5 perditesime
21:17

Surroi: Kemi një formë të re të qeverisjes në Kosovë dhe opozitë të re më dinamike

Publisti Veton Surroi ka komentuar zhvillimet në skenën politike në Kosovë në vitin e fundit.

Ai ka thënë se në Kosovë është një formë e re e qeverisjes që nuk bën me paranë publike atë çfarë kanë bërë qeveritë e kaluara. Ai po ashtu ka thënë se ka edhe një opozitë të re më dinamike.

“Mendoj se kemi zhvillim pozitiv në Kosovë në 12 muajt e fundit, të masim me këtë të Raportit të Progresit. Kemi forcimin e një linje politike që ka dashur të ndërpresë mënyrën e qeverisjes në masë të madhe të keqe të cilën e ka pasur Kosova për një periudhë shumë të gjatë. Kemi formë të re të qeverisjes në Kosovë, e cila nuk bën me paranë publike atë që kanë bërë qeveritë e kaluara. Ka më shumë përgjegjësi për veprimet e veta. Kjo formë e re e qeverisjes ka krijuar edhe një opozitë të re më dinamike, kreative, e cila ka treguar se mund të ngrihet prej rezultateve të fundit dhe të krijojë një aktivitet që do të gjenerojë vota e përkrahje tjera”, ka thënë Surroi në DESK-un e KOHËS. “Kemi të bëjmë me rilindjen të themi, të një skene të re politike. Jam shumë optimist si për partinë në pushtet ashtu edhe për opozitën, se këtu do të gjenerojnë interakcion. Po flas për formë afatmesme e afatgjatë, kemi të bëjmë me një proces që do të krijojë shumë më tepër vlerë”.

 

21:05

Surroi: Emërimi i Hovenierit në Kosovë dhe Hillit në Serbi tregon se loja nuk ka mbaruar

Ambasadori i ri i SHBA-së që do të vijë në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ai në Serbi, Christopher Hill, tregojnë se loja nuk ka mbaruar, ka thënë publicisti Veton Surroi.

Në Desku të KOHËS Surroi ka thënë se emërimi i tyre në postin e ambasadorit tregon se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë dhe se duhet të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Është pranim se loja nuk ka mbaruar, se ky konflikt duhet të përfundojë dhe të arrihet marrëveshje. Fakti që shtetet e mëdha po dërgojnë njerëz më serioz dhe më të përgatitur është inkurajues”, ka thënë Surroi.

Sa i përket rrezikut përballë së cilit mund të jetë Kosova, Surroi ka thënë se nuk duhet rënë pre e zgjidhjeve të lehta, teksa përmendi marrëveshjen e 2013-s për Asociacionin e komunave serbe.

“Duhet të përcaktojmë cilët janë parametrat e marrëveshjes, nuk duhet të biem pre e zgjidhjeve të lehta. Mos të harrojmë ka pasur një udhëheqje mendjelehtë më 2013 që ka pranuar atë që ka pranuar dhe një kuvend mendjelehtë”, ka thënë Surroi.

Publicisti Veton Surroi, ka shtuar po ashtu se Bashkimi Evropian është donatori më i madh në Kosovë dhe se nuk duhet mohuar kjo. Ai ka thënë edhe se BE-ja është munduar të krijojë rrethana më të mira për Kosovën në disa segmente.

Por, ai ka shtuar se BE-ja nuk ka ndonjë sens politik dhe se që nga koha e Javier Solanës, nuk ka pasur ndonjë seriozitet në politikën e jashtme të saj karshi Kosovës.

“Kemi edhe procesin e Stabilizim Asociimit më të veçantë që mund të ndihmojë në Kosovë, e duhet njohur edhe këtë. Por, BE-ja nuk ka ndonjë sens politik, drejtim politik. Prej kohës së Solanës nuk mendoj se ka pasur seriozitet në politivën e saj të jashtme ndaj Kosovës. Krejt çfarë kemi parë nga znj. Ashton e tutje kanë qenë improvizime. Jemi ku jemi sot, deri te ai T]itti jo shumë fatlum i z. Borrell, që thoshte mos çoni polic në veri, po uluni e negocioni a mund të zihet kontrabandisti a jo”, ka thënë Surroi.

