4 perditesime
17:29

Kandiq thotë se nuk është më e sigurt të ulesh në tavolinën e negociatave me Petkoviqin

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, i ka reaguar drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviqit. Ky i fundit e quajti kryeministrin e Kosovës psikopat, pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri për luftimin e kontrabandës.

Kandiq ka pyetur nëse është normale që Petkoviq ta fyejë në këtë mënyrë kryeministrin Albin Kurti, teksa shtoi se nuk është më e sigurt të ulet në tavolinën e bisedimeve me Petkoviqin.

“A është normale që drejtori i zyrës për Kosovën të thotë për kryeministrin e Kosovës se ai është ‘një psikopat dhe i çmendur’. Ai i bën thirrje BE-së të reagojë me të njëjtin zemërim sepse policia e Kosovës po godet ‘njerëzit e paarmatosur’. Nuk është më e sigurt që të ulesh në tavolinën e bisedimeve me të”, shkroi Kandiq në Twitter.

15:14

Vuçiq mbërrin në Rashkë, takohet me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkuar në Rashkë, ku do të takohet me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë në kazermat lokale të Ushtrisë Serbe.

Sipas Tanjugut, ai do të vizitojë njësitë e Ushtrisë Serbe në kazermë, dhe gjithashtu do të vizitojë njësitë e xhandarmërisë.

13:21

Petkoviq: Nëse KFOR-i s’është i gatshëm të mbrojë serbët, ka kush

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vazhduar ta fyejë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e quajtur psikopat.

Petkoviq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nisur drejt Rashkës, qytet në kufi me Kosovën, ku në orën 15:00 do të ketë takim me udhëheqësit serbë të Kosovës.

Petkoviq po ashtu ka thënë se “serbët ka kush i mbron”.

“Nëse KFOR-i nuk është i gatshëm të mbrojë popullin serb, ka kush”, ka thënë Petkoviq.

Sot Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën ka ndërmarrë aksion në s humë qytete të Kosovës për të ndaluar kontrabandën. Derisa në qytetet tjera shkoi qetë, në veri aksioni hasi në rezistencë të serbëve lokalë.

Sipas njoftimit të Policisë, në aksion janë lënduar gjashtë policë, ndërsa vetëm në veri janë arrestuar tre të dyshuar. Në gjithë Kosovën janë arrestuar tetë persona.

12:01

Bërnabiq u bën ftesë ndërkombëtarëve: Frenojeni politikën e çmendur të Kurtit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, vlerëson se aksioni i sotëm në veri kundër mallrave të kontrabanduara, ka të bëjë me siç ka thënë ajo “politikën e çmendur të Kurtit”.

Ajo në një reagim pas ngjarjeve të sotme, ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare “të frenojë Kurtin”

"I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR-it, që të reagojnë urgjentisht dhe të frenojnë Albin Kurtin. Situata është më shumë se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin nevojitet një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Sjellja e tillë i ka tejkaluar të gjitha masat dhe kjo na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq, përcjell “B92”.

11:31

Reagimi i Serbisë për aksionin në veri: Kurti po shpik probleme për të sulmuar veriun

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës “ka të bëjë me kriminalizim të veriut”.

Sipas tij, derisa Beogradi po shikon të zgjidhë problemet përmes dialogut, kryeministri i Kosovës këtë po mundohet ta bëjë përmes shkaktimit të krizave.

Madje, ai ka thënë se ky aksion është “hakmarrje” për siç ka thënë ai “humbjen që Serbia ia shkaktoi Kosovës në Bruksel në lidhje me marrëveshjen për targat”.

“Prishtina po shkakton kriza të reja, po nxjerr në sipërfaqe probleme të paqena për të sulmuar veriun. Këtë po e bën në javën e fundit para zgjedhjeve. Ai po ndërmerr aksione të njëanshme dhe pasi ato i kanë dështuar, tash po shkon me skenarët B dhe C”, ka thënë Petkoviq, përcjell "b92.net".

Ai u ka dhënë edhe një mesazh trimërues serbëve në veri, se e “kanë Serbinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq pas vetes”.

Policia e Kosovës sot ka nisur aksion të gjerë për konfiskim të mallrave të kontrabanduara. Në veri të Mitrovicës është sulmuar nga serbët lokalë me gurë.

Veriu vlerësohet si një prej pjesëve ku kontrabanda është në nivelin më të lartë, për shkak të mosshtrirjes së mjaftueshme të institucioneve të Kosovës dhe për shkak të afërsisë së kufirit me Serbinë.