Gjithçka pas përfundimit të votimeve

Në shumë komuna ka nisur festa e partive të ndryshme për zgjedhjet lokale të 2021-s. Partitë janë shprehur optimiste për rezultatet e para, ndërsa tashmë ka nisur zyrtarisht edhe numërimi i votave. Projeksioni i KOHËS ka nxjerrë të parin Arben Vitinë e Vetëvendosjes në Prishtinë, por ai do të hyjë në balotazh me Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çdo zhvillim të pas orës 19:00, mund ta gjeni më poshtë:
00:10 - Ahmetaj: Javën tjetër mund të përfundojë i tërë procesi zgjedhor
Kryeshefi i Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR), Burim Ahmetaj, ka deklaruar se në rast se procesi i numërimit të votave shkon në mënyrë të rregullt, deri në javën e ardhshme mund të përfundojë ky proces.
Në një deklarim për KTV-në, Ahmetaj theksoi se javën e ardhshme mund të dihen fituesit e zgjedhjeve komunale dhe se cilat komuna do të shkojnë në balotazh. Sipas tij, në ora 01:30 pas mesnate pritet të arrijë materiale i ndjeshëm zgjedhor nga komunat e Kosovës, dhe se ky proces i pranimit të përfundojë deri nesër para mesnatës.
“QNR-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike, stafi po përgatitet për arritjen e materialit. Ndër masat që ka marrë KQZ-ja është vëzhgimi i proceseve të punës përmes kamerave të sigurisë. Sipas raporteve, një pjesë e komunave i kanë përfunduar procedurat. Në ora 01:30 pritet të arrijnë materialet zgjedhor nga komunat e Kosovës. Ky të përmbyllet deri nesër para mesnatës”, ka thënë Ahmetaj.
Kryeshefi i QNR-së theksoi se në procesin e numërimit të votave po punojnë rreth 700 persona, që po punojnë në tri ndërrime nga 8 orë.
23:21 - Rrustemi uron Ahmetin, ka një mesazh për qytetarët e Lipjanit
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kreun e Lipjanit, Adnan Rrustemi, ia ka uruar fitoren kandidatit të LDK-së, Imri Ahmeti, derisa ka thënë se asamblistët e zgjedhur nga VV-ja “do të jenë këtu për t’u siguruar që nuk dëmtohet interesi publik”
“Unë falënderoj nga thellësia e zemrës secilin qytetarë që ka besuar në platformën tonë dhe na ka votuar. Ndërsa, aktivistë të dashur e të mrekullueshëm, ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme”, thuhet në statusin e tij në Facebook.
“Me fushatën dinjitoze i keni dhënë peshë Lipjanit dhe e keni nderuar atë, e mua më keni bërë borxhli të përjetshëm. Me atë çfarë kam parë në dijen, kreativitetin e përkushtimin e juaj, jam krejt i bindur që shumë shpejt, Lipjani ju përket juve ashtu sa ju Lipjanit.”
22:24 - Abdixhiku: LDK-ja është rikthyer
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se kjo parti është rikthyer fuqishëm në këto zgjedhje, duke e fituar Pejën, Lipjanin dhe Fushë-Kosovën.
Përmes një konference për media, Abdixhiku tha se rikthimi i LDK-së është arritje por mbi të gjitha përgjegjësi, që duhet ta ushtrojë me kujdes.
“LDK-ja ka siguruar raundin e dytë dhe kemi siguruar raundin e parë në: Pejë, Lipjan dhe Fushë-Kosovë. Jemi duke pritur edhe në Gjilan dhe në Podujevë. 46 për qind në Podujevë. Jemi në raundin e dytë edhe në Komunën e Junikut”, ka thënë i pari i LDK-së.
Ai theksoi se festën sonte do ta zhvillojë në Podujevë.