20:41

Surroi: Kosova është në konflikt të papërmbyllur me Serbinë, Bosnja udhëhiqet me marrëveshje paqeje

Publicisti Veton Surroi ka thënë se kriza mes Kosovës dhe Serbisë është e përhershme sepse ka konflikte të papërmbyllura.

Ai ka thënë se Bosnja dhe Hercegovina janë në krizë permanente sepse ende ajo ende sundohet me marrëveshjen e Daytonit.

Sipas tij, këtu kemi të bëjmë edhe me një luftë hibride që bënë Rusia kundër partnerëve të NATO-së.

“Për Serbinë fqinjësi e afërt janë të gjithë serbët, ata që quhet ‘bota serbe’. Kemi të bëjmë me një luftë që ka investim të vogël nga ana e rusëve por ka ndikim të madh”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Aleksandar Vuçiq është i vetëdijshëm që po e kalon shijen e melodramës politike që është e zakonshme në Serbi.

Sipas tij, momentin kur ngrihen avionët në qiell këtë NATO e shënon.

“Shqipëria në përgjithësi ka krijuar marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet dhe nuk shoh pse nuk duhet ta bëjë me Serbinë. Kryeministri Rama duke projektuar një politikë afatgjate do të arrijë ta kthejë apo shtendosë marrëdhëniet. Në 50 vjetët e fundit Shqipëria ka pasur problem me Serbinë kur është ngritur flamuri në stadion në Shqipëri. Unë nuk mendoj që duhet të kërkojë Shqipëria leje për veprimet e saja. Kosova e ka ndarë mendjen që të mos marrë pjesë në Ballkanin e Hapur dhe kjo nuk duhet të jetë çështje”, ka thënë ai.

 

20:38

Surroi: Kemi angazhimin më serioz amerikan në rajon që nga shpallja e pavarësisë

Publicisti Veton Surroi ka thënë se aktualisht është angazhimi më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Surroi në DESK-un e KOHËS ka thënë se ambasadori i ri i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill dhe ambasadori i ardhshëm amerikan në Kosovës, Jeffrey Hovenier, janë njerëz me përvojë të madhe në rajon.

“Mendoj se është angazhimi më serioz amerikan në rajon deri më sot, prej shpalljes së pavarësisë. Janë të gjithë njerëz që po kthehen në rajon, njerëz me përvojë të madhe. Ambasadori Hill është larg më lartë në angazhimin e tij profesional diplomatik, se që është posti diplomatik në Beograd. Administrata amerikane do të vijë, mos të them me një projekt të gatshëm, por entuziazëm të ri, përvojë shumë të madhe. Edhe njerëzit tjerë në rajon nga administrata amerikane janë me përvojë të madhe, përfshirë ambasadorin e ardhshëm amerikan në Kosovë, Hovenier, që ka qenë në Rambuje e në negociata në Vjenë. Janë njerëz me përvojë e njohuri, e nuk duhet shpjeguar se çfarë ka ndodhur këtu. Është plus shumë i madh”, ka thënë Surroi. “E po ashtu është plus se janë njerëz që kanë dell trans-atlantik, që punojnë me BE-në me diplomatët evropiane, që kanë miqësi të madhe me njerëzit. Do të jetë periudhë interesante vitin e ardhshëm”.

Surroi ka thënë se politika e Amerikës më nuk është ajo e viteve 90-ta.

“Politika amerikane ka kaluar krejtësisht në një pozicion gjeostrategjik tjetër, është fokusi indo-paqësor, regjioni që i afrohet Kinës. Këto çështje konsiderohen si të pambyllura, që për fat të mirë administrata amerikane mendon se mund të mbyllen me një veprim politik, diplomatij, në muajt apo vitet e ardhshme”, ka thënë Surroi.

