2 perditesime
15:05

Haziri: Ende nuk kemi ftesë zyrtare për koalicion, marrëveshje politike s'do të ketë me askënd

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, ka thënë se partia nuk ka bërë dhe nuk ka marrë ftesë zyrtare për koalicione për bashkëqeverisje në komuna.

Ai tha se nuk do të ketë marrëveshje politike me askënd.

“Ne sot kemi takuar strukturat e LDK-së për të bërë vlerësimet e para të zgjedhjeve lokale. Ne po presim edhe numërimin e fundit të votave tjera. Në tetë komuna jemi në kandidaturë dhe prijës për të fituar zgjedhjet lokale dhe në gjashtë të tjerat jemi për të ndihmuar partitë e tjera. Marrëveshje politike nuk do të ketë me askënd, marrëveshje ka me qytetarin. Në shkallë të parë vlerësimet për koalicione i bëjnë qendrat, por vendimin e merr niveli qendror. Ende nuk kemi ftesë zyrtare as nuk kemi bërë ftesë zyrtare”, ka thënë ai.

13:29

Haliti i LDK-së përjashton mundësinë për ndonjë koalicion në Viti

Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka përjashtuar mundësinë për ndonjë koalicion.

Ai ka thënë se në balotazh do të shkojë e vetme.

“Nuk ka koalicion”, ka thënë Haliti.

LDK-ja në balotazh në Viti shkon me Lëvizjen Vetëvendosje.

12:20

Mblidhet LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban mbledhje.

Në mbledhje janë parë të jenë Vlora Dumoshi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, e Besa Gaxherri. Mësohet se temë diskutimi do të jetë rezultati zgjedhor.

Ndërkaq anëtari i kësaj partie, Gazmend Muhaxherin ka thënë për Kosovapress se mbledhja po mbahet për të vendosur për koalicionet e mundshme në nëntë komuna që tashmë kandidatët e kësaj partie janë në balotash.

“Këto janë specifika që i bie secilës degë, por është vendim që e merr kryesia qendrore e partisë, për koalicione vendosin në nivel të kryesisë. Sot është e thirrur mbledhje e kryesisë, nesër apo pasnesër do të jenë të qarta orientimet çfarë do t’i kenë nga bisedat që i zhvillojnë kryetarët e degëve me kryesinë dhe kryetarin, çfarë orientime do të marrin në të ardhmen”, tha Muhaxheri.

Lidhja Demokratike ka fituar në Pejë e Lipjan. Mbështetur në rezultatet preliminare të KQZ-së deri në mesnatën e së dielës, 21 nga 38 komuna do të shkojnë në balotazh. Një raund të dytë do të ketë në garën për kryeqytetin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, kurse balotazh LDK-LVV do të ketë edhe në Viti dhe në Gjilan. Garë e ngushtë mes VV-së e LDK-së është edhe në Podujevë, ku fituesin do ta përcaktojë balotazhi. Fushë-Kosova, komunë që konsiderohej bastion i LDK-së, pasi kjo parti ka udhëhequr historikisht, do të shkojë po ashtu në balotazh.