1 perditesime
17:19

Berisha i mohon akuzat: Drenori më sulmoi fillimisht, unë u vetëmbrojta

Ramadan Berisha ka mohuar se e ka sulmuar Xhavit Drenorin, kandidat i Iniciativës Qytetare “Green për Drenas”.

Berisha ka thënë se ishte vet Drenori ai i cili e ka provokuar me fjalë e pastaj e ka sulmuar me këpucë.

“Derisa isha për punë të mia në një zyrë te një avokat, duke dalë nga zyra rastësisht jam takuar me Xhavit Drenorin dhe mu drejtua ‘ku je djali i prokurorit’. Unë ja ktheva, i cilit prokuror e pastaj më tha ‘dihet i cilit. Pastaj Xhaviti ka filluar të më fyej dhe në një moment Xhaviti e ka hequr këpucën dhe më ka gjuajtur duke më goditur në kokë dhe duke më shkaktuar lëndime trupore. Pastaj përsëri ka ardhur Xhaviti në drejtim timin për të më sulmuar, dhe unë në vetëmbrojtje kam filluar përleshjen derisa na kanë ndarë njerëzit përreth”, ka thënë ai.

14:09

Drenori: U sulmova fizikisht nga djali i prokurorit Berisha

Xhavit Drenori, kandidat i Iniciativës Qytetare “Green për Drenas”, ka thënë se është sulmuar fizikisht nga djali i prokurorit Ibrahim Berisha.

Drenori ka treguar se sulmi ka ndodhur para zyrës së tij të punës.

“Jam sulmuar fizikisht nga djali i prokurorit Ibrahim Berisha. Aktualisht jam në Polici”, ka thënë ai shkurt për KOHËN duke treguar po ashtu se në vendngjarje ka pasur së paku tri kamera të sigurisë.

Policia ka konfirmuar rastin për KOHËN, duke thënë se incidenti ka ndodhur në rrugën “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci”, në Drenas. Të lënduar kanë mbetur dy persona që kanë marrë më pas trajtimin mjekësor në QKMF-Drenas.

“Policia i ka shoqëruar palët e përfshira në rast dhe është nisë një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, thuhet në njoftim.

Në debate televizive Drenori disa herë ka përmendur emrin e prokurorit të Themelores në Prishtinë, si pengesë për t’u hetuar pretendimet ndaj kryetarit aktual Ramiz Lladrovci për keqpërdorime në Drenas. Madje ai akuzonte Lladrovcin se ia ka punësuar të renë prokurorit Berisha.

Avokati i Drenorit ka thënë se ky i fundit ishte paralajmëruar përmes telefonit ditë më parë për sulmin, teksa ka kërkuar nga organet kompetente që rastin ta cilësojë si të planifikuar.

Në zgjedhjet lokale të së dielës, Drenori doli i katërti në Drenas me 4.04 për qind të votave. I pari doli kryetari aktual Ramiz Lladrovci (45.62%), që në balotazh do të rivalizohet nga Driton Ajazi i Demokratëve për Drenasin (30.74%). I treti doli Fejzi Kiqina i VV-së me 16.91 për qind.