3 perditesime
17:08

Vuçiq: E telefonova Lajçakun, i thash t’i frenojë apo do t’i frenojmë ne

Vuçiq ka thënë se ka biseduar me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai thotë se i ka thënë Lajçakut që të frenojë palën kosovare, e nëse nuk është në gjendje të bëjë këtë, atëherë do t’i frenojë vet.

“Më thanë se jemi duke punuar dhe më pas i bënë ata të tërhiqen. Sidoqoftë, duhet të keni parasysh, sipas intelegjencës sonë, se për atë që bënë sot, ata kishin mbështetjen e së paku një shteti, dhe ky nuk është një vend i BE-së së sotme”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se më herët do të telefononte 50 persona, e sot e ka telefonuar vetëm Lajçakun.

“Sot e telefonova Lajçakun dhe ia thashë të gjitha, ndoshta e humba durimin, vetëm se BE-ja nuk e ka përmendur sërish dyja palët”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se është periudhë e vështirë.

Ai ka thënë se do të synojnë të zhduket Republika Srpska para pranverës, e kjo do të bjerë në shpinë të Serbisë. Po ashtu ka shtuar se Kosova ka përkrahjen e gjithë QUINT-it.

“SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, të gjithë QUINT-it, duhet të kuptoni të gjithë, se nuk do të heqin dorë nga Kosova e pavarur. Asnjë zgjidhje për Kosovën nuk është e mirë. Sot në veri të Kosovës kemi paga më të mëdha se në Rashkë, gjithçka mendoj njëjtë si ju, çdo rresht, por pyetja është se cili do të ishte reagimi ynë më i mirë.

“E kuptoj vendimin tuaj dhe do të kisha dëshirë që të kishit menduar në mënyrë më racionale. Nuk jam budalla të mos shoh se ishin emocionet tuaja, sido që të jetë Serbia dhe Beogradi janë me ju.

16:53

Vuçiq e quan Kurtin joracional, i bën thirrje NATO-s që të veprojë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, njeri joracional.

Vuçiq gjatë takimit në Rashkë me liderët e serbëve në Kosovë, ka thënë se ka disa fuqi perëndimore se po tentojnë të destabilizojnë Serbinë. Vuçiq thotë se ekzistojnë tri arsye pse e gjithë kjo po ndodhë.

“Dëshira e tyre është të destabilizojnë gjithçka në mënyrë, që ata të menaxhojnë më mirë proceset. Mos harroni se qëllimi i tyre nuk është vetëm një Kosovë e pavarur, por edhe dobësimi i Serbisë. A mendoni se ndokujt nga ta i konvenon që sot Serbia është e para me paga në rajon? Se mund të investojë më tepër në kisha, manastire, fabrika dhe në ushtrinë e saj? Sigurisht se kjo, për këtë duan të ngadalësojnë Serbinë. Sa i përket pikës së parë, ata nuk do të heqin dorë. Sot kam frikë se kemi dikë që është krejtësisht joracional në Prishtinë dhe kemi njerëz keqdashës në bashkësinë ndërkombëtare që duan konflikte dhe duan të na tërheqin në to, natyrisht se unë do të doja të ruaja paqen, por edhe u them se nuk kemi zgjidhje”, u drejtua Vuçiq.

Ai tha se emocionet janë të pranishme në gjithçka që po ndodh, duke shtuar se pavarësisht se çfarë ndodh Serbia e Beogradi do të përkrahë serbët në Kosovë.

Ai tregon se ka presione edhe në Republika Srpska.

“Ne po përballemi me një periudhë të vështirë. Do të ketë presion mbi Republika Srpskan, para pranverës do të kërkohet zhdukja e saj dhe gjithçka do të bjerë mbi supet e Serbisë. Vendet më të fuqishme në botë do të punojnë për gjithë këtë”, ka shtuar Vuçiq.

Ai ka thënë se nëse përsëriten ngjarjet e tilla, atëherë Serbia është e gatshme të mbrojë fëmijët e saj. 

“Unë nuk jam si të tjerët, kjo Serbi nuk është si dikur. Ne do të ruajmë paqen. E lus NATO-n që të kryejë punën e saj, i lus njerëzit nga Shqipëria që me dhunë të mos vënë rend, e nëse përsëritet kjo, atëherë përgjigja ime do të jetë e qartë si kristali. Në këtë luftë ku duhet të mbrojmë jetën e fëmijëve tanë, ju them me siguri, se ne do ta fitojmë atë”, ka thënë Vuçiq, që ka shtuar se është e pamundur të bisedohet me palën kosovare.

