1 perditesime
Arbëri

DnV: Dalja në zgjedhje në komunat me shumicë serbe, tri herë më e lartë se në komunat tjera

DnV: Dalja në zgjedhje në komunat me shumicë serbe, tri herë më e lartë se në komunat tjera
Foto: Driton Paqarada/KOHA
12:13

DnV: Dalja në zgjedhje në komunat me shumicë serbe, tri herë më e lartë se në komunat tjera

Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale është relativisht e ulët, me përjashtim të komunave me shumicë serbe.

Eugent Cakolli nga DnV-ja ka thënë në një konferencë për media se dalja e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe është tri herë më e lartë në krahasim me komunat e tjera.

“Është evidentuar pjesëmarrje relativisht të ulët në votim, më përjashtim të komunave me shumicë serbe ku mesatarja e daljeve në zgjedhje është tri herë më e lartë në krahasim me komunat tjera në vend”, ka thënë Cakolli.

Ai ka shtuar se edhe në këto zgjedhje janë evidentuar vështirësitë në gjetjen e emrit në listat e votuesve.

“Vështirësitë e gjetjes së emrit në listat e votuesve problem edhe në këto zgjedhje. Në më shumë se 1/3 e vendvotimeve janë raportuar raste ku 1-10 votues kanë pasur vështirësi në gjetjen e emrit në lista”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, deri më tani nuk janë raportuar raste të theksuara të asistencës së palejuar, ndërkohë që po respektohen masat anti-COVID.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se vëzhguesit nga terreni nuk kanë raportuar për raste të ushtrimit të presionit te votuesit e as për prani të zyrtarëve politikë nëpër qendra të votimit.

Sa i përket nivelit të votimit, në mesin e 7 komunave më të mëdha, prin Prishtina me 8,32% ndërkohë që Prizreni ka daljen më të ulët, me vetëm 6%.

Ndërkaq, komuna me pjesëmarrjen më të ulët është Dragashit ku vetëm 4,49% deri më tani kanë ushtruar të drejtën e votës.

08:56

DnV-ja thotë se procesi zgjedhor po zhvillohet në rregull

Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 110 vëzhgues nëpër qendra të votimit në nivel vendi.

Sipas DnV-së, 80% e Qendrave të Votimit janë të qasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike ndërsa nuk është hasur në materiale propaganduese në perimetër prej 100m nga QV.

Sipas vëzhgueseve, 96% të Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat anti-COVID në fuqi janë vendosur në 95% të QV në nivel vendi.

Në anën tjetër, në mëngjes është raportuar se komisionerët janë të pajisur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) në mbi 95% të vendvotimeve, ndërsa pajisja me dorëza është në nivelin afër 50%.

Siguria e procesit zgjedhor është duke u garantuar nga Policia e Kosovës, e cila është prezente në hyrje të pothuajse të gjitha Qendrave të Votimit.