1 perditesime
15:12

Raporti i Progresit: Kosova ngec në shumë fusha

Progres të kufizuar, apo pa progres në disa fusha, është vlerësimi që Kosovës i ka dhënë Kolegji i Komisionerëve evropianë me raportin e fundit të progresit të miratuar të martën. Të njëjtin e ka prezantuar para deputetëve të Parlamentit Evropian Oliver Varhelyi.

Mungesa e stabilitetit politik, përplasjet politike që kanë ndikuar në punën e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve, por edhe kriza e shkaktuar nga pandemia, përmenden si arsyetime për mungesën e përparimin në shumë fusha.

“Sa i përket kritereve politike, shumica e periudhës që përfshinë raporti, ishte karakterizuar me jostabilitet politik në Kosovë. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt të vitit 2021, qeveria e re nisi mandatin me një shumicë të paprecedentë në Kuvend” thuhet në raport.

Në të konstatohet se rrethanat e krijuara nga jostabilitetit politk, aktivitetet e legjislaturës ishin të kufizuara dhe kjo ndikoi edhe në reformat e lidhura me BE-në.

Përshkruhet edhe situata kur u ngritën aktakuzat nga Gjykata speciale dhe u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme.

Sa i përket zgjedhjeve raporti konstaton se ato “në përgjithësi ishin të organizuara mirë, në mënyrë transparente dhe konkurruese, përkundër disa mangësive”; u përsërit ftesa që Kosova të forcohet dhe sidomos të reformohen pjesët që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike.

Kësaj radhe në raport nuk përmendet asgjë sa i përket zgjedhjeve në veri. Në raportin e vitit të mëparshëm Komisioni kishte pohuar se në veri ka pasur frikësim dhe kërcënime ndaj kandidatëve që nuk ishin nga Lista Serbe.

“Gjatë pesës së madhe të periudhës që mbulon raporti, atmosfera e polarizuar politike, mungesa e një shumice efektive qeverisëse dhe mungesa e shpeshtë e kuorumit ndikuan në mënyrë të fuqishme në vendim marrjen në Kuvend”, thuhet në raport.

Më shumë progres nga Kosova është kërkuar edhe në reformat e administratës publike ku, përkundër disa përgatitjeve, “nuk është shënuar progres”. Një prej arsyeve për këtë përmendet “ndryshimi i shpeshtë i qeverisë”. Përmendet fakti se në qershor hyri në fuqi ligji i ri për Zyrtarët Publikë, por nuk janë bërë përpjekje domethënëse në implementim, sidomos në procesin e regrutimit. Në disa raste përmendet se është vërejtur ndikim i panevojshëm politik në emërimin apo largimin e zyrtarëve publikë.

Vazhdon të jetë i ngadalshëm edhe gjyqësori në Kosovë. Sipas raportit, gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike. Raporti thotë se në sundimin e ligjit “një lloj procesi është arritur”.

Raporti përmend planet për vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, por tërheq vërejtjen se kjo duhet të bëhet në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Komisioni thotë se mundësia që të ketë veting të plotë për secilin gjykatës dhe prokuror (one – off) është çështje e “shqetësimit serioz”. Kjo do të duhej të ishte vetëm mundësia e fundit e jo rregull, sipas Komisionit Evropian.

Në luftë lundër korrupsionit dhe krimit të organizuar Kosova është “në fazën e hershme” dhe ka arritur “progres të kufizuar”. Kërkohen masat për të forcuar Prokurorinë dhe të përdoren më shumë mundësitë për konfiskimin e pasurisë.

Përsëritet thënia që e përcjellë Kosovën tash e sa vite se “korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe mbetet çështje për shqetësim serioz”.

Kosova ka shënuar progres, sipas këtij raporti, në luftë kundër terrorizmit, në përputhje me një marrëveshje që ka me Bashkimin Evropian dhe planin e veprimit. Kërkohet që Kosova të jetë më aktive në luftë kundër pastrimit të parave.

Gjendja e mediave dhe lirisë së shprehjes në Kosovë duket të jetë më e kënaqshme sesa në disa vende tjera të rajonit, nëse gjykojmë nga raportet e progresit.

“Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe përfiton nga një ambient i gjallë dhe pluralist medial. Megjithatë mbetet shqetësim për fushata kërcënuese dhe sulme fizike ndaj gazetarëve”, thuhet rreth lirisë së shprehjes në Kosovë dhe përmendet problemi i mungesës së vetëqëndrueshmërisë financiare të mediave që i bëjnë ato të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike.

Periudha kohore të cilën e mbulon ky raport progresi përfshin vitin 2020 dhe pjesën e këtij viti deri në verë. Kësaj radhe për të gjitha shtetet raporti flet edhe për përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar ajo. Po ashtu përmend në mënyrë të veçantë për secilin shtete dhe ndihmën që i ka dhënë Bashkimi Evropian në këtë drejtim.