Vuçiq ka thënë se vet ka qenë ai që u ka bërë thirrje serbëve të mos sulmojnë ROSU-n.

Ai ka treguar se nuk do të lë një “Stuhi” të re.

“Kjo është arsyeja pse unë erdha këtu menjëherë. Serbia e Beogradi janë me ju”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka shtuar se nuk dëshiron të futet shumë në të kaluarën, por tregon se si ishte refuzuar pika 14 e marrëveshjes së Brukselit, për anëtarësimin e Kosovës në OKB. 

“Nuk dua të flas shumë për të kaluarën, ose për atë se sa ishim më parë e si ramë në 11 për qind. Unë do të kaloj nëpër zgjedhjet e këqija nga 99-ta, heshtje në pogromin tonë. Ku u fshehën përfaqësuesit tanë nën tryezë, ata pretenduan se lidhnin lidhëset e këpucëve, edhe kur Prishtina e shpalli pavarësinë e saj, dhe ne heshtëm në Beograd. Unë e di çfarë mendojnë njerëzit e zakonshëm. Por, unë do t’ju them diçka. Unë nuk nuk ju kam kërkuar që të jeni me mua sepse ju pëlqen diçka, sepse vështirë se ka ndonjë gjë të bukur që po ndodh në Kosovë e M. Unë jam plotësisht e sigurt se ju e dini shumë mirë që ne u luftuam dhe u përpoqëm të ruanim njerëzit dhe të mos rrezikonim të gjithë njerëzit dhe tërë Serbinë. Atëherë u refuzua e ashtuquajtura pika për anëtarësimin e Kosovës në OKB, edhepse thuajse gjithë ministrat e qeverisë së atëhershme të Serbisë ishin në favor të miratimit të saj”, ka thënë Vuçiq.

15:48

Ministri Rakiq në takim me Vuçiqin: Do të mbrohemi me çfarë kemi

Në Rashkë ka nisur takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe liderëve serbë në Kosovë. Në takim po marrin edhe shumë qytetarë serbë, të cilët, me radhë po i ankohen Vuçiqit “për gjendjen e rëndë të tyre”.

Ndërkohë, ministri në Qeverinë e Kosovës dhe kreu i Listës Serbe, Goran, Rakiq, në fjalën hyrëse i ka thënë Vuçiqit se “do të mbrohemi me çfarë kemi”.

Ky takim vjen pas aksionit të policisë së Kosovës në gjithë vendin për luftimin e kontrabandës, përfshirë edhe komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut e Zveçan.

“Herën tjetër nëse vije deri te një rast i tillë nuk do të mbetet me kaq, serbët do të mbrohen”, ka thënë Rakiq, që është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

15:22

Ministri Rakiq: “Veç edhe ajrin të na marrin, nuk durojmë më”

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, ka thënë se me aksionin e sotëm të Policisë në veri “është mbushur gota”.

Rakiq në një prononcim për media para nisjes për Rashkë ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “serbët nuk mund të durojnë e as nuk do të durojnë”.

“Nuk e di se sa njerëz do të jenë në takim me Vuçiqin, ndoshta 10-15 mijë, por ne nuk mund të durojmë më e as nuk do të durojmë. Me këtë është mbushur gota”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga Vuçiqi do të kërkohet sqarim “nëse do të ndihmojë serbët në veri apo jo”.

“Do të kërkojmë konkretisht a mund të na ndihmojë apo jo, a dëshiron të na ndihmojë apo jo, por duhet ta kemi këtë informatë qysh sot, pasi për ne është çështje jetë a vdekje”, ka thënë ministri i kabinetit qeveritar.

Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë aksion të gjerë në gjithë vendim për luftim të kontrabandës dhe në të gjitha qytetet ka shkuar gjithçka qetë, pos në veri ku ka pasur rezistencë të banorëve serbë.

“Ka mbetur të na marrin edhe ajrin, më nuk do të lejojmë”, shtoi Rakiq.

Gjatë aksionit, Policia ka njoftuar se janë lënduar 6 policë, ndërkohë që në gjithë vendin për kontrabandim me mallra ka arrestuar tetë persona e është në kërkim të pesë të tjerëve.