Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez, deklaroi në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës se "e ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE".
Reuters njoftoi dje, duke cituar katër diplomatë dhe tekstin e një dokumenti të brendshëm, se Bashkimi Evropian, nga frika e një reagimi politik në shtetet anëtare, nuk mund të garantojë më anëtarësim të sigurt në të ardhmen për gjashtë shtetet e Ballkanit, të cilave u ishte premtuar se në kohën e duhur do të mund të anëtarësohen.
Pisonero u shpreh se "Komisioni Evropian është i vendosur fort për të përmirësuar procesin e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut".
"Të dy vendet kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe ne mbështesim plotësisht fillimin zyrtar të negociatave të pranimit deri në fund të vitit, siç theksoi presidentja e KE, Ursula von der Layen, gjatë vizitës së saj në rajon. E ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE ", vijoi ajo.
Pisonero shton se "politika e zgjerimit është një investim strategjik në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës" dhe se udhëheqësit e BE-së kanë thënë vazhdimisht, përfshirë në samitin e fundit në Zagreb, se ata janë të përkushtuar pa mëdyshje ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka thënë se samiti i ardhshëm në Brdo do të jetë një mundësi e rëndësishme jo vetëm për të konfirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por edhe për të ndërmarrë hapa praktikë drejt integrimit të mëtejshëm dhe për të filluar zbatimin e planit ekonomik dhe investues për rajonin.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.