1 perditesime
23:14

Qeveria duhet të afrohet me komunitetin serb në veri, thotë Avdiu

Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka thënë se Policia e Kosovës në aksionin e sotëm në veri do të duhej të ishte më e ashpër, marrë parasysh sulmet e serbëve atje ndaj saj.

Avdiu ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se nga aksioni i sotëm dhe tensionimi i situatës atje, mund të kishte edhe viktima.

“Operacioni ishte për sundim të ligjit, jo si ai i para dy tri javëve ku bëhej fjalë për vendosje të masave të reciprocitetit. Këtu bëhet fjalë për një operacion i cili nuk do të duhej të lejohej nga Policia që protestues ose persona që inflirtohen në turma, të përdorin dhunë sepse kërcënohet aparati i Policisë së Kosovës në realizimin e një aksioni të thjeshtë policor, të cilat Policia i bën çdo ditë. Policia do të duhej, pavarësisht për kë bëhet fjalë, do të duhet të kishte reagim në raport me situatën. Po të ndodhte një veprim i tillë në një zonë tjetër të Kosovës, padyshim se Policia do të intervenonte”, ka thënë Avdiu.

Ai ka thënë se komuniteti serb në veri është i përkëdhelur në masë të madhe, për shkak të porosive që vijnë nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të punojë në drejtim të afrimit më shumë me komunitetin serb në katër komunat veriore.

“Problemin duhet ta shikojmë pak më gjerë, ajo çka duhet të bëjë Qeveria është të shikojë të gjitha modalitetet dhe mundësitë që të afrohet më shumë me komunitetin serb në katër komunat verior. Qeveria aktuale duhet ta nisë dialogun e brendshëm me serbët atje. Marrë parasysh bllokimin në dialog, Kosova duhet të mendojë se si t’i rikthejë këta qytetarë dhe t’i largojë nga ndikimi i Beogradit”, ka thënë Avdiu.

Ndërkaq, sa i përket deklaratave të ministrit për Kthim dhe Komunitet në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, Avdiu ka thënë se ai nuk do të duhej që nesër të ka kishte vendin në Qeveri.

23:07

Avdiu: Ishte situatë e tensionuar në veri, Policia e Kosovës u tregua e butë

Hulumtuesi i lartë në Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu, ka thënë se aksioni i sotëm kundër kontrabandimit të mallrave i pasuar nga sulme të serbëve në veri, nuk ishte plotësisht i suksesshëm pasi që nuk u arrit caku.

Në Interaktiv të KTV-së, Avdiu ka thënë se aksionet në veri gjithmonë politizohen nga Serbia, ndërsa shtoi se këtë herë kjo gjë u bë edhe nga vetë Bashkimi Evropian.

“Ishte aksion i zakonshëm i policisë por fatkeqësisht aksionet që ndodhin gjithmonë në veri arrijnë të politizohen jo vetëm nga Serbia por si e pash edhe nga BE. Si i tillë, përfshinte 4 qytete, aksioni nuk e di a mund të quhet plotësisht i suksesshëm sepse nuk u arrit caku i kërkuar. Është pozitive që vitet e fundit është arritur që të ketë aksione të policisë jo për ta frikësuar komunitetin serb por për shkak të kontrabandës”.

Shqetësuese, i quajti ai, “deklarimet nga pjesëtarët e qeverisë serbe, sidomos nga Rakiq dhe nga Serbia”.

Avdiu ka thënë se Serbia vazhdimisht tenton që aksioneve apo veprimeve të ngjashme t’u japë karakter etnik. Sipas tij, Policia e Kosovës karshi sulmeve që ndodhën në veri kundër tyre, u tregua e butë.

“Karakteri etnik gjithmonë tenton t’ia japë Serbia, por në këtë rast ishte e pasuksesshme sepse Policia e Kosovës u tregua tepër fleksibile dhe tolerante në situatë. Kishte pamje tronditëse, ku nuk di nëse ishin grupe kriminale apo qytetarë të thjeshtë. Ishte situatë bukur e tensionuar dhe Policia e Kosovës për mendimin tim, u tregua e butë, pasi sipas asaj që tregoi drejtori i policisë kishim të bënim me armatim luftarak, armatim që përdoret nga ushtritë”.