3 perditesime
13:51

Kastrati e quan VV-në “majë të mashtrimit”, Haxhiu i thotë se “s’humb kohë” me të

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë maja e mashtrimit dhe e paturpësisë për vite, dhe si të tillë, nuk duhet të flasin për drejtësi dhe mirëadministrim.

Para deputetëve, Kastrati theksoi se VV-ja nuk është kredibile për të diskutuar për ndryshimet në sistemin e drejtësisë, duke përmendur sensin dhe sentimentin për drejtësinë. Ai ironizoi duke përmendur një sentencë “O tempora o mores”, që nga latinishtja nënkupton “O kohë, o zakone”. Me këtë, ai përqeshi deputetin e VV-së, Jahja Kokaj, që në një seancë të kaluar i kishte drejtuar Kastratit në gjuhë latine.

“Siç kish me thënë një koleg i juaji që flet shumë bukur latinisht: O tempora o mores! Tash ta besoj dikush që prej jush bëhet mirëadministrimi i drejtësisë, është sikur me besu që nata është ditë, sikur me besu që tash nuk jemi në Kuvend po në Bundestag, ose sikur me besu që Toka është s’është e rrumbullakët. Unë i besoj të gjitha këto, por nuk besoj që ju mund të jeni lider në këtë sens, sepse keni qenë maja e mashtrimit dhe kulmi i paturpësisë në aspektin në raport me drejtësinë, sepse e keni rrënuar drejtësinë dhe nuk i keni njohur kurrë organet e gjyqit. Dhe nëse kjo bëhet në funksion që t’i merrni disa vota, e keni parë të dielën që elektorali nuk i han më përrallat ujku dhe qengji”, tha ai.

Për këto deklarime, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ia vlen të merret me deputetin Kastrati.

“Disa çështje që u ngritën nga deputetët, jo nga soji i deputetit të tillë. Me ty nuk ia vlen as me u marrë. Nuk humbi kohë me u marrë me ty”, tha ajo.

Më pas është votuar projektkodi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale.

Pas këtyre diskutimeve Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në 15:00.

11:33

Haradinaj thotë se i frikësohet Kurtit për veriun, ky ia kthen se rreziku vjen nga takimet me Radoiçiqin

Përplasje për aksionet e Policisë në veri kanë pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në seancën e Kuvendit, Haradinaj u shpreh se dy aksionet e fundit në veri, ai për targat dhe më pas për luftim të kontrabandës, e kanë dobësuar sigurinë.

“Së fundmi kemi pasur dy operacione policore në veri të vendit pas të dyjave ka ndodhur dobësim i sigurisë dhe shtetit ligjor. Pas dy herave që operoi Kosova në veri në të dyja herët kemi dalë më të dobët. Në herën e parë na është mbajtur policia peng dhe në herën e dytë qeveria ka mbërritur mjaftueshëm të jetë në konflikt me grupet kriminale. Operimi në veri është i qëllimshëm me dobësu Kosovën, është projekt kjo diku. Pse po dobësohet rendi e ligji, siguria e autoritetet? Pse duhet me u dobësu pas të gjitha këtyre proceseve që kemi kalu”, është shprehur ai në foltoren e Kuvendit.

Ndërkaq Kurti i ka thënë Haradinajt se “veriu ka qenë i rrezikuar kur ai e priste në zyrë Milan Radoiçiq (biznesmen kundërthënës nga veriu i Kosovës)”.

“Veriun e rrezikojnë këto marrëveshje xhentëlmene. Fjala e Haradinajt është sulm mbi Policinë. Morali i policit është shumë i lartë, kot e keni ta sulmoni”, ka thënë ai, teksa Haradinaj i është përgjigjur se ai nuk po diskuton për moralin e trupave.

“Frikën e kam te ti kryeministër që qëllimshëm i ke marrë këto dy veprime me dorëzu veriun. I ke bo qëllimshëm mi forcu kriminelët”, ka thënë Haradinaj.

Kurti ka përfunduar me fjalët se “kriminelët në veri kurrë s’kanë qenë më të rrezikuar se tash”.

Përplasja Kurti-Haradinaj ka vazhduar edhe për fondet e MCC-së.

Haradinaj akuzoi Kurtin se “ka vendosur t’i devijojë ato fonde”, duke e pyetur se kur ka për të sjellë në Kosovë gazin më lirë se tash e se a ka alternativa tjera.

Ndërkaq Kurti ka thënë se granti nuk është humbur, por se do të vazhdohet me kujdes.

“Ka shumë të pasakta në ato që thuani. Mjetet janë të dedikuara për gazsjellës. Nëse ju nuk i merrni këto para tash do t’i humbim edhe tri vjet të tjera. Ku i keni këta eksperta që po ju rrejnë për 8 muaj krizë”, ka thënë Haradinaj.

“Kurrfarë parash nuk kanë pasur të vijnë në nëntor dhe nuk është e vërtetë që fondet janë vetëm për gazsjellësin. Sa e dëshironi SHBA-në tregon lehtësia me të cilën i instrumentalizoni ata kundër kryeministrit të Kosovës. Jeni dorëshlirë me paratë e shtetit e me ato private jeni shumë koprracë. A me paret tuaja doni ta blini arin me 3.50 euro. Pra koprracë me pare private dorëlirë me pare të shtetit”, është përgjigjur Kurti.

