuvendarja Nikolla ka thënë se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Ajo e falënderoi kryeministrin Kurti për ndihmën që shteti i Kosovës ia ka ofruar Shqipërisë gjatë tërmetit të gati para dy vjetëve dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve që shpërthyen shkaku i temperaturave të larta.

Kurti ndërkaq përgëzoi Nikollan për zgjedhjen kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe u pajtua që duhet intensifikim i bashkëpunimit, sepse siç tha ai, janë të gjitha mundësitë që të zëmë hapin si komb. Po ashtu tha se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

12:04

Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Të bëhemi bashkë që krimet serbe të dihen botërisht

Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka bërë thirrje për bashkëpunim më të madh të institucioneve në Kosovë e Shqipërisë për të ngritur zërin për krimet serbe të kryera në Kosovë.

Në vizitën e saj të parë nga pozicioni i ri politik, Nikolla ka thënë se ndihet e emocionuar që gjendet në Kosovë. Ajo ka thënë se ka hapësirë të mjaftueshme për të shtuar bashkëpunimin.

Bashkimin Evropian e ka quajtur destinacion të të dyja shteteve.

“S’kemi kohë për të humbur. Të fillojmë me forca të shtuara, me sinergji të re bashkëveprimi e bashkërendimi që rezultatet të jenë edhe më të prekshme. E theksova edhe në fjalën time teksa mora detyrën që bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Parlamentin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës sime në përgjegjësinë e lartë në drejtimin ep unëve të Kuvendit të Shqipërisë. Sot ramë dakord për të nxitur bashkëpunimin e jo vetëm ta lëmë në planin emocional e të dëshirave, por të bashkërendojmë me plan konkret takimesh e agjendash e fokus për rezultate për qytetarët. Do të institucionalizojmë mbledhjet e komisioneve dhe delegacioneve parlamentare. Të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë të rivitalizojmë njohjet e reja për Kosovën dhe të ndalim ofensivën e Serbisë për çnjohje. Krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht e të dijë bota se Serbia ka kryer krime ndaj njerëzimit”, ka thënë ajo në konferencën e përbashkët me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, Konjufca ka thënë se Kosova është përherë falënderuese për mbështetjen që ka dhenë Shqipëria. Ai ka thënë se vendin e presin shumë sfida, por përkrahja e Shqipërisë e mbush me kurajë Kosovën.