Nga të gjitha shtetet e rajonit Komisioni Evropian do të kërkon që të bëjnë më shumë përpjekje në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus të veçantë në sundimin e ligjit.

Në Raportet e Progresit për Kosovën dhe në atë për Serbinë flitet edhe për dialogun mes këtyre dy vendeve që është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Nënvizohet se janë zhvilluar dy takime të nivelit të lartë, në qershor dhe korrik, si dhe tri takime në nivel të kryenegociatorëve.

Edhe Kosovës edhe Serbisë do t’u bëhet thirrje që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog deri me tash dhe të kontribuojnë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve.

“Një marrëveshje e tillë është nevojë urgjente dhe kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë ne rrugëtimin e tyre përkatës evropiane”, thuhet në tekst.

Po ashtu ritheksoi se qëndron edhe prapa rekomandimit që për Kosovën të liberalizohen vizat, një çështje e cila tash e një kohë të gjatë është në duart e Këshillit të BE-së ku nuk është arritur kompromis mes vendeve anëtare që të merret ky vendim.

09:41

Sot prezantohet Raporti i Progresit, Kosovës do t’i konstatohen ngecjet në agjendën evropiane

Komisioni Evropian të martën (19 tetor) prezanton Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Paketa e zgjerimit, që përfshinë edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Këto raporte pritet të miratohen të martën nga Kolegji i Komisionerëve dhe të prezantohen para deputetëve të Parlamentit Evropian, nga Oliver Varhelyi, komisionari për zgjerim i BE-së.

Sa i takon Kosovës, sipas draftit të raportit, në një pjesë të së cilit ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, pritet të konstatohet se pas një periudhe të mungesës së stabilitetit politik, me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme është formuar qeveria me një shumicë të pa precedencë.

Por, pritet të thuhet në raport, rrethanat e krijuara nga jostabiliteti politik dhe nga pasojat e pandemisë, kanë ndikuar që progresi në zbatimin e agjendës së reformave evropiane të Kosovës të jetë i kufizuar.

Prandaj, edhe përmes këtij Raporti të Progresit, Komisioni Evropian do t’u bëjë thirrje institucioneve të Kosovës që t’i qasen me prioritet zbatimit të agjendës evropiane.

Periudha kohore të cilën e mbulon ky raport përfshin vitin 2020 dhe pjesën e këtij viti deri në verë. Kësaj radhe për të gjitha shtetet raporti flet edhe për përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar ajo.

Po ashtu përmend në mënyrë të veçantë për secilin shtet edhe ndihmën që e ka dhënë Bashkimi Evropian në këtë drejtim.

Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Evropian do të kërkojë që të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus të veçantë në sundimin e ligjit.

Në Raportet e Progresit për Kosovën dhe në atë për Serbinë flitet edhe për dialogun mes këtyre dy vendeve që është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Aty nënvizohet se janë zhvilluar dy takime të nivelit të lartë, në qershor dhe korrik, si dhe tri takime në nivel të kryenegociatorëve.

Edhe Kosovës edhe Serbisë do t’u bëhet thirrje që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog deri më tash dhe të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve.

“Një marrëveshje e tillë është nevojë urgjente dhe kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë ne rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në tekst.

Në raportin për Serbinë do të përmendet edhe fakti se ky shtet, ndonëse ka rritur në mënyrë simbolike përshtatjen e qëndrimeve me BE-në në çështjet e politikës së jashtme, në shumë çështje nuk e ka mbështetur BE-në.

Pasi integrimi në BE konsiderohet si synim strategjik, Bashkimi Evropian nga të gjitha shtetet e përfshira në këtë paketë kërkon që të mbështesin edhe qëndrimet evropiane në politikën e jashtme.

Komisioni Evropian, sipas drafteve të raporteve që do të miratohen të martën, do të përsërisë qëndrimin e shprehur edhe më herët se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.

Po ashtu do të ritheksojë se qëndron edhe prapa rekomandimit që për Kosovën të liberalizohen vizat, një çështje e cila tash e një kohë të gjatë është në duart e Këshillit të BE-së ku nuk është arritur kompromis mes vendeve anëtare që të merret ky vendim.

Mjaft kritik pritet të jetë edhe raporti për Bosnje e Hercegovinën, vend ky ku po vazhdon kriza politike. Po ashtu do të përmendet edhe kriza në Mal të Zi si dhe tensionimi i raporteve të këtij shteti me Serbinë.

Komisioni Evropian kësaj radhe në këto raporte flet edhe për avancimin e vendeve të rajonit drejt politikave të BE-së në fushën e ruajtjes së mjedisit, energjisë dhe disa fusha tjera. /REL