Sa i përket BE-së ka thënë se duhet parë se çfarë do të prodhojnë zgjedhjet në vendet kryesore të bllokut.
“Do të kemi së shpejti qeveri të re gjermane. Po ashtu janë zgjedhjet presidenciale në Francë, ku do të sqarohen disa çështje. Me një intensitet më të madh amerikan, mudn të shohim edhe përfshirje të diplomacisë britanike. Gjërat duken mirë për rajonin në këtë aspekt”.

Publicisti Surroi ka thënë se Serbinë ndërkohë po e përkrahin disa vende të BE-së që kanë vet probleme me sundim të ligjit, siç është Hungaria.

20:36

Surroi: Dialogu është në krizë që nga fillimi, jemi peng të vendimeve të 2013-s

Publicisti Veton Surroi ka thënë se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë përgjatë vitesh nuk ka pasur ndonjë ndryshim. Sipas tij, ky proces është pothuajse aty ku ka filluar.

Në DESKU të KOHËS, Surroi ka thënë se nga kriza ku është dialogu mund të dilet dhe për këtë ka disa hapa.

“Është krizë që nga fillimi sepse pala kosovare ka pranuar që të vëjë në diskutim shtetësinë e vet dhe ky vendim që ka qenë i gabueshëm në premisë ka sjellë gabime të tjera. Sigurisht që mund të dilet. Ka një sërë hapash, nuk është një hap magjik. Nga qeveria është dhënë sinjal që procesi negociator duhet të hyjë në një fazë ku diskutohet marrëveshja ligjërisht e obligueshme e jo detaje anësore”, ka thënë Surroi.

Tutje tha Surroi, dialogu është peng i vendimeve të vitit 2013 nga atëherë ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Surroi foli edhe për situatën në veri të vendit. Tha se Brukseli ka problem me status quon e që me mbrojtjen e saj, por mbron formën e sundimit në atë pjesë.

“Brukseli ka një problem me status quon, prandaj janë mësuar njerëzit të vazhdojë një gjendje e tillë dhe të bëhen raunde negociatash. Problemi është se duke e mbrojtur status quon, Brukseli po e mbron formën e sundimit në një pjesë të Kosovës ku ka sfida serioze në korrupsion, sundim ligjit dhe lirinë e shprehjes”.

 

20:23

Surroi: Kosova është shumë më demokratike se Serbia

Publicisti Veton Surroi ka thënë se efekti më pozitiv i zgjedhjeve lokale është jo vetëm fakti se u organizuan mirë, por janë edhe shembull për tërë rajonin.

Ai ka thënë se në politikën e jashtme, partia e presidentit Aleksandër Vuçiq në Serbi kontrollon mbi 170 deputetë në parlament prej 250 anëtarëve të tij, dhe në zgjedhjet lokale vetëm 6 komuna, nga 168 komuna.

Pra, sipas tij, ekziston një diskrepancë e jashtëzakonshme mes Kosovës e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit i jep votën një liste, por në zgjedhjet lokale e shpërndanë votën.

“Jemi vend më demokratik sepse po të ishim si në Serbi, konkluza do të ishte se edhe në zgjedhjet vendore të përsëritej e njëjta gjë”, ka thënë ai.

Surroi ka thënë se në Raportin e Progresit analizohen shtetet veç e veç, prandaj dallimi mes Kosovës dhe Serbisë në këtë temë, nuk është i vërejtshim.

“Dallimi është substancial mes Kosovës dhe Serbisë por nuk është i evidentueshëm. Diskrepanca është e jashtëzakonshme në Kosovë, nga matjet e Freedom House Kosova është gjithnjë më demokratike dhe Serbia gjithmonë më jo demokratike”, ka thënë ai.