1 perditesime
23:20

Robelli: Qeveria e përgjumur karshi sinjaleve të fuqishme të SHBA-së

Vendimet e presidentit amerikan Joe Biden që në Ballkan të dërgojë si ambasadorë diplomatë të familjarizuar me çështjen e rajonit dhe të Kosovës, gazetari i njohur Enver Robelli e sheh si sinjal të qartë për angazhim shtesë të SHBA-së për çështjen e Kosovës.

“Mendoj që edhe dërgimi i tre ambasadorëve në Beograd, Sarajevë e Prishtinë është sinjal shumë i qartë. Kanë dërguar në të kaluarën diplomatë që nuk kanë qenë përtej çdo dyshimi sa i përket njohurive, stilit e mënyrës si janë ekspozuar e tash kanë dërguar ambasadorë me përvojë”, ka thënë ai teksa ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për “përgjumje në këtë situatë”.

“S’po shohim ekip serioz e mobilizim të Qeverisë ndaj këtyre sinjaleve. Nëse synohet marrëveshja përfundimtare, duhet të ketë ekip uniteti ku duhet të jenë të përfaqësuara të gjitha forcat politike. Jam dakord me legjitimitetin që ka Qeveria, por legjitimitet s’do të thotë edhe ekspertizë. Çdo qeveri, madje edhe të shteteve më të fuqishme se Kosova kanë nevojë për ekspertizë edhe të jashtme”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka mungesë ekspertize sidomos për çështjen e dialogut.

“S’po shihet strategji e qartë. Duhet dialog i brendshëm, duhet me të vërtetë sepse Kosova e ka një problem që e ka trashëguar kjo Qeveri. Të kaluarat e kanë nënshkruar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. S’mund të thuhet tash se jemi kundër sepse duhet të ketë kundërpërgjigje sepse ajo ka kaluar në Kuvend. Ajo që mund të them është që pala kosovare duhet të jetë shumë më e përgatitur me ekspertizë në raport me Serbinë. Ka zyrtarë brenda Unionit Evropian që thonë ta lëmë Kosovën si Qipron e të vazhdojë konflikti i heshtur. Kosova duhet të ketë ambicie më të mëdha për të konsoliduar shtetësinë e vet. Duhet të ketë mobilizim më serioz. Kjo Qeveri ka një shumicë solide në Parlament. Prej partive opozitare mendoj që, përjashtim përrallave të Ramush Haradinajt që s’e marr seriozisht si politikan kohëve të fundit, por nga PDK-ja ka pas qëndrim të përgjegjshëm pasi kanë thënë se në dialog e përkrahim Qeverinë e Kosovës. Edhe LDK-ja s’ka traditë të lojërave destruktive sa i përket dialogut me Serbinë. Albin Kurti e ka të sigurt se s’do të ketë bomba me gazlotsjellës në Parlament. Duhet kryeministri vetë të marrë rolin e krijimit të unitetit”, ka vazhduar ai.

Robelli e konsideron të zbehtë politikën e jashtme të Qeverisë Kurti

Të zbehtë e ka konsideruar politikën e jashtme të Qeverisë Kurti, gazetari i njohur Enver Robelli. Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë shansin që gjatë presidencës së Joe Bidenit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendimeve të tij që në rajon të ketë diplomatë të familjarizuar me problemin e Kosovës, të arrijë zgjidhjen e problemeve me Serbinë.

“Mendoj që paraqitja apo politika e jashtme është e zbehtë. Këto a duhet të ndërrohen apo jo ambasadorët tanë janë teknike... por është e tillë në përgjithësi e me këtë s’po dua të them se Kosova ka shkëlqyer në politikë të jashtme në të kaluarën sepse kemi pasur figura cirku edhe në pozita të politikës së jashtme edhe të tjera shtetërore. I mbetet kryeministrit dhe presidentes që bashkë të koordinonin politikën e jashtme e të mendojnë si duan ta prezantojnë Kosovën në tri katër vitet e ardhshme”, ka thënë ai.

Robelli ka thënë se populli i Kosovës ka pasur pritje të mëdha për Qeverinë Kurti, por sipas tij, sjellja me komoditet në disa raste dhe mosballafaqimi me opinion nuk ka qenë pritja për të.

 

23:03

Robelli: BE-ja po e përkëdhel Serbinë për ta mbajtur nën kontroll

Enver Robelli, redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane “Tages-Anzeiger”, e ka cilësuar aspak largpamës Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, me të cilin lavdërohej Serbia për përpjekjet e saj për fqinjësi më të mirë. Sipas tij, një raport i tillë tregon pafuqinë e Bashkimit Evropian për t’u ballafaquar me problemet në fqinjësinë e afërme.

“Më duket se ka një hile të madhe në këtë përkëdheljen që i bëhet Serbisë, ndoshta sepse është shteti me potencialin më të madh për të destabilizuar rajonin. Por s’është në rregull nga prizmi i BE-së që të injorohet roli i Kishës Serbe dhe politikës serbe në shkaktimin e trazirave në Mal të Zi, roli i Beogradit dhe i politikanëve në Bosnje për destabilitetin permanent të Bosnje e Hercegovinës, ndërsa për Kosovë dihet që një pjesë të madhe të ndikimit Serbia e ruan në veri të Kosovës dhe e kemi parë me bllokim të rrugëve e qarkullimit, ku Serbia vazhdon të luajë rol destruktiv”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se destabilizimi nga Serbia ka qenë i vazhdueshëm dhe ka nisur shumë më herët. “Është aktive në shumë fronte në rajon dhe kjo mendoj se flet shumë edhe për BE-në që s’ka strategji të qartë për zgjerim në Ballkan e as guximin askush në Bruksel që të thotë se ajo që kemi premtuar me vite për fat të keq s’mund të realizohet, nga frika se mund të ketë efekt destabilizues në rajon”.

Duke folur për qëndrimet evropiane kundrejt Serbisë, Robelli ka thënë se BE-ja shpeshherë ka dhënë deklarata përkëdhelëse “për ta mbajtur nën kontroll”, në vend se të ketë politikë më proaktive e kritike. Te kjo pikë ka përmendur edhe Gjermaninë me qëndrim të tillë.

Sa i përket qëndrimeve të fundit të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, që qortoi Kosovën për iniciativën e saj për luftim të krimit në veri, Robelli ka thënë se ai bën pjesë në grupin e politikanëve që shtrojnë dilemën se përse të pengohet ndarja e Kosovës nëse arrihet një marrëveshje mes dy vendeve. Sipas tij, frika qëndron vetëm në efektin domino që mund të ketë në rajon ndarja e Kosovës.

Ndërsa për letrën me të cilën BE-ja bashkë me SHBA-në, pak ditë pas deklaratës së Borrellit, u shprehën se Kosova duhet të luftojë kontrabandën në çdo cep të saj, gazetari i njohur e ka parë si reagim amerikan për të korrigjuar deklaratat e rrezikshme e jostrategjike të zyrtarëve të BE-së.

Sipas Robellit, edhe ndryshimi i pushtetit në Gjermani dhe ardhja e mundshme e Olaf Scholzit si kancelar nuk do të sjellë shumë ndryshim të kursit të Gjermanisë. Ai e ka konsideruar Scholzin si pjesë të krahut të moderuar të Socialdemokratëve.