1 perditesime
Arbëri

Kuvendi miraton 15 projektligje për shëndetësi, ish-ministri Zemaj i quan improvizime

Kuvendi miraton 15 projektligje për shëndetësi, ish-ministri Zemaj i quan improvizime
16:53

Kuvendi miraton 15 projektligje për shëndetësi, ish-ministri Zemaj i quan improvizime

Në vazhdimin e seancës, kuvendi i Kosovës ka miratuar veç e veç 15 projektligje të sektorit të shëndetësisë që janë në harmonizim me Ligjin për kundërvajtje.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku e cila ka prezantuar këto projektligje në pako, tha se ndryshimet mundësojnë një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ndonëse, ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim për këtë sektor është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor.

“Projektligjet e sektorit të shëndetësisë, kanë për qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore konform nenit 167 të Ligjit për kundërvajtje, me të cilin është përcaktuar që me hyrjen në fuqi të Ligjit për kundërvajtje të gjitha institucionet kanë pasur për obligim që brenda afatit prej një viti, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji në vitin 2017 të harmonizohen ligjet përkatëse. Prej vitit 2018, Ministria e Shëndetësisë një gjë të tillë nuk e ka realizuar. Andaj, me qëllim të adresimit të obligimit ligjor është bërë harmonizimi i projektligjeve në fushën e shëndetësisë, i cili do të fuqizojë mekanizmat e kontrollit të mbikëqyrjes në shqiptimin e sanksioneve kundërvajtës nga inspektorati shëndetësore, ai farmaceutik, dhe inspektorati sanitar në pajtim me ligjin për kundërvajtje. Miratimi projektligjeve për plotësim ndryshimin e ligjeve në sektorin e shëndetësisë do të krijoj një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit përmes së cilës nga inspektoratet relevante, do të ndëshkohet personi fizik, dhe personi përgjegjës i pësonit juridik”, tha ajo.

Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti aktual Armend Zemaj ka thënë se qeveria duhet t’i kthehet seriozitetit të punës, dhe jo improvizimeve sidomos në fushën e shëndetësisë.

“Sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim në sektorin e shëndetësisë është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor, edhe I cili do të avanconte shërbimet shëndetësore apo edhe ruajtjen e shëndetit publik. Qeveria duhet t’i kthehet seriozitetit të punës, dhe jo improvizimeve sidomos në fushën e shëndetësisë”, tha ai.

Ani se ka mbështetur këtë pako për ndryshim plotësim të këtyre ligjeve në sistemin e shëndetësisë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ka nevojë për një reformë më të thellë në sistemin shëndetësor.

“Këtu po shohim projektligje tejet të rëndësishme, siç është edhe projektligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Jemi duke kaluar në një kohë pandemie ku besoj që pikërisht ndërhyrjet në këtë ligj janë tejet të nevojshme në mënyrë që ta bëjmë edhe më të zbatueshëm dhe të jemi më efikas në parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Pastaj, është edhe projektligji për sigurime shëndetësore. Këtu na duhet një debat më I thellë pasi qytetarët e vendit tash e një kohë të gjatë I presin”, tha ai.

15 projektligjet që kanë kaluar sot në kuvend, janë disa prej tyre: Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për shëndetësi, Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për sëmundjet ngjitëse, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetësi publike, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbimin mjekësor emergjent, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjak dhe përbërës të gjakut, projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërprerjen e shtatzënësisë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin riprodhues, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin sanitar të Kosovës. /KSP


Miratohet në parim Projektligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 63 vota kanë miratuar në parim Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë jashtë vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se ky projektligj rregullon procedurat e dërgimit dhe tërheqjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

“Ky ligj ka për qëllim të rregullojë procedurat e dërgimit dhe tërheqjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, mënyra dhe këto procedura janë në përputhje me misionin aktual të Forcës së Sigurisë së Kosovës që të jetë e gatshme me marrë pjesë në operacione ndërkombëtare. Siç e dini FSK me bazën ligjore aktuale me marrëveshje bilaterale me vende partnere ka marrë pjesë në disa misione humanitare, stërvitje, ushtrime të përbashkëta jashtë vendit. Me krenari e them se aktualisht jemi në misione paqeruajtëse aktual krahë për krahë ushtrisë Amerikane në Kuvajt, si dhe me plane konkrete për misionet e ardhshme jashtë vendit”, tha ai.

Këtë projektligj e kanë mbështetur edhe të gjitha partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.

16:49

Kuvendi emëron anëtarin ndërkombëtar në KSHC

Kuvendi i Kosovës me 66 vota ka emëruar anëtarin ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë me mandat pesëvjeçar.

Duke qenë se votimi për këtë anëtar nuk ka qenë në rendin e ditës për seancën e sotme, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se duhet të trajtohet me urgjencë pasi që ka disa programe të doktoratës që rrezikojnë të mos mund të pranojnë studentë nëse nuk bëhet akreditimi i tyre.

Ndonëse partitë opozitare e kanë përkrahur emërimin e këtij anëtari, kanë pasur kritika se pse është sjellë me vonesë votimi në Kuvend.

Nga KSHC kohë më parë kishin dhënë dorëheqje tre anëtarët ndërkombëtarë, pasi refuzuan të deklaronin pasurinë sipas ligjeve të Kosovës./KSP


Kuvendi miraton raportin e Avokatit të Popullit
 

Me 61 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020, të cilin para deputetëve e prezantoi Avokati i Popullit Naim Çelaj.

Ai ka thënë se pandemia COVID-19 dhe masat e mara nga qeveria për kufizime kanë shkaktuar një sërë reagimesh që ndërlidhen me cenimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Në këtë periudhë Institucioni i Avokatit të Popullit ka trajtuar 145 ankesa individuale, ku ankuesit sipas Çelajt pretendojnë se janë viktima të diskriminimit kryesisht nga sektori publik. Teksa ka shtuar se ky institucion me vetiniciativë ka hapur për hetim më shumë se 10 raste.

Veç kësaj, Çelaj tha se qytetarët vazhdojnë të mos kenë besim tek institucionet e drejtësisë.

“Si pasojë ka pasur reduktim të punës në gjyqësor ka pasur përjashtim të publikut, dhe zvarritje e shtyrje të procedurave gjyqësore. Në bazë të numrit të ankesave të paraqitura tek Institucioni i Avokatit të Popullit gjatë këtij viti (2020) rezulton se qytetarët kanë vazhduar të mos kenë besim në sistemin gjyqësor, pra qytetarët edhe më tutje kanë vazhduar të përballen me zvarritje të procedurave për vendosjen e rasteve të tyre në të gjitha shkallët dhe instancat… Në këtë periudhë Avokati i Popullit ka trajtuar 145 ankesa individuale, ku ankuesit pretendojnë se janë viktima të diskriminimit kryesisht nga sektori publik. Po ashtu, Avokati i Popullit me vetiniciativë ka hapur për hetim më shumë se 10 raste”, tha Çelaj.

Çelaj tha se përveç krizës së shkaktuar gjatë vitit 2020 nga pandemia koronavirus, zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimet e legjislativit dhe qeverisë kanë pasur ndikimet në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Përveç kësaj, Çelaj ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e procedurës së votimit të raportit të Avokatit të Popullit në Kuvend, ngase sipas tij është në kundërshtim me parimet dhe standardet mbi të cilat funksionon Institucioni i Avokatit të Popullit.