1 perditesime
16:16

Ministri Rakiq e përfaqësues të Listës Serbe shkojnë në Bërnjak

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq dhe përfaqësues tjerë të Listës Serbe kanë shkuar pasditen e së enjtes në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, ku po qëndrojnë protestues serbë në shenjë proteste ndaj vendimit të Kosovës për reciprocitet me targa me Serbinë.

Kjo rrugë ka hyrë në ditën e katërt si e bllokuar, ndërsa sot edhe katër kamionë të tjerë, të mbushur me zhavorr, kanë bllokuar rrugën në afërsi.

Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti u shpreh se s’do të ndëshkojë Rakiqin, që ka qëndruar disa herë me protestuesit si formë mbështetjeje për ta. Ai ka thënë se beson që Rakiq është përpjekur që situata të mos eskalojë.

15:44

Është bllokuar rruga në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak

Katër kampionë kanë bllokuar rrugën në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak.

Kamionët janë të mbushur me zhavorr.

Disa metra nga bllokimi i rrugës janë duke qëndruar dhjetëra qytetarë serbë, ndërsa para bllokadave është e vendosur Policia e Kosovës.

Në mediumet serbe më herët ishte raportuar se janë rrahur tre serbë në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, lajm të cilin e demantoi Policia e Kosovës.

Edhe në Bërnjak shkaku i bllokimit të rrugës po duhet kaluar pika kufitare në këmbë.