21:50 - Rakiq: Pa asociacion nuk do të ketë as institucione të Kosovës
Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, ka thënë në një konferencë për gazetarë se kandidatët e Listës Serbe kanë fituar në zgjedhjet lokale në 10 komunat që janë të banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Ai theksoi se janë duke luftuar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Nëqoftëse nuk fillojnë bisedimet për asociacionin në muajin e ardhshëm , nuk do të ketë më as institucione të Kosovës ”, tha Rakiq.
Dalja më e madhe e votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit është shënuar në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.
Në Zveçan kanë votuar rreth 84 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 5.773 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit 6.879 sa janë të regjistruar me të drejtë vote.
Në vendin e dytë, për kah pjesëmarrja në votime është Leposaviqi, me 74 për qind të votuesve apo mbi 8.500 prej 12.707 personave me të drejtë vote.
Pjesëmarrje e lartë në votim është shënuar edhe në komunat tjera me shumicë serbe në Kosovë, sikurse Mitrovica e Veriut me 67 për qind, Novobërda me 60 për qind, Zubin Potoku me 64 për qind dhe Shtërpca me 57 për qind.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar në zgjedhje lokale është rreth 43 për qind.
Ndërkaq në zgjedhjet komunale të vitit 2017 përqindja ishte 43.5 për qind.
Këto ishin zgjedhje të rregullta lokale dhe të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Në këto zgjedhje, për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.
Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë./REL/
21:38 - VV-ja e bindur në fitoren e Haskukës
Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se i kanë fituar zgjedhjet në Komunën e Prizrenit, dhe se bindshëm për prijnë të parët.
Në një konferencë për media nga VV-ja deklaruan se nuk e dinë ende se a do të fitojnë pa balotazh, pasi nuk i kanë të gjitha rezultatet.
“Nuk mund të themi a fitojmë pa balotazh sepse s’i kemi ende të gjitha votat, unë mundem vetëm t’ia uroj fitoren kryetarit Mytaher Haskuka.”
Aktualisht në Prizren sipas rezultateve të KQZ-së VV-ja po prin me rreth 10 mijë vota, pasuar nga Shaqir Totaj i PDK-së me rreth 7 mijë vota.
21:27 – Vitia: Herët është të flitet për balotazh, rezultati aktual është i jashtëzakonshëm për VV-në
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka deklaruar se rezultati aktual është i jashtëzakonshëm për këtë parti, dhe sipas tij, janë dukshëm duke prirë karshi kundërkandidatëve.
Vitia deklaroi për KOHËN se janë duke punuar në procesimin e të dhënave që po i marrin nga komisionerët nëpër qendra të numërimit, derisa ka shtuar se ditën e sotme ka fituar qytetaria.
“Të dhënat që i kemi ne, është një diferencë e jashtëzakonshme. Derisa të përfundojnë të gjitha të dhënat, s’mund të prononcohemi për këtë. Verdikti i qytetarit është themelor që e bën të veten. Secili rezultat që do të dalë nga këto zgjedhje, ne do të bëjmë analizë. Duke i analizuar këto të dhëna, do takthejmë në një mënyrë reflektimin tonë”, ka thënë Vitia.
Ai potencoi se është herët të flitet për balotazh pasi duhet pritur rezultatin final, duke shtuar që posa ta marrin këtë, do të shohin se si t’i qasen balotazhit.
21:06 - Policia ndërhyn në festën e PDK-së në Skenderaj
Përmes një kordoni, Policia e Kosovës është detyruar të ndërhyjë në festën e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, pasi thuhet se janë ngritur tensione mes kësaj të fundit dhe përkrahësve të Bekim Jasharit, i cili në këto zgjedhje garon me iniciativë të pavarur.
Simpatizantë të PDK-së kanë nisur festimet në Skenderaj me brohoritma e mjete piroteknike. Më herët janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.