10:57

Seanca e Kuvendit nis me përplasje opozitë - Qeveri

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje. Në fillim të seancës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kërkuar reflektim nga ana e Qeverisë për çështjen e ndërprerjes së punës së Ferronikelit për shkak të ngritjes së çmimit të energjisë. Pos tij, kritika për Qeverinë ka dhënë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj. Ndaj kritikave të tyre, me kundërakuza është përgjigjur ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Para pak ditësh në fushatë mbi 1000 punëtorë mbeten pa punë në Feronikel. Ku është Qeveria këtu që hesht para këtij problemi të madh social. Si ka mundësia që t’i klasifikojë ndërmarrjet në kohe pandemie e të jetë kaq indiferente ndaj një rajoni të tërë. Heshtje totale, dënim nga institucionet që i bëjnë ekonomisë së këtij rajoni veçanërisht Drenasit, që ka qenë bartës i zhvillimeve sociale, ekonomike e historike. Është gabim i madh që Qeveria i trajton ndërmarrjet mbi baza të zonave ekonomike. Presim urgjentisht që Qeveria të reflektojë dhe ta kthejë kulturën institucionale dhe të gjendet më afër industrialistëve e ndërmarrësve. Kryeministër po ta përsëris, zonat elektorale nuk duhet të dallohen mbi bazën e asaj se si i ndani mjetet ekonomike”, ka thënë Shala.

Ndërkaq Selmanaj është marrë me projektin e gazsjellësit.

“Një nga shtyllat kryesore që matet serioziteti i një shteti është aftësia për të respektuar marrëveshjet e qeverive paraprake. Nisma e projektit të gazit ka nisur më 2016. Më 2018 është nënshkruar marrëveshja për projektin për ndërtimit të infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut. Në kohën kur pritej që në shtator të hyjë në fazën përfundimtare ky projekt Qeveria merr vendimin për ta ndërprerë realizimin e këtij projekti vital për Kosovën. Vendim me pasoja te mëdha për vendin. Nëse Qeveria nuk e shqyrton marrëveshjen Kosova mund te përfundojë si shteti i vetëm në rajon pas qasje ne gaz”, ka kritikuar ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është marrë me operacionet e policisë në veri të vendit. Sipas tij, ka ndodhur dobësim i sigurisë dhe shtetit ligjor.

“Së fundmi kemi pasur dy operacione policore në veri të vendit pas të dyjave ka ndodhur dobësim i sigurisë dhe shtetit ligjor. Pas dy herave që operoi Kosova në veri në të dyja herët kemi dalë më të dobët. Në herën e parë na është mbajtur policia peng dhe në herën e dytë qeveria ka mbërritur mjaftueshëm të jetë në konflikt me grupet kriminale. Operimi në veri është i qëllimshëm me dobësu Kosovën, është projekt kjo diku. Pse po dobësohet rendi e ligji, siguria e autoritetet? Pse duhet me u dobësu pas të gjitha këtyre proceseve që kemi kalu”, është shprehur ai në foltoren e Kuvendit.

E ministri Murati ka thënë se “po të mos ishin korrupsionet dhe hajnitë e PDK-së në të kaluarën sa i përket fushës së energjisë sot, nuk do ta kishte ndërprerë punën Ferronikeli”.

“Po të ishte bërë termocentrali i ri me kohë dhe po t’i kishim kapacitet e reja sot nuk do të ishte ky problem. Por fokusi i PDK-së ka qenë si ta shesim KEK-un për 26 milionë dhe dyta ka të bëjë me procesin e privatizimit i cili ka qenë proces korruptiv ku PDK-ja e ka rolin kryesor aty. Fajin kryesor për mospunën e Feronikelit sot e ka PDK-ja. Po të kishte qenë Feronikeli shtetëror ne patjetër do të duhej të ndërhynim, por ju e keni privatizuar dhe përderisa është kompani private nuk mund të veprojmë”, ka thënë Murati.

Ndërsa për Selmanajn, Murati ka thënë se LDK-ja “ i ka gjithë ata ekonomistë e nga aty është gjet me fol veç Dritoni”.

08:03

Në ora 10:00 mblidhen deputetët

Sot do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës.

Në seancën që pritet të fillojë në orën 10:00, fillimisht do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Më pas do të vazhdohet me shqyrtimin e 22 projektligjeve.

Rendi i plotë i ditës:

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Jashtë Vendit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-020 për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-026 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-213 për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale,

Shqyrtimi i parë i Projekt-kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-037 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-76 për shëndetin riprodhues,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-038 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-192 për transplantimin e indeve dhe qelizave,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-039 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-024 për shërbimin mjekësor emergjent,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-156 për kontrollin e duhanit,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-041 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-023 për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-042 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-249 për sigurimin shëndetësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-043 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-125 për shëndetësi,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-044 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-110 për ndërprerjen e shtatzënësisë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-042 për gjak dhe përbërës të gjakut,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-048 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-78 për shëndetësi publike,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-049 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-38 për Inspektoratin shëndetësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-050 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/22 për Inspektoratin sanitar të Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-051 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/38 për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020.