Arbëri

MD-ja i reagon KPK-së: Reforma në drejtësi vazhdon pavarësisht tendencave për ta penguar

 

Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media ka thënë se është e përkushtuar për vazhdimin dhe kompletimin e reformës në Drejtësi, pavarësisht se siç thotë ky institucion, ka tendenca për ta penguar atë.

Sipas komunikatës nga MD-ja në takimin e sotëm me Grupin punues për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, përfaqësuesit e Sistemit prokurorial kanë lëshuar takimin. Kjo sipas tyre, pasi u lexua një deklaratë e përbashkët e KPK-së dhe e Prokurorit të Shtetit në të cilën kushtëzohej bashkëpunimi i KPK-së me Ministrinë e Drejtësisë.

“Diskutimi nga grupi punues është fokusuar në dhënien e rekomandimeve konkrete dhe kontributit profesional nga ana e anëtarëve të grupit punues në drejtim të përmirësimit dhe kompletimit të draftit punues. Gjatë takimit, me theks të veçantë është diskutuar për numrin a anëtarëve të KPK-së, nga 13 në 7, mënyrën e përfaqësimit si dhe mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së por edhe çështje të tjera të rëndësishme, me ç’rast diskutimi dhe kontributi i anëtarëve që ishin pjesë e diskutimit, ishte mjaft frytdhënës. Tutje, për publikun është në interes ta dijë të vërteten mbi atë që u deklarua në media për këtë takim dhe vet reagimin e KPK-së lidhur më këtë takim”, thuhet në njoftim.