Kandidati i PDK-së atje, Fadil Nura, aktualisht po prin me numrin e votave. Nga rreth 8227 vota të numëruara, Nura ka 2.004, ndërsa Bekim Jashari me Iniciativën e pavarur aktualisht ka 1.193./Rexhep Krasniqi dhe Medina Pasoma/
20:28 - Aliu shpall fitoren në Ferizaj
Kandidati për kryetar të komunës së Ferizajt nga PDK-ja, Agim Aliu, ka deklaruar se fitorja po kumbon në tërë Ferizajn, tash kur janë mbyllur vendvotimet.
“Kjo fitore madhështore, historike e jashtëzakonshme, Ferizaj fitoi. Fitoi qeverisja lokale dhe jo politike. Fitori nderi, guximi, morali, dija, u shpërblye puna jonë 4 vite që shkuan”. Nuk ka forcë më të madhe se besimi juaj, jam i privilegjuar të jem i zgjedhuri juaj, kryetari juaj që ka synim çdo fushë”, ka thënë ai para masës.
“Ora e fitores erdhi, erdhi për t’i dhënë edhe më shumë dritë ditëve që na presin. Vendosët ju që Ferizaj asnjëherë të mos bie në grackën e luftërave politike kur në pyetje është interesi i qytetit të Ferizajt.”
Ai ka uruar qytetarët për fitoren, derisa festa është bërë me fishekzjarrë dhe muzikë.
20:20 - Haziri: S’ka parti që mund ta thyejë koalicionin tim me qytetarët
Kandidati për kryetar të Gjilanit nga LDK-ja, Lutfi Haziri ka shpallur fitoren në Gjilan.
Ai ka thënë se u dëshmua se nuk ka koalicione joparimore që mund ta thyejnë koalicionin e tij me qytetarët e Gjilanit.
“Përtej kësaj fotografie, ju faleminderit shumë të gjithë atyre që kanë votuar për rikthim të madh të LDK-së, si forcë e parë politike në Gjilan dhe për vazhdimin e besimit edhe për katër vitet e ardhshme ndaj meje si Kryetar. Ju faleminderit shumë. Do të mbetem gjithmonë, Luta juaj”, ka shkruar ai.
20:16 - LVV në Gjilan: Kemi gjasë të mirë që të fitojmë pa balotazh
Shefja e shtabit zgjedhor të LVV-së në Gjilan, Arjeta Rexhepi ka thënë se sipas rezultateve po prijnë në këtë komunë.
"Nga terreni dhe nga rezultatet që i kemi marrë deri tash tregojnë që LVV prin në Gjilan. Kuptohet që qytetarët kanë dhënë besimin e tyre brenda kutive të votimit. Dhe kemi komisionerë dhe vëzhgues që kanë filluar numrin e votimit kështu që presim edhe pak një rezultat më përfundimtar", ka thënë ajo.
Më tej, ajo shtoi se LVV do të fitojë në këtë komunë pa balotazh.
"Ka të dhëna të ndryshme ku tregon një diferencë, por ajo që është më e rëndësishmja prin edhe e rëndësishmja është që Gjilani po e donë ndryshimin... do të jetë një gjasë shumë e mirë që të mos kemi balotazh fare", ka shtuar ajo.
Në këtë zgjedhje komunale, LVV në Gjilan ka kandiduar me Alban Hysenin.
20:11 - Haradinaj: AAK-ja i ka fituar gjashtë komuna, në balotazh jemi për Istogun
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se në këto zgjedhje, Kosova ka kaluar një provim të demokracisë, dhe se AAK-ja ka shënuar rezultate të mira. Sipas tij, ky subjekt ka fituar komunën e Gjakovës, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Deçanit dhe Junikut. Ai pretendon se në balotazh do të shkojë në Komunën e Istogut.
“Edhe rezultati i votave për asamble është i mirë, ka një rikthim të votës së Aleancës. Një proces kaq i mirë nuk duhet të dëmtohet në orët e fundit”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së ka thënë se sonte do të festojnë nëpër komunat që i kanë fituar.
I pyetur se kë do ta përkrahë në balotazhin e Prishtinës mes LVV-së dhe LDK-së, Haradinaj tha se do ta vendos Kryesia.
