5 perditesime
21:05

Rama akuzon se në Fushë-Kosovë u blenë votat me pako ushqimore

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Alim Rama, ka akuzuar se në dy netët para raundit të parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, janë shpërndarë kuponë për pako ushqimore për ata që janë në listë për ndihmë sociale.

Rama në Deskun e KOHË-s tha se kjo është blerje direkte e votave, pos që është edhe keqpërdorim i pushtetit.

“E kemi raportuar të premten mbrëma, të shtunën prapë. Kjo është ndërhyrje direkte, blerje e votave. Kemi ndërhyrje të pushteteve që janë në zgjedhje, Qeveria nuk është në zgjedhje”, ka thënë Rama.

Fushë-Kosovën tash e sa vite e udhëheq Burim Berisha, që edhe në këto zgjedhje është kandidat i LDK-së.

20:53

Elshani: I ftoj të gjithë të pakënaqurit të ankohen në PZAP

Kandidati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve që janë të pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP).

Ai ka treguar se ka marrë qindra mesazhe nga anëtarë të ndryshëm, kandidatë për asamble komunale, që kanë thënë se nuk u kanë dalë votat as të familjarëve të tyre.

“Besoj se të gjithë, edhe anëtarët tjerë që jemi në KQZ, kemi vullnet të përbashkët të mos lejojmë asnjë parregullësi që ndodh brenda vendvotimeve. Pavarësisht komisionerëve e përkatësive të tyre politike, duhet të vendosim drejtë. Këtë kemi insistuar dhe vendosur disa procedura që për publikun mund të jenë teknike, por ne do të na japin pasqyrë më të qartë se kush ka mundur të shtojë vota apo a janë pasqyruar në mënyrë reale votat. Ata persona që kanë ankesa në raport me vota, sigurisht se i ftoj të gjithë të marrin nga uebfaqja e KQZ-së formularin e rezultateve pasi të dalë e të ankohen në PZAP në momenti që shpallen rezultatet përfundimtare. Gjatë kësaj jave shpallen rezultatet, e kanë të drejtë për t’u ankuar”, ka thënë Elshani në Desk të KOHËS.

20:46

Dushi: Nuk mund t’i damkosim zgjedhjet sa herë nuk fitojmë

Anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi, thotë se ai dhe anëtarët tjerë të kësaj trupe nuk guxojnë dhe nuk do të duhej të bllokonin proceset zgjedhore në asnjë rast.

Ai duke folur për pretendimet e partive se pati vjedhje të votave në disa komuna, tha kur ka dyshime, duhet të hetohet, por jo edhe të improvizohen skena.

“Nuk mund të flasim sa herë nuk fitojmë ne, nuk mund t’i damkosin zgjedhjet si vjedhje industriale sa herë nuk fitojmë, t’i quajmë skema të organizuara të vjedhjeve. Është pjesë e përgjegjësive tona kushtetuese e ligjore që sa herë kemi dyshime brenda një procesi, ne të japim kontributin tonë, që ai proces të pastrohet, por nuk guxojmë me improvizu në anëtarët e KQZ-së, që më i mbajt peng proceset. Unë kam qenë 11 vjet në KQZ, kam përjetuar humbje e fitore të partisë time, por nuk e kam bllokuar asnjë proces”, ka thënë Dushi në emisionin Desku në KTV.

20:43

Elshani: Ka vite që kemi tentuar ta mbajmë KQZ-në larg politikës

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, ka thënë se me vite është tentuar që KQZ-ja të qëndrojë larg politikës, larg politikave ditore e kalkulimeve.

Elshani për rastin në Fushë Kosovë, ka thënë se në mbledhje ka kërkuar të hetohet në plotësi kutia në fjalë, ku dyshohet se ka pasur parregullësi. Por thotë se ka pasur vullnet nga shumica për ta kaluar atë.

