2 perditesime
17:32

PDK-ja thotë se sonte do të ketë festë për demokracinë

Nënkryetarja e parë e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se procesi i zgjedhjeve lokale është cilësuar i mirë dhe inkurajues.

Përmes një konference për media, Çitaku tha se sonte do të ketë festë për demokracinë.

Deri në orën 15:00, në nivel vendi kanë dalë për të votuar 26.95 për qind e qytetarëve.

 

13:10

Çitaku: Demokracia të jetë fituesi më i madh në këto zgjedhje

Nënkryetarja e parë e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se sot është dita vendimtare për të ardhmen 4-vjeçare të komunave të Kosovës.

Çitaku në një konferencë për media i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë.

“Sot është dita vendimtare për të ardhmen 4-vjeçar të komunave tona. Sot qytetaret e Republikës e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. I ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të dalin e të votojnë. Me votën e tyre sot, do të fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Çitaku ka shtuar se PDK-ja ka të angazhuar mbi 8,000 aktivistë në këto zgjedhje të cilët siç tha, japin të dhëna inkurajuese dhe pozitive.

“Shpresoj që demokracia të jetë fituesi më i madh në këto zgjedhje”, është shprehur Çitaku.


AAK-ja: Përveç disa problemeve me energji elektrike, procesi zgjedhor po shkon shumë mirë

Floriana Leku-Sadiku nga Zyra për Media e AAK-së ka thënë se sipas të dhënave që kanë ata, përveç disa problemeve në disa qendra votimi me energji elektrike, procesi zgjedhor po shkon shumë mirë.

Sadiku ndër të tjera falënderoi të gjithë akterët që po kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Sot është ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit, qytetarët në të gjitha komunat e Kosovës do të vendosin se si do qeverisin për katër vitet e ardhshme. Sipas të dhënave që kemi nga shtabet tona, përveç disa problemeve me energji elektrike në disa qendra votimi, nuk është hasur në ndonjë problem tjetër. Pra, procesi zgjedhor po shkon shumë mirë. I bëjmë thirrje qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka thënë ajo.

12:13

LDK-ja: Pritshmëritë tona janë pozitive, indicet e para janë pozitive

Udhëheqësi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se presin që një pjesë të konsiderueshme të komunave t’i fitojnë pa balotazh, duke shtuar se kanë pritshmëri pozitiva, ashtu siç janë, sipas tij, indicet e para.

Gashi tutje ka kërkuar nga KEDS-i dhe KQZ-ja t’i evitojnë problemet me energji elektrike, siç ka ndodhur në disa qendra votimi, sipas Gashit.

“Sot e kemi një ditë të gjatë. Kjo është një konferencë që mbahet nga shtabi zgjedhor i LDK-së. Deri sot kemi angazhuar rreth mbi 2 mijë e 600 komisionerë, vëzhgues, mijëra aktivistë që sot punojnë për LDK-në. Procesi ka filluar sipas kohës së paraparë. Ka pas disa probleme të vogla me energji elektrike, por përgjithësisht ka qenë proces i mirë. Prandaj e ftoj KEDS-in dhe KQZ-në që të gjitha votimet të jenë me energji sidomos gjatë natës. LDK-ja fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë. Ne presim që një pjesë e konsiderueshme të komunave t’i fitojmë pa balotazh. Pritshmëritë tona janë pozitive, indicet e para janë pozitive”, ka thënë Gashi.

Kosova sot voton për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të komunave me mandat katër-vjeçar.