Arbëri

Pa vlera perëndimore, as anëtarësim e as fonde miliardëshe

 

“Unë nuk e përkraha caktimin e një date për pranimin e tyre në BE”, ka deklaruar kancelarja Angela Merkel, pas samitit të mbajtur në Slloveni. Vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas saj, mund të anëtarësohen atëherë kur i plotësojnë kushtet. Plotësim kushtesh e ndërtim vlerash evropiane ka kërkuar edhe kryeministri Kurti, kur është pyetur për ndarjen e 30 miliardë eurove për vendet e rajonit në shtatë vjetët e ardhshëm. Jo vetëm ai, por edhe të tjerë zyrtarë të BE-së e shohin me shqetësim afërsinë e Serbisë me Rusinë e Kinën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndarja e dhjetëra miliarda eurove nga Bashkimi Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërlidhet me vlerat e BE-së. Në një intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”, në margjina të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Slloveni të mërkurën, Kurti ka thënë se ndarja duhet të bëhet duke u bazuar në të dhënat që tregojnë shtetet mbi sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

“Bloombergu” i ka cilësuar thirrjet e Kurtit si të rralla për më shumë mbikëqyrje të BE-së në rajonin që po shihet gjithnjë e më shumë i pakënaqur me ngurrimin e përshpejtimit të procesit të zgjerimit.