“Vërtetë KQZ-në ka vite që jemi munduar ta mbajmë larg politikës, është mirë ta mbajmë larg politikave ditore e kalkulimeve për komuna përkatëse, se nëse një komunë shkon në balotazh apo jo, e të bllokohen kuti votimi. Në mbledhje kam insistuar se ajo kuti duhet të hetohet dhe të kemi raport edhe nga Policia, të kemi raport edhe nga këshilli i vendvotimit, librin e vendvotimeve e materialin që duhet. Unë abstenova në atë votim për atë kuti votimi, por pati vullnet për të kaluar tutje. Insistoj se KQZ-ja duhet të qëndrojë larg politikave ditore, kalkulimeve e bllokimeve të kutive”, ka thënë Elshani në Desk të KOHËS.

Për rastin e Hanit të Elezit ai ka thënë se Supremja e ka kthyer në rivendosje dhe se duhet lënë PZAP që të marrë vendim tjetër pa bërë presion. PZAP fillimisht kishte vendosur për rivotim në Han të Elezit, mirëpo Supremja aprovoi kërkesën e PDK-së dhe e ktheu rastin në rivendosje.

Sipas rezultateve preeliminare këtë komunë e fiton Mehmet Ballazhi i PDK-së pa balotazh. Refki Suma, kryetari aktual, ka dal i dyti.

20:36

Dushi i quan skena të improvizuara të VV-së pretendimet për manipulime me vota

Anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, i ka quajtur improvizime të VV-së skenat që ndodhën në lidhje me votimin në Fushë-Kosovë.

Dushi në emisionin Desku, tha se këto ishin tentime të VV-së për zhvlerësuar fitoren e kryetarit aktual Burim Berisha, që vjen nga LDK-ja.

Berisha për shumë pak vota nuk arriti të fitojë pa balotazh.

Si anëtar i KQZ-së ka folur edhe për një rast kur është tentuar të zhvlerësohen 463 vota të një fshati.

“Për mua ka qenë i rëndësishëm rekomandimi dhe raportimi nga qendra. Atë ditë ishin diku 6 rekomandime dhe 5 i kemi votuar. Vetëm të gjashtën jo se ishte problematizu, duke e njohur rezultatin e ngushtë dhe duke provuar që në këtë formë të zhvlerësojmë 463 vota të rregullta të atij fshati. Nënkupton se ata frikësohen se Fushë-Kosova mund të fitojë në raundin e parë. Prandaj ka qenë patjetër me rëndësi që të improvizohen skena të tilla, sikur ka qenë edhe kryetari nëpër shkolla. U trimëruan nga rasti i Hanit të Elezit”, ka thënë Dushi.

20:29

Rama flet për tentim-vjedhje të votave në Fushë-Kosovë

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka folur për rastin e disa fletëvotimeve në Fushë Kosovë, e që anëtari i tjetër i KQZ-së nga kjo parti, Sami Kurteshi, kishte thënë se ka pasur tentim vjedhje votash në këtë komunë.

Në Fushë Kosovë është mjaft ngushtë dhe vetëm pak vota vendosin nëse komuna shkon në balotazh apo jo.

“Kurteshi ka thënë se ka pasur tentim për vjedhje të votave. Do të ndërlidhesha se aty ka pasur tentim, ka qenë lëshim teknik që kutia është hapur jashtë procedurave të rregullta. Pikë së pari në raportin e QNR-së formulari i përputhjes së rezultateve s’ka qenë i nënshkruar. Medoemos është dashur të shkojë në hetim kjo. Ne na u prezantua fakti se kanë munguar vetëm 22 fletëvotime. Nuk kemi raport të detajuar të Policisë nëse votat janë të dëmtuara. A shkruhet prapa të dëmtuara. Nuk e dimë a ka qenë tendencë për me i vulosë. Duket se kanë provuar me votuar me disa fletëvotime që kanë mbetur të papërdorura. Procesi është ndërprerë. Raporti i QNR-së ishte me një fjali”, ka thënë Rama në Desk të KOHËS.