20:08 - Nisma në Malishevë nis festën
Pak pa u mbushur një orë nga mbyllja e vendvotimeve në Malisheve shihet entuziazëm në kampin e Nismës Socialdemokrate në Malishevë, ndërkaq heshtje tek rivalet e saj kryesor, Vetëvendosje dhe PDK.
Tek selia e Nismas dëgjohen brohoritje "Nisma, Nisma" e sirena automjetesh me flamurin e partisë, ndërkaq tek partitë tjera nuk dëgjohen këto.
Megjithatë kandidati për kryetar i Nismës, Ekrem Kastrati në këtë kohë nuk ka mundur të thotë se partia e tij dhe ai kanë fituar. I pyetur nëse ata e kanë rezultatin zyrtar nga shtabi i tyre zgjedhor.
Kastrati ka thënë për KOHËN se janë në pritje.
Entuziazmi i simpatizantëve të Nismës vërehej se ishte nga rezultatet e dhëna në Exit-polle dhe nga rezultatet e ndonjë vendvotimi që vinin kohë pas kohe.
20:01 - Gashi: LDK-ja ka arritur një fitore dinjitoze
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se kanë arritur një fitore dinjitoze dhe një rezultat impresiv.
Në një konferencë për media, Gashi tha se 4 deri në 6 komuna i kanë fituar pa balotazh, ndërsa në balotazh janë Prishtina dhe Podujeva.
“Rezultatet e matjeve dhe rezultatet e votimit të sotëm janë në kutitë e votimit. Aty do të dalin rezultatet preleminare. Ndër rezultatet e mediave janë të respektueshme dhe të rëndësishme. Hapja e kutive ka filluar dhe ato pak që janë hapë kemi rezultat të kënaqshëm”, ka thënë ai.
19:36 - LDK-ja në Pejë nis festën
Me fishekzjarre të shumta ka nisur festa pranë selis së LDK-së vetëm pak minuta pasi janë mbyllur vendvotimit.
Para selisë janë mbledhur qytetarë të shumtë që janë të mbështjellë edhe me flamuj të LDK-së.
19:34 - PDK: Rezultatet e para, shumë pozitive
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se për këtë parti “rezultatet e para janë shumë pozitive”.
Në një konferencë për media, pas mbylljes së qendrave të votimit, Çitaku ka refuzuar të komentojë exit-pollet që po e vënë këtë parti në vend të tretë në garën për të parin e Prishtinës.
Ajo ka thënë se PDK-ja ka rezultate pozitive nga shumica e vëzhguesve.
“Sipas informacioneve nga vëzhguesit tanë, rezultatet e para janë shumë pozitive. Tani presim me durim konfirmimin zyrtar nga KQZ-ja”, ka thënë ajo.
19:32 - Gjini: Matjet më nxjerrin fitues, i uroj qytetarët e Gjakovës
Kandidati për kreun e Gjakovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se matjet e bëra e nxjerrin atë fitues, dhe se deri në orën 21:00 do të dalin rezultatet.
“I uroj qytetarët e Gjakovës për një proces të mirë. Ishte e pritshme të jemi fitues, deri të numërohen rezultatet do të dalim fitues”, ka thënë Gjini.
Ndërkohë, në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, ku garon Mimoza Kusari-Lila, kanë filluar të mblidhen simpatizantë.
19:32 - Bulliqi: Informatat e para na nxjerrin fitues në çdo vendbanim
Kandidati për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se nga dy exit polle ka rezultate të ndryshme, njëri i nxjerr fitues e tjetri në balotazh.
Ai ka thënë se janë të prirë t'u besojnë institucioneve.
“Ne besojmë se do të dalim fitues edhe në këto zgjedhje, sepse në këta 10 muaj kemi bërë punë të mira. Informatat e para na nxjerrin fitues në çdo vendbanim”, ka thënë ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.