2 perditesime
22:19

Kosova pranon marrëveshjen për targat dhe uljen e tensioneve, Serbia ende jo

Gjatë gjithë ditës, nga orët e hershme të mëngjesit e deri vonë në mbrëmje, në Bruksel janë zhvilluar takime të njëpasnjëshme për të gjetur zgjidhje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Por kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nuk janë takuar mes vete. Ata kanë pasur disa takime radhazi me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Në ato takime janë përfaruar qëndrimet që kanë sjellë deri te hartimi i një marrëveshjeje, e cila mundëson një zgjidhje të përkohshme për targat, por edhe për heqjen e njësive speciale të Kosovës nga pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë, me kusht që të hiqen edhe bllokadat nga rrugët që çojnë në këto pikëkalime kufitare.

Por në orët e mbrëmjes ishte vetëm shefi i delegacionit të Kosovës për dialog, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ai që tha se është rënë dakord për draftin e marrëveshjes, duke shtuar se “ka mbetur që me këtë tekst të pajtohet edhe pala serbe”.

Bislimi pasi foli për gazetarët u nis për në aeroportin e Brukselit për t’u kthyer në Prishtinë.

Menjëherë pasi mediat njoftuan për prononcimet e Bislimit, nga BE-ja, por edhe nga ambasadat përkatëse amerikane - në Kosovë dhe në Serbi - erdhën prononcime se “takimet ende vazhdojnë” dhe se “akoma nuk ka marrëveshje” edhe pse ka “progres”.

Ajo që dihej ishte se takimet mund të kenë vazhduar me palën serbe, sepse delegacioni i Kosovës tashmë ishte larguar nga Brukseli. Kështu u bë e qartë se Beogradi kishte më shumë probleme për të pranuar disa pika të marrëveshjes në fjalë, dhe për këtë BE-ja dhe SHBA-ja e panë të rrugës që të dalin me njoftime se “ende po vazhdojnë takimet dhe përpjekjet”.

Zëvendëskryeministri Bislimi më vonë po ashtu u prononcua edhe një herë përmes rrjeteve sociale, duke thënë se “shpreson që pala serbe të bindet për ta pranuar të pandryshuar tekstin e draftit të marrëveshjes”.

Duke u bazuar në burimet e tyre nga Qeveria e Serbisë, në mbrëmje edhe mediat serbe njoftuan se “akoma nuk është arritur marrëveshja”.

Pra e gjithë ajo që dihej rreth zgjidhjes deri në orët e vona të mbrëmjes mbeti ajo që tha Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar, i cili u dakordua pothuajse në tërësi dhe ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final. Nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha Bislimi.

Më tej ai tha se, sipas asaj draft-marrëveshjeje, të shtunën, më datën 2 tetor, forcat e KFOR-it do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, dhe disa orë pas vendosjes së tyre do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe zhvendosja e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Sipas fjalëve të tij, tërheqja e njësive speciale do të ndodhte vetëm pasi të hiqeshin edhe barrikadat nga rruga.

Pjesa tjetër e marrëveshjes, gjithnjë sipas Bislimit, parasheh që nga e hëna, më 4 tetor, në orën 08:00, të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të letrave ngjitëse, me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetar i Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë më nevojë të heqë tabelat e tyre dhe të vendosin ato të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

Bislimi tha po ashtu se do të formohen edhe grupe punuese që do të punojnë në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për targat dhe ato grupe do të nisin punën nga fundi i muajit tetor. Sipas tij, marrëveshja do të jetë e përkohshme dhe do të kërkohet një zgjidhje afatgjate që do të siguronte lirinë e lëvizjes.

Gjatë ditës së mërkurë në Bruksel kishte qëndruar edhe zëvendësndihmëssekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar. Ai ishte takuar herët në mëngjes me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar tha se ndodhet në Bruksel për të mbështetur përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar, duke shtuar se palët duhet t’i kthehen dialogut për të zgjidhur përmes tij të gjitha çështjet e hapura mes tyre.

Në fund të ditës, mediat serbe raportuan se takimi i të dërguarit të BE-së Lajçak me zyrtarin serb Petkoviq ka përfunduar dhe Beogradi ende nuk e ka pranuar marrëveshjen e propozuar. Sipas agjencisë shtetërore serbe Tanjug, takimi i delegacionit serb me Lajçakun ka mbaruar në orën 21:00, Qeveria e Serbisë nuk është dakorduar ende me draft-marrëveshjen, ndërsa nuk dihet nëse bisedimet do të vazhdojë të enjten.

