Arbëri

Dua Lipa u bashkohet thirrjeve për dënim të dhunuesve në luftën e Kosovës

 

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, u është bashkuar thirrjeve për marsh para Konsullatës së Përgjithshme të Serbisë në New York, më 28 tetor, në kërkesë për drejtësi për më shumë se 70 mijë personat e dhunuar gjatë luftërave në Bosnje, Kroaci e Kosovë.

“Bashkojuni Vasfije Krasniqi-Goodman, në #RallyForHerJustice më 28 tetor në New York. Vasfije është një e mbijetuar dhe aktiviste e të drejtave të njeriut që e ka për mision mbrojtjen e të mbijetuarve në Kosovë dhe në botë duke kërkuar drejtësi për krimet e pandëshkuara gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Dua Lipa në një postim në Instagram teksa ka shpërndarë një fotografi me thirrjen për marsh.