Arbëri

Kërkohet reagim ndërkombëtar ndaj idesë së Vuçiqit për bllokimin e shqiptarëve të Luginës

 

Shqiptarët e Luginës në Serbi e kanë vlerësuar raciste dhe antinjerëzore deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se ekziston një ide për të mos lejuar qarkullimin e tyre për në Kosovë. Përfaqësues të shqiptarëve atje kanë kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve për këtë gjuhë të Vuçiqit, e cila në Kosovë vlerësohet si absurde. Ideja është kundërshtuar edhe në Serbi, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për këtë çështje

Reagim ndërkombëtar kanë kërkuar shqiptarët që jetojnë në Serbi pas deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rreth mbylljes eventuale të kufirit për shqiptarët e Luginës.

Si kundërpërgjigje ndaj reciprocitetit me targa, Vuçiqi tha se ekziston ideja që të mbyllet pika kufitare e Konçulit dhe përmes saj të kalojnë vetëm serbët. Kjo, sipas tij, do të bëhej në mënyrë që shqiptarët e Bujanocit dhe të Medvegjës të mos kenë kontakte me shqiptarët e Kosovës.