1 perditesime
Arbëri

Miratohet koncept-dokumenti për vetingun, procesi planifikohet të zgjasë 5 vjet

Miratohet koncept-dokumenti për vetingun, procesi planifikohet të zgjasë 5 vjet
Foto: Driton Paqarada / KOHA
19:25

Miratohet koncept-dokumenti për vetingun, procesi planifikohet të zgjasë 5 vjet

Hapat e parë drejt nisjes së vetingut në sistemin e drejtësisë i ka bërë këtë të mërkure Qeveria e Kosovës.

Anëtarët e kabinetit qeveritar kanë dhënë pëlqimin e tyre për koncept-dokumentin për zhvillimin e këtij procesi.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore janë dy mundësitë e propozuara nga grupet punuese për të bërë një gjë të tillë.

“Vetingu do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur nga gjyqtarët dhe jo nga gjyqtarët të zgjedhur nga Kuvendi dhe Presidenca, për hir të balancimit të pushteteve me prani të ndërkombëtarëve. Koncept-dokumenti që kemi përpara i hap rrugë këtij procesi kaq të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë”, tha Kurti.

Pas miratimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se planifikojnë që me vetingun të fillojnë nga vitit i ardhshëm e i gjithë procesi të përmbyllet brenda një periudhe 5-vjeçare.

“Planifikimet tona janë që brenda këtij viti dhe fillimit të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm të punojmë në amendamentet kushtetuese dhe po ashtu në ligjin e veçantë për vetingun. Ndërsa pjesa e dytë e vitit të ardhshëm të themelohet komisioni, mekanizmi i vetingut për sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Ekzekutivi, ndër të tjera, ka marrë vendim për shkarkimin e bordit të drejtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini Pejë”.

Sipas zëvendës-kryeministrit Besnik Bislimi, kjo kompani ka dështuar të bëjë kontrollin e duhur të cilësisë së ujit të pijshëm, gjë që, siç tha ai, ka çuar në helmimin e dhjetëra qytetarëve në Deçan.

“Raporti e IKSHPK-së që është zhvilluar pas rastit të hulumtimeve epidemiologjike në terren ka konstatuar që ndotja në disa pika të ujësjellësit në Komunën e Deçanit është rezultat i dezinfektimit apo klorizimit jo të rregullt”, tha Bislimi.

Pas vendimit për shkarkim ka reaguar një pjesë e Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje. Nëpërmjet një komunikate, ky bord, tashmë i shkarkuar, ka thënë se vendimi është politik dhe se për të do të ankohen.

Të mërkurën Qeveria e Kosovës po ashtu ka shpallur xhudisten Majlinda Kelmendi qytetare me merita të veçanta për kontributin e dhënë në promovimin e sportit të xhudos në arenën vendore e ndërkombëtare.

10:37

Qeveria miraton koncept-dokumentin për vettingun

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept dokumentin për zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ky dokument ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në mbledhjen e mbajtur sot në Qeveri.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se grupi punues i themeluar nga Ministria e Drejtësisë kanë hartuar koncept-dokumentin dhe kanë propozuar metodologjinë e mbarëvajtjes së procesit të vettingut.

“Grupi punues ka propozuar si mundësi të dytë realizimin e vettingut përmes ndryshimeve ligjore. Vettingu do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur. Fazë e parë e vettingut do të mbulojë vlerësimin e këshillit Gjyqësor e Prokurorial, zyrën e Prokurorit të shtetit e të Gjykatës Supreme dhe pozitave të larta”, ka thënë ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se pas votimit të këtij dokumenti si MD menjëherë do të formojnë grupin punues i cili do të përgatisë ndryshimet kushtetuese të cilat do i përcjellën kuvendit.

“Paralel me këtë do të ftoj të gjitha grupet parlamentare për ndërtimin e konsensusit. Mekanizmi i vettingut do të ketë në mandat të tij verifikimin e integritetit moral profesional e të kontrollit të pasurisë. Planifikohet që i gjithë ky proces te nis vitin e ardhshëm dhe të përfundoj brenda periudhës 5 vjeçare”, ka thënë ajo.