© KOHA Ditore

Fotolegjenda: Në orët e mbrëmjes ishte vetëm shefi i delegacionit të Kosovës për dialog, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ai që tha se është rënë dakord për draftin e marrëveshjes, duke shtuar se “ka mbetur që me këtë tekst të pajtohet edhe pala serbe”. Të mërkurën Beogradi nuk e pranoi marrëveshjen – sipas BE-së bisedimet do të vazhdojnë të enjten


 Bisedimet vazhdojnë të enjten

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se bisedimet "për gjetjen e zgjidhjes për krizën ne veri”, për targat dhe uljen e tensioneve do të vazhdojnë të enjten.

Sipas një burimi diplomatik, bisedimet që u përmbyllën të mërkurën vonë, duke pritur pajtimin e Serbisë, do të vazhdojnë edhe të enjten. Ai tha se bisedimet “vazhdojnë me palët”.

Mbetet e paqartë nëse Kosova, e cila e ka pranuar marrëveshjen e propozuar, do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, meqë shefi i delegacionit kosovar, zëvendëskryeministri Bislimi, pas takimeve të mërkurën u nis për në Prishtinë.

20:08

Bislimi: Shpresoj që pala serbe të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një postim në Facebook, ka treguar për draftin final me të cilin është dakorduar pala kosovare, por se pritet edhe dakordimi i palës serbe, që ende nuk po pranon çështjen sa i përket trajtimit të veturave me KM.

Ai ka thënë se shpreson që pala serbe të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim.

Bislimi ka thënë se sipas draftit final të dakorduar, KFOR-i më 2 tetor do të vendoset në vendkalimet në Jarinjë e Bërnjak dhe atje do të qëndrojë për dy javë së paku e mund të largohet në rast se qetësohet tërësisht situata.

“Ne jemi treguar të gatshëm që të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zotit Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe pas përafrimeve të vazhdueshme kemi arritur tek një draft final me të cilin pala kosovare jemi dakorduar. Pikat kryesore të këtij drafti final janë sa vijon:

1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kemi një marrëveshje valide”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

 

Sot përgjatë gjithë ditës, ekipi yne dhe ai i Serbise kishim takime bilaterale me z. Miroslav Lajçak, me synim gjetjen e...

Posted by Besnik Bislimi on Wednesday, September 29, 2021

 

18:24

Arrihet draft-marrëveshje në Bruksel për targat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është arritur një dakordim në parim për situatën sa i përket targave.

Ai ka thënë se është arritur një draft-marrëveshje, e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe. Bislimi ka thënë se sipas marrëveshjes, pritet që nga dita e hënë të vendosen stikersat në vend të targave, ndërsa do të caktohet një grup punues për të gjetur zgjidhje të përhershme rreth targave brenda gjashtë muajve. Grupi punues do të nisë punën nga 21 tetori. Po ashtu pritet që Policia e Kosovës të zëvendësohet me KFOR-in në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“Kemi pasur disa takime, të gjitha ishin bilaterale, me z. Lajçak, i cili pastaj ka ndërmjetësuar mes palëve. Qëllimi për ne ka qenë i qartë të arrijmë deeskalimin e të ruajmë reciprocitetin me targa. Deri tash kemi arritur te një draft-final, që thuajse është dakorduar në tërësi. Ka mbetur vetëm pala serbe të jap dakordimin final. Marrëveshja parasheh tri elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjidhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave mes vendeve, brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendsohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare”, ka thënë ai.

Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë se qëllim ka qenë trajtimi i barabartë dhe se targat kanë qenë mjet për të detyruar Serbinë të largojë procedurat ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Për Kosovën është me rëndësi të promovohet liria e lëvizjes, barrierat që kemi vendosë në ndërrimin e tabelave nuk ka qenë dëshirë e jona por ka qenë mjeti i vetëm me të cilin ne kemi tentuar të detyrojmë Serbinë të largojë procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë”, ka thënë ai.

Ka shtuar se grupi punues do të fillojë punën nga 21 tetori dhe se objektiv i tij do të jetë që të mos ketë asnjë barrierë e që shtetet t’ia njohin njëra tjetrës në tërësi tabelat.

Bislimi sot në Bruksel ka zhvilluar takime me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak. Në Bruksel gjendet edhe drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Palët kanë zhvilluar takime individuale me Lajçakun, ndërsa ende nuk ka pasur një takim trepalësh.