2 perditesime
15:10

KQZ: 26,95% e qytetarëve kanë votuar deri në ora 15:00, votimi po vazhdon pa probleme

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se deri në ora 15:00 kanë votuar 26,95% e qytetarëve me të drejtë vote.

Radoniqi ka thënë se procesi i votimit po vazhdon në të gjitha vendvotimet dhe se votimi në përgjithësi është duke vijuar pa ndonjë problematikë me rëndësi për raportim.

“Procesi i votimit po vazhdon në të gjitha vendvotimet. Votimi është u vijuar pa ndonjë problematikë. Ne kemi informacion është se sa i përket parregullsive minore, qendra operative është marrë me çështjet dhe çdo gjë është duke shkuar në rregull. Kemi të bëjmë me disa çështje që nuk kanë ndonjë rëndësi për raportim. Një votues është ankuar se ka shkuar të votojë, por nuk e ka gjetur emrin në listë. Janë disa që nuk janë edhe aq të rëndësishme për procesin zgjedhor pasi të gjitha janë evidentuar dhe janë rregulluar nga qendrat e votimit”, ka thënë Radoniqi.

Kryesuesi i KQZ-së ka folur edhe futjen e zyrtarëve policorë në një qendër votimi, e po ashtu edhe për mosrespektimin e masave antiCOVID në disa raste.

“Unë kam komunikuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë. E kemi sqaruar këtë çështje. E kemi marrë informatën. Nuk do të futen brenda përveç nëse ftohen. Policia i di të gjitha. Nuk mund të jap informacione më shumë, por me gjasë ata e kanë vërejtur se nuk bën të hyjnë e kanë dalur. Sa i përket mosrespektimit të masave, e kam marrë këtë informacion dy apo dy orë e gjysmë më parë. Kemi dërguar urdhëresa në secilin vendvotim që duhet respektuar në maksimum masat. Edhe për këtë KQZ-ja ka ndërmarrë masa”, ka thënë Radoniqi.

11:08

KQZ: Deri në ora 11:00 votuan 8,2% e qytetarëve me të drejtë vote

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se deri në ora 11:00, pjesëmarrja në votime ka qenë 8,2%, apo rreth 152,000 votues nga mbi 1,800,000 qytetarë me të drejtë vote.

Ai ka thënë se vendvotimet janë hapur të gjitha me kohë, në tërë Kosovën.

Kryetari i KQZ-së foli edhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke thënë se nuk i kanë statistikat e të burgosurve që kanë votuar deri më tash.

“Procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë incident që do të dëmtonte procesin zgjedhor. Ne kemi një listë të incidenteve minore, të cilat nuk ndikojnë në proces zgjedhor. Janë të raportuara disa raste dhe policia është duke u marrë me to, ndërkaq për rastet më të mëdha është njoftuar edhe Prokuroria. Gjashtë (raste) janë që jemi njoftuar ne”, ka thënë Radoniqi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masovisht për të votuar.

08:08

KQZ: Në ora 07:00 janë hapur të gjitha qendrat e votimit

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se në ora 7:00 janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet, në 38 komuna të Kosovës ku po zhvillohen zgjedhjet.

Elezi ka thënë se numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën është 883 ndërkaq i vendvotimeve është 4,477.

“Sipas planifikimeve, në ora 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet, në të gjitha qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit është 883 me 4,477 vendvotime”, ka thënë Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në ueb faqen e KQZ-së po vazhdon të funksionojë aplikacioni ku çdo qytetar mund të njoftohet me vendvotimin e saktë.