4 perditesime
23:21

Vrajolli: Taksa ishte njëfarë hakmarrje, vendimi për targat parimor

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, ka krahasuar taksën 100% e vendosur më parë ndaj produkteve serbe dhe tash vendimin për masë reciprociteti për targat e veturave.

Ai në Interaktiv të KTV-së tha se e para ishte njëlloj hakmarrje ndaj Serbisë, kurse kjo e fundit ka të bëjë me parime.

Serbia ka vite që aplikon të njëjtën masë për veturat me targa të Kosovës.

“Nëse e shikojmë vendimin për tarifën, atëbotë ka pasur reagime në start, ka qenë njëfarë asimetrie, ka qenë njëfarë hakmarrje, që komuniteti ndërkombëtar nuk e ka vlerësuar si masë të duhur. Në këtë rast nuk ka pasur reagime kundër. Reagimet kundër do të ishin në kundërshtim me parimet, të cilat shtetet në fjalë i implementojnë në shoqëritë e tyre. Ky problem duhet të zgjidhet, qytetarët e dyja vendeve duhet të lëvizin pa barriera”, ka thënë Vrajolli.

23:17

Vrajolli: Në plan afatgjatë Kosova duhet ta shohë Serbinë si kërcënim serioz

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, thotë se në plan afatgjatë Kosova duhet ta shohë Serbinë si kërcënim serioz.

Vrajolli në Interaktiv të KTV-së ka folur për matjet e barometrit të sigurisë për vitin e kaluar, ku 44 për qind e të anketuarve e kishin konsideruar Serbinë si kërcënim.

“Në matjet e barometrit të sigurisë, dolën se janë 44 për qind që e shohin Serbinë si kërcënim. Qytetarët gjithmonë kanë qenë të brengosur nga fenomenet që e rëndojnë jetën e tyre. E kanë konsideruar më tepër kërcënim papunësinë, korrupsionin e fenomene të tilla, sesa Serbinë. Ndoshta mund të kenë ndikuar zhvillimet e fundit, për një lëvizje të caktuar të disponimit. Por qytetarët janë të vetëdijshëm se Serbia është e njëjta edhe tani. Rrethanat nuk kanë ndërruar në Kosovë. Në plan afatgjatë mendoj se Kosova duhet ta shohë Serbinë si kërcënim serioz, dhe çdo kërcënim tjetër që është i hapur. Rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë ka filluar implementimin. Pritet kohë e gjatë për t’u implementuar”, ka thënë Vrajolli.

23:12

Vrajolli: Kërcënimet e Serbisë janë të vazhdueshme, KFOR-i nuk heq dorë nga mandati në Kosovë

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, ka thënë se kërcënimet nga Serbia kanë qenë të vazhdueshme përgjatë vitesh. Në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Kosova ka misionin ndërkombëtar ushtarak në kuadër të NATO-s që ndihmon në siguri dhe se ai nuk heq dorë nga mandati në Kosovë.

Vrajolli ka shtuar se bllokadat në veri pas taksës së vënë për automjetet që hyjnë në Kosovë, helikopterët të cilët po afrohen deri në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, janë metoda të presionit që Serbia po i bën. 

“Kosova ka një kohë të gjatë që është e kërcënuar nga Serbia. Ne kemi një mision ndërkombëtar ushtarak në kuadër të NATO-s që operon këtu. Është vështirë e besueshme që KFOR-i do të heqë dorë nga mandati që ka. Duhet të besojmë se KFOR-i do ta implementojë mandatin. Ajo që bën Serbia në territor të vetin është jashtë kompetencës së KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës. Është një nga metodat e presionit”, ka thënë ai.

Veprimet e Serbisë tash e nëntë ditë në pikat kufitare, Vrajolli tha se janë tendencë “për të treguar forcën në raport me Kosovën”.

23:07

Vrajolli: Kosova po e kryen mirë punën në veri, s'ka nevojë për reagim të KFOR-it

Mentor Vrajolli, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë vlerëson se policia dhe institucionet tjera në Kosovë po kryejnë mirë punën në veri.

Ai në një intervistë në Interaktiv, tha se kjo nuk i lë hapësirë KFOR-it për të reaguar.

“Institucionet e Kosovës po tregojnë performancë të mirë për të mos pasur nevojë për reagimin e KFOR-it. Deri më tash vendimet po zbatohen, e drejta për protestë është e garantuar dhe policia e institucionet tjera duhet ta respektojnë këtë. Këto rrugë të bllokuara më së shumti i afektojnë qytetarët e pjesës së veriut, andaj duhet pritur një reagim”, ka thënë Vrajolli.

23:02

Vrajolli: Masa për targa e drejtë, situata në veri vetëm një test

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, e vlerëson të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se ky është një test i situatës në veri. Ndërsa ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që ka synuar të bëjë implementimin në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe në veri.

“Ka qenë gjendja në veri pak më e tensionuar sesa periudhave paraprake. Është një test i situatës atje. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet tutje. Është vendim i drejtë nga institucionet e Kosovës. Masa ka qenë e drejtë për faktin se ka pasur asimetri në trajtim të qytetarëve në Kosovë dhe atyre në Serbi. Ka hapur mundësi të rishikohet pozicioni i palës tjetër e të rihapet kjo çështje. Qeveria ka bërë mirë që ka synuar ta bëjë të implementueshëm në gjithë territorin e Kosovës. E dimë se nga e kaluara çdo vendim i Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë ka sjellë reagime, sidomos në veri dhe ndoshta ky ka qenë vlerësimi që Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë e kanë bazuar dërgimin e Njësisë Speciale në veri. Njësia Speciale nuk është atje për të treguar forcën, por si përforcim për policët e thjeshtë, dogianierët e zyrtarë të institucioneve që punojnë atje”, ka thënë Vrajolli në Interaktiv të KTV-së.