1 perditesime
17:45

Palokaj: Skandaloze përpjekja e Komisionit Evropian për ta prezantuar Serbinë në mënyrë pozitive

Korrespodenti i KOHËS, Augustin Palokaj, ka thënë se vlerësimi për Serbinë në Raportin e Progresit është tepër i përgjithësuar. Ai ka thënë se komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, është përpjekur ta zbusë gjuhën ndaj Serbisë.

Ndërkaq, Palokaj ka treguar se nuk janë përmendur shumë gjëra për Serbinë, si gjuha ofenduese ndaj shqiptarëve, mbështetja për liderin e serbëve në Bosnjë, e të tjera.

“Këtu dikush do të shihte dëshmi se komisioneri Varhelyi është përpjekur ta zbusë pak gjuhën sa i përket Serbisë. Në anën tjetër ka shembuj që Serbia ka bërë çmos dhe ka pasur raporte të mira me shtetet e rajonit, shembull është Shqipëria. Kur flitet se ka pasur tensione mes Serbisë dhe Malit të Zi nuk përmenden pse kanë ndodhur ato, nuk përmendet as mbështetja e Serbisë për liderin e serbëve të Bosnjës i cili ka shkuar aq larg sa tash kërcënon me luftë, nuk përmendet as gjuha ofenduese që Serbia përdorë edhe për Kroacinë dhe nuk përmendet as gjuha e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Këtu vlerësimi është tepër i përgjithësuar. Ajo që është skandaloze është përpjekja e Komisionit Evropian për ta relativizuar problemin e mospërkrahjes së qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme nga ana e Serbisë, bile ka përpjekje për ta prezantuar në mënyrë pozitive”, ka thënë ai.

Prandaj, ka shtuar ai, gjuha që përdoret për Serbinë është “tepër sipërfaqësore dhe paksa e zbutur”.

Palokaj, ka thënë se sipas raportit të progresit të Komisionit Evropian, Kosova ka shumë pak progres në shumë fusha. Në emisionin “60 Minuta” ka thënë se raporti i sivjetmë dallon shumë pak nga raporte e mëhershme.

“Sa i përket Kosovës, krizën politike që ka kaluar, dallon nga raporti i mëparshëm për këtë sepse përshkruhet në detaje ajo se si ka qenë qeveria pa mbështetje të fuqishme në parlament, rrëzimi i qeverisë, aktakuza ndaj ish presidentit, zgjedhjet e hershme , jostabiliteti politik që ka ndikuar në mospërmbushjen e disa kritereve dhe një përparim më të madh në procesin e reformave. Ky është ai përshkrimi që dallon nga ai i mëparshëm”, ka thënë Palokaj.

Ai shtoi se nuk ka asgjë të re sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga raportet e herëve të tjera.

“Sa i përket Kosovës, shumë pak ka progres, periudha është që i përshkruhet edhe qeverisë Hoti por dhe nisjes së Kurtit. Ka shumë pak ose progres të kufizuar në shumicën e kapitujve. U bëhet thirrje edhe Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë më shumë në zbatimin e asaj që është arritur deri tash në procesin e dialogut dhe të arrihet një marrëveshje. Asgjë nuk ka të re aty nga ajo që është dëgjuar muajve të fundit nga BE-ja”, tha Palokaj.

17:34

Shasha: BE-ja po e vlerëson Serbinë si partner të rëndësishëm të stabilitetit në Ballkan

Demush Shasha nga Instituti EPIK ka thënë se te Raporti i Progresit te dialogu Kosovë-Serbi është një risi.

Sipas tij deri te kapitulli ku vlerësohet dialogu, është ofruar vlerësim i detajuar për marrëveshjet e kaluara.

Shasha ka thënë se aty është përcaktuar përgjegjësia se cila palë është fajtore për moszbatimin e një marrëveshje.

“Nëse ndalemi te marrëveshja e drejtësisë thotë se kërkohen veprime shtesë nga ana e Prishtinës. Ndërkaq për vitin e fundit, cekët se ka pasur një rast që Kosova nuk ka respektuar marrëveshjen. Thuhet se nuk është bërë asnjë progres në themelimin e Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian është duke u munduar çdo herë të thotë se Serbia është partner i rëndësishëm i tyre për stabilitetin në Ballkan.

Sipas tij, në paletën e diplomacisë ata po e vlerësojnë Serbinë si partner të rëndësishëm.